18 pjesëtarë të Njësive Speciale përfundojnë trajnimin në mjekësinë emergjente

Aktuale

18 pjesëtarë të Njësive Speciale përfundojnë trajnimin në mjekësinë emergjente

Nga: A.M. Më: 16 tetor 2026 Në ora: 15:53
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është mbajtur ceremonia e certifikimit të 18 operatorëve të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët kanë përfunduar me sukses trajnimin njëmujor me temën “Avancimi i njohurive bazike në mjekësinë emergjente”.

Trajnimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), me synim përgatitjen e pjesëtarëve policorë për ofrimin e ndihmës së parë mjekësore dhe reagimin e duhur në situata emergjente.

Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit përfituan njohuri teorike dhe shkathtësi praktike për menaxhimin e rasteve të ndryshme emergjente shëndetësore. Këto aftësi synojnë të rrisin gatishmërinë operative të policisë dhe të mundësojnë ndërhyrje më të shpejta e më efektive në mbrojtje të jetës dhe shëndetit të qytetarëve.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të pjesëtarëve policorë.

Në emër të Policisë së Kosovës, kolonelët Taibe Canolli dhe Mentor Shabani shprehën mirënjohje për SHSKUK-në, veçanërisht për Klinikën Emergjente, për mbështetjen dhe kontributin profesional në realizimin e këtij trajnimi. Ata vlerësuan se iniciativa të tilla ndihmojnë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe në përgatitjen e policëve për të reaguar në mënyrë efektive në situata emergjente.

Policia e Kosovës dhe SHSKUK-ja kanë riafirmuar përkushtimin për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, përmes trajnimeve dhe aktiviteteve të përbashkëta që mundësojnë shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në rritjen e sigurisë së qytetarëve dhe në përmirësimin e reagimit të pjesëtarëve policorë në rastet kur ndihma e shpejtë mjekësore është e domosdoshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat