Viti i ri shkollor fillon më 1 shtator, mungojnë librat

Aktuale

Viti i ri shkollor fillon më 1 shtator, mungojnë librat

Më: 24 gusht 2016 Në ora: 15:32
Arsim Bajrami

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka bërë të ditur se Ministria e Arsimit dhe Drejtoritë komunale të Arsimit janë duke i bërë të gjitha përgatitjet që mësimi të fillojë më 1 shtator, sipas kalendarit shkollor dhe përgatitjeve që janë bërë.

I pyetur nëse një gjë të tillë do ta pengojë protesta që pritet të organizohet nga partitë opozitare me rastin e vendosjes së vijës kufitare nga Kuvendi i Kosovës, Bajrami ka thënë se i fton të gjithë që fëmijët mos t’i përfshijnë në aktivitete politike.

Bajrami: Po bëjmë gjithçka që mësimi të filloj më 1 shtator

“Po bëjmë gjithçka që viti shkollor të fillojë brenda kalendarit, sipas parashikimeve dhe uroj që edhe shpërndarja e teksteve të filloj me kohë në mënyrë që viti shkollor të përfundojë me kohë, njëkohësisht po e shfrytëzoj të bëj një ftesë të gjitha komunave të gjitha partive politike që sa më shumë t’i ruajnë nxënësit, nga cilado zhvillime politike dhe mos të përfshijnë nxënësit në aktivitete politike sepse kjo do të krijoj traumë, kjo do të pengoj që ne të ndërtojmë një nxënës me personalitet të shëndoshë, i cili do të edukohet në frymën qytetare, profesionale dhe nuk do të jetë pjesë nganjëherë edhe e zhvillimeve të ashpra politike që i kemi ne. Kështu që ne po bëjmë gjithçka që viti të fillojë me kohë”,  tha Bajrami.

Bajrami,  i cili në konferencë doli pas takimit me drejtorët e DKA-ve, tha se MASHT dhe DKA-të janë të përgatitura edhe nga aspekti infrastrukturor që mësimi të fillojë me kohë.

Mirëpo, ministri Bajrami tha se ekziston një problem me shpërndarjen e teksteve mësimore,  të cilat janë vonuar në mungesë të mjeteve materiale.

Megjithatë, ministri tha se po bëjnë çmos që librat të shpërndahen sa më parë.

Bajrami: Kemi ngecur me shpërndarjen e librave

“E kemi pas një problem rreth dinamikës së përgatitjes ë teksteve në mungesë të fondeve por e kemi tejkaluar, është e vërtetë që kemi shumë pak kohë për të shpërndarë librat por po bëjmë çmos që nga java e ardhshme të bëjmë dërgimin e teksteve tek komunat dhe tek shkollat në mënyrë që nxënësit të kenë qysh në ditën e parë të shkollës tekstet e gatshme”, tha ministri Bajrami.

Ministri Bajrami, si parapërgatitje për mësimin parauniversitar tha se është bërë edhe rekrutimi i stafit të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.

Ai tha se konkurset e tilla janë përcjellë  nga MASHT-i pasi sipas tij në të kaluarën ka pas punësime të militantëve partiakë, e jo në baza ligjore.

Bajrami: Askush të mos punësohet në bazë partiake

“Jemi duke e përfunduar procedurat e rekrutimit të mësimdhënësve dhe drejtorëve dhe unë ju kërkova sot drejtorëve që përzgjedhja e mësimdhënësve të bëhet ekskluzivisht me kritere profesionale dhe  ligjore. Jemi duke i monitoruar këto konkurse dhe do të dalim me një raport përmbledhës për të parë se a i janë përmbajt të gjitha komunat Udhëzimeve Administrative, ligjeve sa i përket zgjedhjes së drejtorëve dhe mësimdhënësve,  sepse në të kaluarën kemi pas aty-këtu kur përzgjedhja është bërë me kritere joprofesionale madje edhe në bazë të  përkatësisë partiake. Kjo është gjëja më e shëmtuar që mund t’i ndodh shkollave tona që në vend të profesionisteve, të njerëzve të përgatitur të dërgohen militantët politik për të dhënë mësim”,  tha Bajrami.

Ministri Bajrami tha se risia e këtij viti është edhe rishikimi i teksteve shkollore ku janë rishikuar dhe do të hyjnë në përdorim 86 tekste mësimore nga klasa e parë në të nëntën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat