Kryetari i Mitrovicës dhe bashkëkryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka reaguar ashpër pas deklaratave të ish-deputetit të AAK-së, Daut Haradinaj, se protestuesit para Kuvendit të Kosovës kishin qenë të armatosur dhe kishin pasur bomba.
Pa e përmendur askënd me emër, Peci i quan “kriminelë” ata që, sipas tij, paralajmërojnë gjakderdhje, shantazhojnë institucionet dhe kërcënojnë drejtpërdrejt të zgjedhurit e popullit. Sipas tij, të njëjtit përpiqen që përmes studiove televizive të krijojnë presion ndaj institucioneve të drejtësisë.
Peci u referohet edhe zërave për arrestimin e tij. Ai shkruan se, nga frika e ndërhyrjes së drejtësisë, po tentohet të krijohen paralele, sikur “një kryetar komune, ish-ministër, do të arrestohet sepse vëllai i një deputeti paska përfunduar në listën për fituesit e granteve”. Sipas Pecit, personi në fjalë nuk ka përfituar “asnjë cent”.
Ish-ministri i Bujqësisë paralajmëron se në ditët në vijim do ta rishpalosë, siç thotë, krimin e organizuar, abuzimet me pronat dhe zhvatjet në sektorin e Bujqësisë, të cilin e drejtoi nga viti 2021 deri në dhjetor 2025.
“Do t’ju vizatoj ashtu si jeni: lakuriq”, shkruan Peci. Ai shton se nuk ka asnjë konsideratë për ta dhe se nuk ua ka frikën.
Deklaratat e Daut Haradinajt për bomba në protestë kanë nxitur reagime edhe nga zyrtarë të tjerë të Vetëvendosjes. Mes tyre është Alban Krasniqi, i cili iu përgjigj me ironi. Lexo edhe: “As s’mbaj bomba me kërcënu deputetë” – Alban Krasniqi i kthen përgjigje Daut Haradinajt
Deri në publikimin e këtij lajmi, Daut Haradinaj nuk ka reaguar ndaj postimit të Pecit.
Postimi i plotë i Faton Pecit:
Paramendoni…çfarë kriminelash!
Paralajmërojnë gjakderdhje, tregojnë se kanë qenë të armatosur deri në dhëmbë, bejnë shantazh ndaj institucioneve e kërcënim direkt ndaj të zgjedhurve të popullit, ndersa nëpër studio të shitura e të shitshme televizive synojnë të krijojnë kauza e presion ndaj institucioneve të drejtësisë.
Thonë: ne ju vrasim, bile ja ku i kemi bombat, mandej nga frika e ndërhyrjes së mekanizmave të drejtësisë tentojnë të bëjnë paralele…një kryetar komune, ish-ministër, do të arrestohet sepse vëllai i një deputeti paska përfunduar në listën për fituesit e granteve (edhepse nuk ka përfituar asnjë cent).
Çfarë kriminelash!
Në ditët në vijim, sikur kam bërë gjatë krejt kohës si Ministër, do ta rishpalos prapë krimin e organizuar, abuzimet me pronat e zhvatjet që kanë ekzistuar në sektorin e Bujqësisë.
Do t’ju vizatoj ashtu si jeni: lakuriq.
Dhe, a e dini pse? Sepse, e para, edhe s’kam fije konsiderate për ju, edhe nuk ua kam frikën.
Dhe, e dyta - e më e rëndësishmja - unë e dua këtë Kosovë të bekuar, jo si plaçkë, por si vendi im i shenjtë, që nuk guxon të vidhet, të blihet e të shitet.