Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në një darkë të organizuar për pjesëmarrësit e edicionit të 12-të të Shkollës Diplomatike për Diplomatë të Rinj, e organizuar nga Akademia Diplomatike e MPJD-së.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në këtë edicion janë bërë bashkë 39 diplomatë të rinj nga vende të ndryshme të botës, si dhe 10 diplomatë të Republikës së Kosovës. Tema e këtij edicioni është “Shtetet e vogla – Diplomacia e mençur”.
Gjatë takimit, në një atmosferë miqësore, Konjufca ka folur për historinë e diplomacisë së Kosovës, rëndësinë e dialogut në kohën e pasigurisë globale, si dhe rolin që shtetet e vogla mund të luajnë në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Shkolla Diplomatike për Diplomatë të Rinj synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes ligjëratave, shkëmbimit të përvojave dhe vizitave kulturore. Përmes këtij programi, pjesëmarrësit kanë mundësi të njihen më nga afër me Kosovën, historinë, kulturën dhe institucionet e saj.
Organizimi i këtij edicioni synon gjithashtu të krijojë hapësira për shkëmbim profesional dhe të thellojë njohuritë e diplomatëve të rinj mbi sfidat dhe mundësitë e diplomacisë bashkëkohore, veçanërisht në kontekstin e shteteve të vogla.