Biden: Mirënjohës Kosovës, në emër të familjes time, faleminderit

Aktuale

Biden: Mirënjohës Kosovës, në emër të familjes time, faleminderit

Më: 17 gusht 2016 Në ora: 13:49
Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden

(E plotesuar) - I shërbeu Kosovës, për të ndihmuar që të krijoj sistemin e sundimit të ligjit, në pasluftën e vitit 1999, por në shenjë falënderimi për ndihmën që i dha Kosovës, nga sot rruga nacionale Gjilan Ferizaj, afër fshatit Sojevë, ku është edhe kampi i Bondsteel-it, rruga mori emrin Joseph R. “Beau” Biden, III, djalit të Zëvendës Presidentit të SHBA-ve, Joe Biden.

Në përurimin e rrugës ishte edhe zëvendës presidenti i Amerikës, Joe Biden, bashkë me familjen e tij, i cili me të arritur në Bondsteel njëherit vizitoi pllakën memoriale të birit të tij e ku më pas iu bashku mysafirëve.

Ku duke folur për emërimin e rrugës me emrin e djalit të tij tashmë të ndjerë,  Beau Biden ai theksoi se kjo vizitë ka domethënie të veçantë për të dhe  familjen e tij.

Biden: Moment edhe i ëmbël edhe i hidhur

 

Biden: “Është moment i ëmbël dhe  i hidhur, jam jashtëzakonisht falënderues. E vërteta është se e kam vizituar këtë rajon para shumë vitesh, kur isha sentator i ri amerikan, dhe vizita ime ishte në mes viteve e 70-ta, ndërsa vizita ime e parë si zëvendës president i Shteteve të Bashkuara ishte në Kosovë, sepse besoj  fuqishëm në perspektivën  dhe premtimet e popullit të Kosovës dhe këtij vendi”, tha Biden.

Duke folur për djalin e tij, Biden tregoi se si ai përveç kontributit të tij në sistemin e drejtësisë, Beau ishte dashuruar në njerëzit dhe historinë e Kosovës.

Biden: Beau rriti ti dojë njerëzit, kulturën dhe historinë e Kosovës

 

 “Ai nuk na tregoi që kishe dalë vullnetar për të ndihmuar për të drejtuar prokurorët dhe për të ndihmuar sistemin e drejtësisë atëherë kur plagët e luftës ishin ende të freskëta, sistemi i drejtësisë ishte i zbrazët dhe i dëmtuar nga sistemi totalitar dhe ai ishte i interesuar që krimet e luftës të ndiqen në bazë të krimeve të luftës  dhe jo emocioneve. Gjithmonë kam qenë krenar me të,  por asnjëherë më shume se sa  s kur kam qenë këtu në Bondsteel me të. Edhe vëllai i tij është i njëjtë. .Ai këtë vend nuk e deshi vetëm pse dha shumë, por  arriti që të dojë vendin, njerëzit, kulturën dhe historinë...”, tha Biden

Numri dy i Amerikës tha se Kosova edhepse është një shtet i ri në zhvillim, duhet të ketë parasysh nevojat e qytetarëve, duke vënë theksin tek luftimi i privilegjeve në mënyrë që  sipas tij qytetarët të marrin atë që meritojnë.

Biden: Kosova shtet i ri, por duhet t’i dijë nevojat e qyetarëve

 “Kosova është vend i ri por jo edhe aq i ri sa mos të dijë se cilat janë nevojat e qytetarëve dhe çka meritojnë ata siç janë vlerat themelore të integritetit, shërbimet, meritat, jo priviligjet të cilat kërkohen edhe nga të qeverisurit dhe ata që qeverisin”, tha Biden.

 Zëvendësi i Obamës tha se dhimbjet e luftës në Kosovë janë ende të freskëta, por e vetmja mënyrë që Kosova të ecë përpara është që të ketë një të ardhme të përbashkët dhe të avancojë pajtimin. Biden  ndër tjerash ka përgëzuar presidentin Thaçi për nderimin që u ka bërë viktimave serbe gjatë vitit 1999 dhe pas luftës.

Ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se sot është një ditë e veçantë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Thaçi gjatë konferencës për media së bashku me zëvendës presidentin e SHBA-ve Joe Biden tha se është nder i madh për Kosovën dhe qytetarët,  që Biden e viziton Kosovën. Sipas tij Kosova është e sigurt për t’u bërë anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ai foli për birin e Joe Biden, ku është shprehur se ishte i pari nga amerikanët i cili me zell e dashuri i shërbeu Kosovës pas luftës që të ngrit kapacitetet e para të sundimit të ligjit. Më tej presidenti i vendit Beau Biden e përshkruante si një i ri me shumë entuziazëm.

Emërimi i kësaj rruge është edhe një lidhje mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por Thaçi tha se tani është edhe koha kur Kosova duhet të ofroj miqësi fqinjëve e të mbyllen kapitujt e së kaluarës.

Thaçi: Ne si Kosovë duhet të ofrojmë miqësi fqinjëve“Ne tani si Kosovë duhet të ofrojmë zgjidhje dhe të ofrojmë miqësi fqinjëve dhe duhet t’i mbyllemi kapitujt e së kaluarës... nëse me Malin e Zi forcojmë partneritetin strategjik pa asnjë dilemë për kufirin mes nesh kjo na bënë jo humbës historik por na bënë fitues të përbashkët të një të ardhme të sigurt në NATO. Nëse plotësisht normalizojmë marrëdhëniet me Serbinë ne i dhënë kuptim paqes, pajtimit në mes të popujve dhe vendeve tona”, tha Thaçi.

Thaçi në fund të fjalimit të tij iu është drejtuar familjes Biden duke thënë se Kosova është një storie e suksesit dhe një storie fenomenale e mrekullisë e që për këtë do të jenë falënderues gjithmonë Amerikës.

Edhe Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e cilësoi si të veçantë ditën e sotme dhe emërimin e rrugës.  Ai tha se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë shpëtuar Kosovën, e për këtë Mustafa është shprehur falënderues ndaj tyre.

Mustafa: SHBA-së do ia kthejmë të mirën me zhvillim të Kosovës

Kryeministri Isa Mustafa, gjatë fjalimit të tij në Sojevë afër Bondsteelit, ku po mbahet ceremonia e emërimit të rrugës nacionale në nder të djalit të ndjerë të Joe Biden, Beau Biden, ka falënderuar SHBA-të për kontributin e dhënë deri më tani në Kosovë.

Ai tha se kjo rrugë përshkon Bondsteelin ku kosovarët shohin garancën e tyre dhe të rajonit të Ballkanit.

“Beau nuk mund të ishte ndryshe veçse një djalë i denjë i familjes Biden”, tha më tej ai.

“SHBA-të janë partneri kryesor strategjik i Kosovës, prandaj edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin e djalit tuaj duhet ta shihini si përpjekje të kosovarëve për të falënderuar Amerikën për kontributin e saj”.

“Tek SHBA-të, Kosova e sheh aleatin e përhershëm, vend me të cilin presidenti Rugova ka ndërtuar raporte speciale. SHBA ka shpëtuar Kosovën, ka mbështetur dhe po mbështet rindërtimin e saj. Falënderimi më i mirë për ndihmën që i keni dhënë Kosovës është zhvillimi ynë. Populli ynë do t’i kapërcej pengesat dhe do ta bëjë vend të denjë për të gjitha komunitetet dhe besimet”, shtoi kreu i ekzekutivit.

“Do të punojmë për sundim të rendit e të ligjit, kundër krimit e korrupsionit, për krijim të raporteve me fqinjët, për të qenë e barabartë me familjen euroatlantike... për ta bërë Kosovën shtet të përgjegjshëm ndaj qytetarëve të saj”, tha kryeministri.

“Jam i bindur se kjo rrugë do ta kthejë shpesh vëmendjen tuaj kah ne. Shtëpia e kosovarit, tradicionalisht, është shtëpi e miqve. Ju jeni në shtëpinë tuaj”, u shpreh Mustafa në fund të fjalimit.  

Biden arrin në Bondsteel, nis ceremonia në magjistralen Ferizaj-Gjilan

Në afërsi të kampit Bondsteell ku janë të dislokuara forcat amerikane të KFOR-it ka filluar ceremonia për të emëruar rrugën me emrin e Beau Biden, djali i zëvendëspresidentit të SHBA Joe Biden.

Në këtë ceremoni ku janë të ftuar shumë fytyra publike të jetës politike në Kosovë po merr pjesë edhe vetë Joe Biden së bashku me bashkëshorten e tij Jill dhe fëmijët e të ndjerit Beau Biden.

Me të mbërritur në Sojevë,  Biden me familje pa praninë e mediave kanë vizituar memorialin e ngritur për nder të të ndjerit Biden i riu.

Në këtë ceremoni me një fjalë rasti të pranishmëve do t’u drejtohen presidenti Hashim Thaci, kryeministri Isa Mustafa, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri si dhe vetë Joe Biden.

Ministra e deputetë në Bondsteel

Ministra e deputetë të pozitës e opozitës, tashmë kanë arritur në Sojevë të Ferizajt, ku do të mbahet ceremonia për emërimin e rrugës me emrin e Beau Biden, djalit të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden.

Në kampin Bondsteel, tashmë kanë arritur, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ministri i Financave, Avdullah Hoti, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar dhe deputeti Besim Beqaj.

Në këtë ceremoni, pritet të marrin pjesë edhe deputetë të partive opozitare, ku në mesin e mysafirëve shihet edhe Puhie Demaku, deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.     

Në këtë ceremoni, e cila do të fillojë pas pak, do të marrë pjesë edhe Joe Biden që do të mbajë një fjalim si dhe bashkëshortja e tij Jill Biden dhe fëmijët e të ndjerit Beau që kanë ardhur me gjyshërit në Kosovë.   

Në këtë ceremoni do të flasin edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i komunës së Gjilanit Lutfi Haziri.

Deputetë dhe ministra, me autobusë ia mësynë Ferizajt

Përderisa të gjithë ia mësynë Ferizajt, vendit ku pas pak do të përurohet rruga në emrin e të birit të zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, edhe zyrtarët e institucioneve të Kosovës tashmë janë afër vendit ku do të mbahet ceremonia.

Në fotografitë e bëra nga lajmi.net shihen autobusët me të cilët po dërgohen deputetë të Kosovës, ministra e edhe zyrtarë të tjerë. Mes tyre mësohet se është edhe Behgjet Pacolli.

Protokolli parasheh që të mos ketë shumë vetura, andaj bartja e tyre ka qenë e organizuar. Nuk dihet nëse ka edhe deputetët nga opozita.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat