Avokati i Popullit: Nuk ka pasur shkelje gjatë arrestimit të aktivistëve të VV-së

Aktuale

Avokati i Popullit: Nuk ka pasur shkelje gjatë arrestimit të aktivistëve të VV-së

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 12:30
Ilustrim

Institucioni i Avokatit të Popullit njofton se Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës që është në kuadër të këtij institucioni ka vizituar aktivistët e Vetëvendosjes që u arrestuan dje nga Policia e Kosovës.

"MKPT ka intervistuar gjashtë të ndaluarit (F.K., A.B., P.A., E.H., A.A., A.D.), si dhe ka shikuar regjistrin e pranimit dhe dosjet e të ndaluarve në Qendrën e Ndalimit, nga ku shihet se nuk ka pasur shkelje procedurale. Sipas të ndaluarve, arrestimet kanë ndodhur në mëngjes herët, në shtëpitë, respektivisht banesat e tyre. Nga të ndaluarit nuk ka pasur ankesa për tejkalim të kompetencave të policisë dhe as nevojë për trajtim mjekësor. Ata kanë pohuar se trajtimi i tyre fizik dhe verbal ka qenë korrekt. Të ndaluarit kanë pohuar se kanë nënshkruar listën e gjërave të sekuestruara gjatë bastisjes”, thuhet në një komunikatë për media.

Sipas komunikatës të ndaluarit nuk paraqitën ndonjë vërejtje sa i përket trajtimit në Qendrën e Ndalimit. I ndaluari P.A. ka parashtruar kërkesën për Avokatin e Popullit për të ndjekur edhe më tutje rastin e tyre.

“Avokati i Popullit do të monitoroj procesin e mëtejmë sa i përket pajtueshmërisë me standardet e gjykimit korrekt, brenda një afati të arsyeshëm kohor”, thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat