Gazetari dhe moderatori i njohur televiziv Adi Krasta është shprehur publikisht për protestat e studentëve që po përfshijnë Tiranën këto ditë. Në një postim në rrjetin social Facebook, të strukturuar në gjashtë pika, Krasta e cilëson situatën aktuale si pasojë të keqqeverisjes dhe paralajmëron se vendi po hyn në një epokë të re.
Sipas tij, gjendja në të cilën ndodhet Shqipëria është krijuar nga “vjedhja dhe plaçkitja e aseteve të vendit nga pushteti, me dhe pa ligj”. Krasta thekson gjithashtu se ata që bullizojnë protestat paqësore nuk arrijnë tjetër veçse të shkaktojnë protesta të dhunshme.
Në pikën e tretë, gazetari i jep protestave një domethënie më të gjerë politike: “Protestat tregojnë se një vetëdije e re është krijuar, e që është fundi i një epoke. Kur ngrihen studentët, pushteti është i humbur pavarësisht.”
Krasta nuk kursen as klasën politike në pushtet, për të cilën thotë se ajo që e ka lehtësuar apo e ka bërë të mundur këtë Shqipëri “po i bëhet gjyq live”. Ai e mbyll postimin duke deklaruar se ndryshimi është “i domosdoshëm dhe i pashmangshëm”, ndërsa Republika duhet rithemeluar për të krijuar garancitë që “kjo që ka ndodhur të mos përsëritet më”.
Postimi ka mbledhur brenda pak orësh mbi 5 mijë reagime, 167 komente dhe 217 shpërndarje.
Konteksti
Deklarata e Krastës vjen pas disa ditësh tensionesh në kryeqytet. Protestat e ashpra nisën të hënën në Tiranë, ndërsa të martën qindra persona u mblodhën para Ministrisë së Arsimit. Sipas policisë, protestuesit hynë natën në ndërtesën e ministrisë dhe i vunë zjarrin, ndërsa dhuna përfundoi me 16 arrestime. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobote uji për të shpërndarë turmën.
Organizatorët e studentëve kanë deklaruar se protesta lidhet me kushtet në universitete, kostot e larta të arsimit, mungesën e mbështetjes financiare dhe perspektivën e punësimit pas diplomimit, ndërsa protestuesit kërkojnë edhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Nga ana e qeverisë, zëvendëskryeministrja Albana Kociu shkroi në Facebook se protesta është e drejtë legjitime, por nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë dhe shkatërrim të qytetit.