Gazmend Hoxha i njoftoi zyrtarët e lartë ushtarakë për situatën e sigurisë në Kosovë dhe bashkëpunimin me misionin e KFOR-it
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, ka pritur në takim admiralin George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, si dhe komandantin e ri të misionit të KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajorin Roberto Vergori.
Gjatë takimit, Hoxha i ka njoftuar zyrtarët e lartë ushtarakë për situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe misionit të KFOR-it.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në takim janë diskutuar edhe tema të tjera me interes në fushën e sigurisë, me theks te avancimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe misionin e KFOR-it në Kosovë.
“Gjatë këtij takimi, kolonel Hoxha i njoftoi ata rreth situatës së sigurisë në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e ndërsjellë me misionin e KFOR-it në Kosovë. Po ashtu, u diskutuan edhe tema të tjera me interes në fushën e sigurisë, si dhe avancimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli dhe misionin e KFOR-it në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.