AKR: Sulmi në Kuvend, sulm mbi qytetarët

Aktuale

AKR: Sulmi në Kuvend, sulm mbi qytetarët

Më: 5 gusht 2016 Në ora: 15:25
AKR

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka dënuar ashpër sulmin e së enjtes mbrëma në ndërtesën e Kuvendit, duke thirrur për më shumë përgjegjësi nga politikanët.

AKR në deklaratën drejtuar mediave, thotë se sulmi në ndërtesën e legjislativit, nënkupton atak mbi qytetarët e Kosovës.

“Aleanca Kosova e Re dënon ashpër sulmin mizor ndaj kuvendit të Republikës së Kosovës.

AKR kërkon nga organet kompetente që në mënyrë profesionale t’i kryejnë detyrat e veta dhe ta zbardhin këtë rast, i cili direkt është i orientuar kundër çdo qytetari të Republikës së Kosovës.

Më tej në deklaratën e këtij subjekti politik që s’ka vende në parlament, thuhet se siguria e qytetarëve duhet të jetë prioritet për politikanët.

“Liria dhe siguria e qytetarëve të vendit është dhe duhet të jetë ideali madhor i shtetit tonë, andaj AKR bën thirrje edhe tek klasa politike që të jenë të përgjegjshëm dhe të mendojnë për të ardhmen dhe sigurinë e fëmijëve në radhë të parë”, thuhet në komunikatën e AKR-së.

Në orët e vona të së enjtes, ndërtesa e parlamentit, është sulmuar nga persona të panjohur. Pak para mesnate, në rrugën “Agim Ramadani”, ku ndodhet Kuvendi është dëgjuar shpërthimi që ka ardhur nga hedhja e predhës.

Policia ende nuk ka arrestuar asnjë të dyshuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat