Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka vlerësuar filmin “DUA”, me regji dhe skenar të Blerta Bashollit, duke theksuar rëndësinë e tij në ruajtjen e kujtesës historike dhe përcjelljen e përvojës së Kosovës te brezat e rinj dhe publiku ndërkombëtar.
Presidentja mori pjesë mbrëmjen e kaluar në shfaqjen e filmit në kinemanë Cineplexx, aktivitet ky i organizuar në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Gjatë këtij aktiviteti, Shiroka Pula vlerësoi mënyrën se si filmi trajton luftën në Kosovë përmes përvojave, ndjeshmërisë dhe botës emocionale të të rinjve, duke e sjellë këtë periudhë historike përmes një këndvështrimi që synon të komunikojë edhe me brezat që nuk e kanë përjetuar drejtpërdrejt atë.
“Filmat si ky kanë rol jashtëzakonisht të madh në ruajtjen e kujtesës historike, mbrojtjen e të vërtetës sonë, sikurse edhe në përcjelljen e përvojës së Kosovës te brezat e rinj dhe publiku ndërkombëtar”, është shprehur Presidentja Shiroka Pula.
Me këtë rast, ajo përgëzoi regjisoren Blerta Basholli dhe gjithë ekipin realizues për punën e bërë dhe suksesin që filmi ka arritur në skenën ndërkombëtare.
Filmi “DUA” ka marrë vlerësime të rëndësishme në festivale ndërkombëtare, përfshirë çmimin SACD në Festivalin e Filmit në Cannes, në kuadër të programit “Semaine de la Critique”, si dhe tri çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Historik në Belgjikë.
Përmes trajtimit artistik të përvojave të të rinjve gjatë luftës, “DUA” sjell në vëmendje rëndësinë e kinematografisë si mjet për dokumentimin e përvojave historike, ruajtjen e kujtesës kolektive dhe përcjelljen e historisë së Kosovës te publiku vendor dhe ndërkombëtar