Publicisti Rexhep Shahu u ka drejtuar një mesazh studentëve që po protestojnë në Shqipëri, duke i cilësuar ata si shpresë për vendin dhe si zë të ndryshimit.
Në reagimin e tij në Facebook, Shahu u bën thirrje studentëve të mos i fshehin fytyrat pas maskave, ndërsa paralajmëron se veprimet e personave që shfrytëzojnë protestat për akte dhune e vjedhje mund të dëmtojnë kauzën e tyre dhe t’i ekspozojnë ata ndaj akuzave për shkatërrim, përcjell “Bota sot”.
Ai kritikon gjithashtu qeverinë dhe partitë e vogla politike, duke theksuar se studentët duhet ta ruajnë pavarësinë e tyre dhe të mos lejojnë që protesta të shndërrohet në instrument të interesave partiake.
Reagimi i plotë
Lutje për studentët e mrekullueshëm që protestojnë dhe po ia kthejnë dinjitetin vendit tonë.
Lutem, mos vini maska, mos i fshihni fytyrat, mos i fshihni sytë. Nuk jeni hije nate, nuk po bëni krime.
Atyre që nuk janë studentë si ju, hiquani maskat, sepse maskat po ju shëmtojnë juve dhe misionin tuaj. Maskat po shkatërrojnë, po grabisin, po ndalojnë, po godasin, po përndjekin e po arrestojnë njerëz…
Lutem, bankat nuk janë të Edi Ramës, as bizneset nuk janë të Edi Ramës.
Si gjithmonë në protesta, vjedhësit e kriminelët shfrytëzojnë rastin dhe faturën ua lënë në dorë të ndershmëve. Ju akuzoheni si shkatërrues. Këtë akuzë po jua bën qeveria dhe mbështetësit e saj.
Studentë, ju jeni dallëndyshet e shpresës. Nuk jeni Nafijet e partiçkave, kryetarët e të cilave nuk marrin as nga një mijë vota. Nga ju mund të dalë çdo gjë, por nuk del një parti e re komuniste për të zëvendësuar Edi Ramën.