Seancë pa opozitë: Kuvendi miraton ligjin për pastrimin e parave dhe plotëson Bordin e BQK-së

Aktuale

Seancë pa opozitë: Kuvendi miraton ligjin për pastrimin e parave dhe plotëson Bordin e BQK-së

Nga: Bota sot Më: 15 tetor 2026 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 13:28 më 15.10.2026
Kuvendi i Kosovës

​Miratohen ndryshimet në ligjin për parandalimin e pastrimit të parave

Me 61 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit.

Në këtë projektligj janë paraqitur gjithsej 12 amendamente nga komisioni për buxhet si raportues.

Në votimin e këtij projektligji të pranishëm ishin vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë që votimi u mbajt pa prezencën e PDK, LDK, Listës Serbe e Aleancës.

Pas votimit të projektligjit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu ka mbyllur për sot punimet e seancës së Kuvendit të Kosovës.

​Kuvendi përzgjedh dy anëtarët joekzekutivë të Bordit të BQK-së

Kuvendi i Kosovës ka përzgjedhur Bashkim Nurbojën dhe Nora Latifi-Jasharin si anëtarë joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Nurboja dhe Latifi-Jashari u zgjodhën përmes votimit të fshehtë të deputetëve, kryesisht nga mazhoranca.

Deputetët nga PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca, në momentin e votimit, lëshuan sallën plenare.

Deputetët e PDK-së lëshojnë seancën plenare të Kuvendit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë lëshuar seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, e cila është duke u mbajtur.

Ata nuk kanë dhënë ndonjë sqarim lidhur me arsyet e largimit nga salla.

Në momentin kur deputetët e PDK-së lëshuan seancën, Kuvendi ishte duke shqyrtuar pikën e rendit të ditës për përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

​Kurti paralajmëron rikthimin e Kodit Civil në Kuvend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se Kodi Civil do të rikthehet për shqyrtim në Kuvend, ndërsa ka bërë të ditur se në fillim të javës së ardhshme do të mblidhet grupi punues në Ministrinë e Drejtësisë për të diskutuar përmbajtjen e tij.

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, Kurti iu përgjigj deputetit të PDK-së Eman Rrahmani, i cili kundërshtoi planet e Qeverisë për miratimin e Kodit Civil, Ligjit për fertilizimin e asistuar dhe Ligjit për gjendjen civile, duke pretenduar se këto nisma cenojnë vlerat e familjes tradicionale.

Në përgjigjen e tij, kryeministri Kurti theksoi se Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e së drejtës civile, duke përmendur rregullimin e çështjeve që lidhen me pronën, kontratat, marrëdhëniet familjare dhe trashëgiminë.

Kurti: Kosova ka nevojë për reformë të së drejtës civile

“Qeveria planifikon të sjellë kodin civil në Kuvend, sepse Kosovës i nevojitet një reformë e qëndrueshme e të drejtës civile, prona, kontrata, marrëdhëniet familjare dhe trashëgimia, janë marrëdhëniet përmes të cilave qytetari ndërton jetën e vet si individ. Kodi civil i vendos ato në një tërësi të harmonizuar, ku dispozitat e plotësojnë njëra tjetrën dhe ku të drejtat dhe përgjegjësitë bëhen më të qarta. Një kod i tillë duhet të hartohet me vetëdijen që do t’ju shërbej edhe brezave që vinë. Kjo bëhet e kuptueshme kur flasim për pronën”, tha Kurti.

Kryeministri foli edhe për nevojën e rregullimit ligjor të fertilizimit të asistuar, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale për personat që përballen me vështirësi për t'u bërë prindër.

Kurti: Dëshira për t’u bërë prind është një nga shprehjet më të thella të shpresës njerëzore

“Duhet të shohim edhe rregullimin e fertilizimit të asistuar, dëshira për t’i bërë prind është një nga shprehjet më të thella të shpresës njerëzore, dëshira për të dhënë dashuri e për t’u kujdesur për një jetë tjetër, për shumë njerëz rruga drejt prindimit shoqërohet, me vështirësi që meritojnë mirëkuptim dhe një përgjigje të kujdesshme nga shteti”, tha Kurti.

Pas përgjigjes së kryeministrit, Rrahmani reagoi duke thënë se kundërshtimet e tij lidhen konkretisht me dispozitat për fertilizimin e asistuar dhe ndryshimin e gjinisë në dokumentet e gjendjes civile.

Rrahmani kundërshton dispozitat për fertilizim dhe gjininë në dokumente të gjendjes civile

“E kuptoj në fushatë mundesh të përdorësh këto fjali, mirëpo besoj se jemi në kuvend. çështjet janë konkrete, besoj se do të duhej të ishit korrekt. Kodi civil dihet çka është kundërshtuar, te çështja për fertilizim, lejimi që gratë të bëhen nëna pa burrë si dhe për gjendjen civile është kundërshtuar ndërrimi i gjinisë. Ju në natën e mot moteve po e bini në qeveri ligjin më ndërrua gjininë”, tha Rrahmani.

Kryeministri Kurti kërkoi nga deputeti Rrahmani që të lexojë të gjitha nenet dhe jo të fokusohet vetëm në dy nene.

Kurti: Deputeti Rrahmani, lexo të gjitha nenet - jo vetëm dy

“Kodi civil, nëse nuk e kam gabim ,i ka 997 faqe, 1 mijë e 630 nene, ka mundësi që ndihmon nëse i lexoni dhe i shqyrtoni. Përqendrimi në vetëm dy nene është rrezik t’ju bëhet obsesion. Ky është vetëm një sugjerim. Nuk është e thënë të pajtohemi secili në gjithçka. Në fillimin e javës së ardhshme do të mblidhet grupi punues në Ministri të Drejtësisë ku do të diskutojnë gjithçka dhe do ta risjellin në Kuvend”, u kundërpërgjigj Kurti. 

​Kadrijaj kërkon përshpejtimin e Ligjit për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës Çlirimtare, Hoti: Mos e ktheni në sulm politik

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kërkuar që Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare të procedohet në Kuvendin e Kosovës para afatit të paraparë nga Qeveria, më 30 gusht 2027.

Gjatë pyetjeve parlamentare, Kadrijaj e ka cilësuar të paarsyeshme shtyrjen e këtij projektligji deri në gusht të vitit të ardhshëm, duke kërkuar nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, të sqarojë nëse Qeveria do ta sjellë atë më herët për shqyrtim.

Kadrijaj kërkon nga Hoti të sqarojë nëse Qeveria do të sjellë më herët Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës

“Në programin e projektligjeve të qeverisë për vitin 2026-2028 ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare është parapa të vij në kuvend me datë 30 gusht 2027, e sipas kalendarit gjithmonë muaji tetë është muaj pushimi. Është e paarsyeshme shtyerja deri në atë kohë, a do e sjellni më herët këtë ligj në kuvend, apo do e zvarritni?”, pyeti ajo.

Në përgjigjen e tij, ministri Hoti u pajtua se miratimi i këtij ligji është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por nuk dha një afat të ri për procedimin e tij. Ai theksoi se Qeveria do të punojë edhe gjatë muajit gusht, ndërsa rikujtoi se kanë kaluar më shumë se 27 vjet nga përfundimi i luftës pa u miratuar një ligj i tillë.

Ai kërkoi nga Kadrijaj që të mos kthehet në sulm politik, një proces, që sipas tij është marrë me seriozitet.

Hoti rikujton se kanë kaluar më shumë se 27 vjet nga lufta, pa u miratuar një ligj i tillë

“Pajtohem plotësisht me ju në një pikë të kësaj pyetje, ligji është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe e kemi diskutuar disa herë, për ne qeverinë nuk ka muaj të pushimit, ne do punojmë edhe në muaj gusht e çdo muaj tjetër kalendarik. Më lejoni të ju kujtoj një fakt, kanë kaluar më shumë se 27 vite e pesë muaj që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më shumë se 27 vite dhe ne ende nuk kemi një ligj të tillë dhe ju sot po kërkoni llogari prej meje pse e kam qitur në një afat prej 10 muajsh. Ju keni qenë deputetë që shumë mandate këtu, jam i bindur që e dini se sipas kushtetutës së republikës edhe deputetët kanë të drejtë në nismën legjislative, prandaj nuk dua të hy në diskutime. Mos e ktheni në sulm politik një proces që më në fund e kemi shumë seriozisht”, tha Hoti.

Pas kësaj përgjigjeje, Kadrijaj reagoi duke mohuar se pyetja e saj kishte karakter politik. Ajo tha se përfshirja e ligjit në agjendën legjislative është pozitive, por kundërshtoi mënyrën se si ministri iu përgjigj shqetësimit të saj.

Kadrijaj i reagon Hotit, pyetja e saj nuk kishte karakter politik

“Andin Ukshin Hoti, faleminderit për ligjëratën, nuk bëra politikë aspak, asnjë term i asaj që e thashë nuk pati politikë, përkundrazi ti bëre politikë. Mirë që ka ardhur në agjendë legjislative dhe në mënyrë hipotetike e thashë, përpos asaj që e kam luftë e kam ruajtur integritetin”, tha Kadrijaj. 

Kurti: Mbështetja financiare për ish-krerët e UÇK-së do të përfshihet në buxhetin e vitit 2027

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se mbështetja financiare për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë, do të përfshihet në Buxhetin e vitit 2027, ndërsa fillimisht do të hartohet strategjia shtetërore për mbështetjen juridike dhe institucionale në procedurat e apelit.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, se kur do të ndahen mjetet financiare, Kurti tha se fillimisht duhet të përcaktohen vizioni, mekanizmat dhe masat e strategjisë, e më pas kostot për zbatimin e saj.

“Që ta votojmë në mbledhjet e qeverisë, buxhetin për vitin 2027. Do të bëjmë këtë, dhe natyrisht që aty do të përfshihen të gjitha linjat e nevojshme për secilën fushë, por edhe për çështjen e mbështetjes financiare për 4 ish-krekrve tw UCK-se. Por ta kemi parasysh që së pari duhet strategjia shtetërore, dhe më pastaj kostot; një herë vihet ideja, vizioni, mekanizmat dhe masat, e më pastaj edhe kostoja e tyre, jo kostoja para mekanizmave e vizionit. Së dyti, duhet t’ia lëmë punën këtij grupi punues, prandaj edhe e kemi formuar. Tash unë nuk mund të bëhem zëdhënës paraqitues i punës që do të bëjë grupi punues”, tha Kurti.

Kryeministri ka bërë të ditur se Qeveria ka themeluar grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e strategjisë shtetërore, i cili do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.

Sipas Kurtit, grupi do të ketë për detyrë të ofrojë mbështetje juridike dhe institucionale në procedurat e apelit, si dhe të bashkërendojë veprimet diplomatike për dokumentimin dhe afirmimin ndërkombëtar të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës.

“Me vendimin e qeverisë dje, themeluam grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e kësaj strategjie, të kryesuar nga zëvendës-kryeministri i parë dhe ministri i punëve të jashtme dhe diasporës, zotëri Glauk Konjufca. Mandati i tij përfshin mbështetjen juridike dhe institucionale në procedurat e apelit, si dhe bashkërendimin e veprimeve diplomatike për dokumentimin e mbrojtjen dhe afirmimin ndërkombëtar të së vërtetës historike të luftës çlirimtare të Kosovës. Grupi do të bashkëpunojë me ekipet mbrojtëse për identifikimin e nevojave për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale, duke përfshirë ekspertë si vendorë ashtu edhe ndërkombëtarë, sipas nevojave të cilat identifikohen. Pjesë themelore e punës do të jetë sistemimi dhe analizimi i dokumentacionit historik juridik dhe gjyqësor, përfshirë atë gjykimet e tribunalit ndërkombëtar penal të Jugosllavinë, lidhur me krimet e kryera gjatë Luftës së Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Kurti ka theksuar se dokumentacioni do të shërbejë si bazë për mbështetjen e ekipeve mbrojtëse dhe për komunikimin ndërkombëtar, ndërsa strategjinë e ka cilësuar si angazhim gjithëinstitucional dhe mbipartiak.

“Kjo bazë dokumentare do t’i shërbejë mbështetjes mbrojtës dhe një komunikimi ndërkombëtar të qëndrueshëm të mbështetur në fakte dhe argumente. Këtë proces e kemi konceptuar si angazhim gjithë-institucional dhe mbi-partiak, ushtria çlirimtare e Kosovës dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashëgimi e përbashkët dhe përgjegjësia për mbrojtjen e të vërtetës së saj shkon përtej mandateve të qeverisëse dhe dallimeve partiake. Prandaj, grupi punues është ngarkuar që ta përgatisë propozimin fillestar të strategjisë, me masa prioritare institucionale përgjegjëse dhe afate të zbatimit”, tha Kurti.

Kurti: 15 zyrtarë serbë ankuan transferimet, katër u larguan nga shërbimi civil pa shkelje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 15 zyrtarë nga komuniteti serb kanë paraqitur ankesa kundër vendimeve për transferim brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa katër të tjerë janë larguar nga shërbimi civil, pasi më parë nuk kishin ushtruar detyra zyrtare në ministri.

Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, lidhur me pagesat për zyrtarët që, sipas shqetësimit të ngritur, kanë marrë paga pa punuar, Kurti ka thënë se ish-Ministria e Administratës Publike kishte qenë e obliguar të sistemonte 20 punonjës nga komuniteti serb, me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës.

“ish-ministria administratës publike ish i obliguar që të sistemonte 20 punonjës të komunitetit serb, me qëllim të integrimit të tyre në institucionet e Republikës së Kosovës. Megjithatë, që nga nënshkrimi i akteve të emërimit, këta zyrtarë nuk kanë ushtruar asnjëherë detyra zyrtare në kuadër të ministrisë. Në këtë kontekst, gjatë vitit 2025, ministria e punëve të brendshme, me cilësinë e ministrisë përgjegjëse për administratën publike, ka ndërmarrë veprime duke i transferuar ata në komisionet e tjera brenda ministrisë. Pas nxjerrjes së vendimeve për transferim, 4 prej këtyre zyrtarëve janë larguar nga shërbimi civil, si rezultat i shqetësimit të masave disiplinore ndërsa 15 të tjerë kanë paraqitur ankesa kundër vendimeve për transferim pranë këshillit të pavarur mbikëqyrës për shërbimin civil të Kosovës”, tha ai.

Kurti ka folur edhe për ndërprerjen e kontratave të punës për 29 zyrtarë serbë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucionet e saj vartëse, duke thënë se vendimi është marrë për shkak të mungesave të vazhdueshme në vendet e punës dhe bazuar në rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

“Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe institucionet varëse të saj, ku janë shkëputur si vjet, kontratat 29 zyrtarëve qytetarë nga komuniteti serb, të cilët ishin edhe të njohur si pjesëtarë të mbrojtjes civile, e cila në fund të qershorit të vitit 2023 u shpall organizatë terroriste, pikërisht nga qeveria jonë. 20 prej tyre ishin pjesë e ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, 7 zyrtarë kanë qenë në agjencinë për mbrojtjen e mjedisit të Kosovës, dhe 2 zyrtarë në agjenci kadastrale të Kosovës. Shkëputja e kontratave të punës për ta është bërë për shkak të mungesës së vazhdueshme në vendet e punës, dhe bazuar në rekomandimet e zyrës kombëtare të auditimit, me qëllim të adresimit të parregullsive të evidentuara”, tha Kurti.

Haradinaj: Siguria e Kosovës buron nga UÇK-ja, Amerika dhe NATO-ja

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se siguria kombëtare e Kosovës buron nga sakrifica e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nga aleanca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

“Siguria jonë kombëtare buron nga sakrificat për liri. Buron nga UÇK-ja. Po të mos ishte UÇK-ja, s’do të ishim të lirë”, ka thënë Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit në deklarimet jashtë pikave të rendit të ditës.

Ai ka theksuar se mosmbrojtja e vlerave që, sipas tij, janë në themel të shtetit të Kosovës, rrezikon sigurinë, lirinë dhe sovranitetin e vendit.

“Për cilëndo arsye që gjejmë ne e dështojmë me e mbrojtur UÇK-në, rrezikojmë sigurinë tonë kombëtare, lirinë tonë, sovranitetin tonë”, është shprehur ai.

Haradinaj ka kërkuar gjithashtu respektimin e Kushtetutës dhe të ligjeve, duke thënë se Kosova duhet t’i kryejë përgjegjësitë e saj për të mos e vënë në rrezik sigurinë kombëtare.

“Armiqtë kanë me dështu gjithmonë kur ne i bëjmë punët tona”, ka deklaruar ai.

Duke folur për mbështetjen ndaj UÇK-së dhe krerëve të saj, Haradinaj ka thënë se çdo veprim në këtë drejtim është i mirëpritur, pavarësisht kohës kur ndërmerret.

“Mbështesim çdo veprim në mbështetje të UÇK-së, të krerëve të UÇK-së. Sado vonë, më mirë vonë se kurrë, më mirë pak se hiç”, ka theksuar Haradinaj.

Në fund, ai ka folur edhe për rëndësinë e opozitës në demokraci, duke nënvizuar se liria mbrohet edhe përmes një opozite të mirëfilltë.

“Demokracia vdes atë ditë që s’ka opozitë të vërtetë”, ka përfunduar Haradinaj.

Musliu kërkon hetimin e zinxhirit komandues për ndërhyrjen policore në protestën e 5 tetorit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) hetim të plotë, të pavarur dhe të paanshëm për ndërhyrjen e Policisë gjatë protestës së 5 tetorit në Prishtinë, duke kërkuar identifikimin e të gjithë zyrtarëve të përfshirë dhe zbardhjen e zinxhirit komandues që mori vendimin për përdorimin e forcës, raporton Ekonomia Online.

Musliu ka thënë se hetimi nuk duhet të përqendrohet vetëm te zyrtarët policorë që zbatuan urdhrat, por edhe te personat që e dhanë dhe e drejtuan urdhrin për ndërhyrje. Ajo ka paralajmëruar se, nëse IPK-ja nuk e kryen detyrën e saj, do të kërkohet krijimi i një komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 5 tetorit dhe trajtimin e tyre nga organet kompetente.

“Prandaj, sot kërkojmw nga Inspektorati Policor i Kosovës qëhetimi i iniciuar të jetë i plotë, i pavarur dhe i paanshëm për tëgjitha veprimet policore gjatë protestës së 5 tetorit.

Kërkojmë të identifikohen të gjithë zyrtarët e përfshirë nëpërdorim të panevojshëm të forcës policore. Të hetohet, jo vetem polici qe zbatoi urdherin, por të hetohet igjithë zinxhiri komandues. Kush dhe nga ku u dha urdhëri për ndërhyrje? Kush e drejtoioperacionin? Kush e vlerësoi situatën? Të sigurohet çdo provë tjetër që ndihmon në zbardhjen e plotë tëngjarjes.

Nuk na duhen hetime vetëm sa për ta qetësuar opinionin publik”, tha ajo.

Deputetja e PDK-së ka pretenduar se ndërhyrja policore ndodhi pas 20 ditësh protestash paqësore kundër dënimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë dhe në mbështetje të kërkesës për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Sipas saj, më 5 tetor protestuesit u përballën me gaz lotsjellës, topa gome, ujë të ftohtë dhe dhunë fizike.

“Më 5 tetor, në ditën e 21-të të protestës gjithëpopullore kundërdënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë dhe kërkesës së qartë përvotimin e ndryshimit te ligjit për dhomat e specializuara, ndodhiajo që, në një shtet demokratik, nuk do duhej te ndodhte.

Në orët e mbrëmjes së 5 tetorit, dikush dha urdhër për përdorimtë forcës policore ndaj qytetarëve që kishin dalë për tëprotestuar.

Kjo erdhi pas 20 dite protest ku, gra, burra djem e vajza, femijee te moshuar kishin protestuar në mënyrë paqësore, me dinjitetdhe pa incidente.

Me 5 tetor qytetrët u përballën me mase te madhe te gazitlotsjellës, me topa gome, me ujë të ftohtë dhe me skena tëpapara të dhunës fizike”, tha ajo.

Musliu ka pretenduar se ndërhyrja nuk ishte përgjigje ndaj një situate të krijuar nga protestuesit, por një veprim i organizuar që, sipas saj, rrezikoi jetën e pjesëmarrësve. Ajo ka thënë se disa protestues, kryesisht veteranë të UÇK-së dhe fëmijë të dëshmorëve, u detyruan të kërkonin ndihmë mjekësore.

“Kjo situate nuk ishte pergjigje ndaj nje situate te krijuar ngaprotestuesit por ishte nje skenar i kurdisur për t’i provokuarqytetarët në shesh pa marre fare ne konsiderate qe mund terrezikohej jeta e atyre qe po protestonin per nje kauze te madhe. Ajo që pamë atë pasdite ishte e frikshme dhe e papranueshme! Përvec gazit lotësjellës ujit të ftoftë dhe topave të gomes kishtepërndjekje te qytetrëve nëpër hapësira dhe kthina të ndërtesavedhe perdorim të shfrenuar te dhunes fizike. Shumë protestues kryesisht veteran te UCK-se e femijëdëshmorësh që po protëstonin atë ditë u detyruan të marrinndihmë mjekësore nga dhuna brotale e policisë”, tha ajo.

Ajo ka theksuar se kërkon llogaridhënie për të gjitha veprimet policore dhe ka bërë dallimin mes institucionit të Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve që mund të kenë keqpërdorur detyrën.

“Na duhet një hetim, që identifikon përgjegjësit dhe prodhonrezultate konkrete që në të ardhmen të mos keqprëdoret Policia e Kosovës.

Askush nuk e fajeson institucionin e policise se Kosoves siinstitucion, por askush nuk duhet të mbrohet nga përgjegjësiavetëm pse mban uniformë policie veshë. Detyra e policisë është t’i mbrojë qytetrët, jo të demostroi dhunëndaj tyre. E drejta për protestë paqësore nuk është privilegj që ua jeppushteti qytetarëve.

Është e drejte qe garantohet me kushtetute.

Dhe kur kjo e drejtë cenohet,sic u cenua me 5 tetor, institucionetkanë detyrimin të japin përgjigje e llogari. Prandaj nga kjo foltore i siguroj qytetaret se do të angazhohemime tërë kapacitetet që kjo çështje, të mos relativizohet dhe tëmos mbyllet pa u zbardhur.

Do të kërkojmë llogaridhënie institucionale, transparencë dhepërgjigje konkrete për atë që ndodhi me 5 tetor. Dhe nëse inspektoriati policor nuk e kryen detyren e tij, duhet ta krijojme një komision hetimor parlamentar jo vetem për 5 tetorin, por edhe për trajtimin e kësaj ngjarje nga organetkompetente.

Ka ardhe koha e pergjegjesise dhe llogaridhenjes per secilin qemendon se ta kesh pushtetin eshte ta kthesh shtetin ne pronensiprivate”, tha ajo.

Kadrijaj: Fjala e lirë nuk duhet të shuhet, kjo nuk duhet lejuar nga Kuvendi

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka thënë se me zhvillimet e fundit ka nisur një ritëm më normal i funksionimit të institucioneve, por ka theksuar se kjo nuk duhet ta pengojë kritikën ndaj veprimeve të Qeverisë.

Kadrijaj në seancën e sotme ka vlerësuar se Kuvendi duhet të jetë i vëmendshëm dhe kritik ndaj vendimeve dhe veprimeve të ekzekutivit.

Ajo ka theksuar veçanërisht rëndësinë e mbrojtjes së lirisë së shprehjes, duke thënë se shuarja e fjalës së lirë nuk duhet të lejohet nga Kuvendi.

“Fjala e lirë nuk duhet të shuhet, kjo nuk duhet të lejohet nga ky Kuvend”, ka deklaruar mes tjerash Kadrijaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat