Seanca me demarkacionin më 1 shtator, Veseli e quan fëmijërore hedhjen e gazit

Aktuale

Seanca me demarkacionin më 1 shtator, Veseli e quan fëmijërore hedhjen e gazit

Më: 10 gusht 2016 Në ora: 12:14
Kadri Veseli

(E plotësuar) -  Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që seanca e plenare e Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend dite do të jetë ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, të mbahet më 1 shtator. Kurse, gazi lotsjellës nuk mungoi as në kryesinë e Kuvendit. Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca ishte ai që kësaj radhe ka hedhur gazin lotsjellës në kryesi, në përpjekje për të penguar procedimin e kësaj pike për seancën e radhës.

Por të gjitha këto zhvillime kanë ndodhur larg syrit të mediave, të cilave iu pamundësua të qëndrojë para sallës ku mbahej kryesia e Kuvendit, e ku gazetarët zakonisht qëndrojnë. Mediat si asnjëherë më parë u larguan nga aty, për t’u vendosur në hollin e Kuvendit, e që ishte shumë larg nga salla ku kryesia mbante mbledhjen. Pas hedhjes së gazit lotsjellës, zyrtarë nga kabineti i kryetarit, Veseli ftuan mediat, që të jenë pjesë e këtij takimi, i cili vazhdoi pastaj në një sallë tjetër. Megjithatë, mediat në shenjë pakënaqësie me trajtimin që u bëhet atyre, duke mos i lejuar që të lëvizin lirshëm, nuk pranuan që t’i bashkohen takimit nga i cili më parë u larguan.

Kryetari Veseli i cili pas më shumë se dy ore doli para mediave, kërkoi falje për këtë trajtim që u bëri atyre. Ndërsa, u premtoi që mediat do të kenë akces të plotë në Kuvend, derisa ai të jetë kryetar.

Veseli: Është absurde të mendohet që të mbyllet informacioni

 “Në qoftëse ka diçka për me kërku falje, kërkoj falje, e mora vesh që ka pasur reaksion ose ka ndodhur ndonjë konfuzion, ose ka ndodh ndonjë keqkuptim për arsye se në këtë ambient të kuvendit, bile si kryetari i kuvendit më së shumti jam kritikuar që kam lënë hapësirë mediave të jenë në çdo pjesë të procesit. Edhe ndoshta me aq sa po më thonë, ka pasur shumë gazetarë dhe t’i sjellim tek holli për të pas deklarime....Është absurde që të mbyllet një informacion siç është gazi lotsjellës për arsye vetëm kur del në dritare dhe prej sheshit, qytetarët mund të shohin vet”, tha ai.

Ndërsa, duke folur për veprimet e opozitës, Veseli theksoi se vendi dalë ngadalë po rrëshqet në papërgjegjësi. Sipas tij, gjuha dhe veprimet e pamatura, mund ta sjellin vendin në një gjendje jo të mirë. Megjithatë, pohoi se shteti nuk do të lejohet të cenohet, pavarësisht çmimit.

Veseli: Dikush po e rrezikon këtë shtet

“Nuk është mirë me emocione të njerëzve të manipulohet dhe mendohet që dikush po e shet vendin e vet. Kemi me pas qëndrim politik, i cili është konform interesave të qytetarëve, të atdheu dhe i cili nuk do ta cenojë pavarësinë e Kosovës...Nëse mendoni se me emocione, kemi me mbrojt ndonjë kufi, atëherë le të mendon dikush që po e rrezikon edhe këtë shtet që e kemi me sakrifica shumë”, tha ai.
Kurse, hedhjen e gazit lotsjellës, i quajti fëmijërore.

 

Veseli: Gazi lotsjellës fëmijëror

“S’ka kush që na frikëson, le ta harrojnë, paqavurat që iu frikësohen gjyqeve, le të harrojnë, as s’na bënë përshtypje, paqavurave që iu frikësohen vrasjeve, le ta harrojnë as s’na bënë përshtypje. Fëmijërore është gazi lotsjellës, çka po don me gaz lotsjellës, s’kam dal 20 minuta nga salla, le të qesin çdo ditë gaz lotsjellës. Do t’i thërras, do të mundohem t’i bindi që në gaz lotsjellës të vazhdohet. Fëmijë kam qenë kur kam marrë gaz lotsjellës në prillin e 1981, fëmijë i vogël jam kanë në shkollë fillore, s’mund me të bë gjë, do të marrë përgjegjësi secili qoftë personale, qoftë politike për këtë çfarë po bëjnë sot”, tha ai.

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, i cili para se të arrestohej tha se ka gjuajtur gaz lotsjellës me qëllim të pengimit të mbajtjes së mbledhjes së kryesisë dhe procedimin e demarkacionit në seancën e radhës. 

Konjufca: I paralajmërova, përgjegjësinë për çfarë do të ndodh do ta marrin këta njerëz

 “Unë i kam paralajmëruar ata që nëse kjo hedhet në seancë, atëherë çka do që ndodh në ditën e seancës, qoftë nëpër sheshe mes qytetarëve protestues dhe forcave të rendit, qoftë brenda sallës plenare të Kuvendit të Kosovës, atëherë, krejt përgjegjësinë e marrin këta njerëz. Çfarëdo që ka me ndodh, çfarëdo destabilizimi i mundshëm që mund të ndodh, përgjegjësinë do ta marrin këta njerëz sepse këta njerëz edhe po falin tokë të Kosovës dhe po e shkelin Republikën edhe Kushtetutën, edhe fare nuk po japin përgjegjësi për veprimet e tyre”, tha ai.

Se Qeveria duhet ta marr përgjegjësinë kur do të mbahet seanca, e ka thënë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

 

Veseli: Hedhja e gazit lotsjellës është fëmijërore

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ka qenë i ashpër në deklaratat e tij rreth çështjes së hedhjes së gazit lotsjellës në mbledhjen e kryesisë së Kuvendin të Kosovës.

Veseli në një konferencë për media ka thënë se hedhja e gazit lotsjellës është një gjë fëmijërore.  Kreu i Kuvendit thotë se secili do të përgjigjet për veprimet e tij.

Ai ka thënë se çështja e demarkacionit nuk do të sjellë poena politik për askë.

“Jemi duke rrëshqit në papërgjegjësi, derisa s’po matet fjala as veprimet. Gjuha dhe veprimet e pamatura mund të na sjellin një gjendje jo të mirë për qytetarët tanë.

Të gjithë kemi përgjegjësi për këtë shtet. Shteti s’ka me u cenu s’ka kush me na ndal. Nëse mendon dikush që politikisht ka me fitu prej çështjeve të tilla si demarkacioni e kanë gabim.

Ska kush qe na frikëson le ta harrojnë. Fëmijërore është gazi lotsjellës. Le te qesin çdo dite gaz lotsjellës. Si fëmije kam marrë gaz lotsjellës. Ka me marrë përgjegjësi secili për këtë çfarë po bëjnë sot”, ka thënë Veseli.

Veseli shfajësohet para gazetarëve: Do ta keni aksesin e plotë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës është deklaruar për moslejimin e gazetarëve në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Veseli është shfajësuar para gazetarëve duke thënë se është pikërisht ai që është kritikuar për hapësirën e madhe që iu ka lejuar medieve. Ai u ka premtuar gazetarëve se do të kenë qasjen e plotë, përderisa ai të jetë në krye të Kuvendit.

“Të jem i sinqert largimi i mediave nuk është lidh me ndonjë aksion te opozitës. është absurde te mendohet te mbyllet një informacion siç është gazi lotsjellës. Është situatë jo e rregullt . Idea ka qëne e mirë me dal para hollit ne mënyrë me prezentative. Keni me pas aksesin e plotë në kuvend përderisa jam unë kryetar”, ka thënë Veseli.

***

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen me shefat e grupeve parlamentare, ka vendosur që me 1 shtator ta dërgojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, për ratifikim në parlament.

Siç merr vesh media, seanca plenare e kuvendit është thirrur për në ora 10, e enjte me 1 shtator.

Ky vendim është marrë në vazhdimin e mbledhjes, pasi fillimisht takimi u ndërpre nga Glauk Konjufca, shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili sa ishte i pranishëm në mbledhje, hodhi gaz lotsjellës.

Kjo mbledhje e Kryesisë së Kuvendit, është zhvilluar pa praninë e mediave për shkak se gazetarët u larguan nga salla ku po mbahej takimi. Në shenjë proteste, gazetarët e bojkotuan konferencën e Kryesisë.

Pas gazit lotsjellës, Kryesia e Kuvendit sërish fillon mbledhjen

Ka filluar të mbahet sërish mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës pas ndërprerjes së për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës, ndërkaq nuk bëhet e ditur nëse po merr pjesë opozita.

Por gazetarët kanë vendosur t’i bojkotojnë punimet e mbledhjes për shkak se siç thonë në mbledhjen e parë kur u hedh gazi lotsjellës nuk i kanë lejuar të marrin pamje dhe të jenë të pranishëm.

Gazin lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë e hodhi Glauk Konjufca. 

Në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit të Kosovës në të cilën po marrin pjesë edhe përfaqësuesit e opozitës, është hedhur gaz lotsjellës.

Siç raporton media edhe pse gazetarët nuk janë lejuar që të afrohen afër sallës ku po mbahet mbledhja, raportohet se shefi i GP të VV-së, Glauk Konjufca ka hedhur gaz lotsjellës.

Në këtë mbledhje është pritur të diskutohet edhe futja në rend dite të projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, në seancën e ardhshme të Kuvendit e cila pritet që të mbahet gjatë kësaj jave.

Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Ka filluar mbledhja e kryesisë së Kuvendit, ku anëtarët e kryesisë, pritet që shqyrtojnë edhe futjen në rend të ditës së projektligjit për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi në seancën e kësaj jave.

Mirëpo, media  raporton se në këtë mbledhje, gazetarët nuk janë lejuar që të futen brenda sallës ku edhe po mbahet mbledhja e kryesisë.

Sot kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka vendosur që konferencën pas takimit ta mbajë në holl të Kuvendit, larg nga salla ku po mbahet takimi, gjë e cila nuk është praktikuar më parë.

Kryesia e Kuvendit e ka në rend dite demarkacionin

Anëtarët e kryesisë së Kuvendit, para vetës pas pak do të kenë tre pika me rëndësi, të cilat me gjasë do të mund të futen në rend të ditës për seancën e kësaj jave.

Pikë e parë është patjetër shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Rendi i ditës për Kryesinë e Kuvendit sot, është ky:

1. Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi,

2. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2015,

3. Propozimi i GP të AAK-së për zëvendësimin e anëtareve në komisionet parlamentare. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat