Të arrestuarit e VV-së sfidojnë kërkesën për paraburgim

Aktuale

Të arrestuarit e VV-së sfidojnë kërkesën për paraburgim

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 16:39
ilustrim

Seanca e marrjes në pyetje ka përfunduar rreth orës 16, ndërsa një vendim i gjykatësit për masën e sigurisë ndaj të dyshuarve pritet të merret nesër.

Prokurori i rastit ka kërkuar paraburgim për gjashtë aktivistët e arrestuare të Lëvizjes vetëvendosje të cilët dyshohet se kanë gjuajtur me granatë ndaj ndërtesës së Kuvendit, natën e 4 gushtit.

Por të dyshuarit, kur kanë dalë sot në seancë para gjykatësit të procedurës paraprake, kanë kundërshtuar dyshimet e ngritura nga prokurori dhe i kanë sfiduar ato, qoftë përmes alibisë, qoftë përmes pikëpamjeve politike.

Seanca e marrjes në pyetje ka përfunduar rreth orës 16, ndërsa një vendim i gjykatësit për masën e sigurisë ndaj të dyshuarve pritet të merret nesër.

Në kërkesën për paraburgim, prokurori ka thënë se ekziston rreziku i ikjes sepse ditën e arrestimit  i pandehuri Astrit Dehari kishte tentuar të ikë nga policia e gjithashtu, sipas tij, edhe pesha e veprës është e rëndë.

Prokurori tha se ekziston edhe mundësia e ndikimit në dëshmitarë.

Por Dehari tha para gjykatës se një motor i gjetur në vendin nga ku ishte hedhur granata i cili është pjesë e provave, ka qenë i tij, por ai deklaroi të mos jetë në dijeni çka ka ndodhur me të në momentin e gjuajtjes së granatës. Ai tha se këtë motor e kishte blerë për 550 euro, ndërsa u shpreh se në momentin kur ka ndodhur sulmi ai ka qenë duke pirë kafe.

Duke i quajtur “broçkulla” ato që janë shkruar nga prokurori në kërkesën për caktimin e masës së sigurisë, Dehari e ftoi gjykatësin dhe prokurorin që “të merren me ‘Pronton’, ‘Zajednicën’ e demarkacionin, e jo me procese qesharake me djem paqësorë”.

I arrestuari tjetër, Frashër Krasniqi, duke folur për telefonatën me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, të cilën e përmendi prokurori. Ai tha se në atë telefonatë i kishte kërkuar kryetarit të partisë që Vetëvendosje të distancohet nga “përpjekjet e Isa Mustafës që aksionet ose sulmet me bomba t’i lidhë me sulmet ose aktivitet që ne i kemi bërë me gaz lotsjellës në kuvend”.

“Ky proces nuk ka fillu me urdhër të prokurorit por ka fillu kur Isa Mustafa ka dhanë qëndrime dhe sinjale gjykatave tona që këto sulme t’i lidhin me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Krasniqi duke e cilësuar arrestimin e tij si “montim politik” që, sipas tij, i shkon për shtati më shumë drejtuesve të shtetit.

Frashër Krasniqi tha se ka një pyetje për prokurorin dhe gjyqtarin se “a ju ka thirrë Grabovci apo jeni punësu me konkurs apo pa konkurs”, ndërsa prokurori Islami tha se ai ka qenë i punësuar në drejtësi shumë kohë më parë.

i pafajshëm u deklarua edhe i arrestuari tjetër Egzon Haliti, ndërsa Petrit Ademi tha se rasti ndaj tyre ka pasur lëshime procedurale dhe lëshime përmbajtësore.

“Sot në këtë ndërtesë ka ardhur një mik i imi më ka sjellë dëshmi nga celulari, më ka sjellë dëshmi për prezencën time në kohën kur ka ndodhur rasti”, tha Ademi.

Avokati i tij, Tomë Gashi, protestoi pasi më parë gjykatësi ua kishte ndërprerë fjalën Astrit Deharit dhe Frashër Krasniqit.

“Askush ne botë s’ka të drejtë të pandehurit t’ia ndalojë ta thotë atë që mendon pra atë se ky rast është i motivuar politikisht. Ky rast është përgatitur për shkak te seancës së nesërme për marrëveshjen e turpshme të demarkacionit me Malin e Zi”, tha Gashi.

Ai tha se kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit “nuk i ka as elementet bazë të dyshimit të arsyeshëm”.

“Unë po i përmbahem premtimit tim sa i përket Petrit Ademit që nëse kisha pa një provë të vetme unë vetë kisha propozu që t’i caktohet paraburgimi në afat maksimal sepse nëse prokurori do të kishe prova unë nuk kisha dashtë me jetu në këtë shtet ku këta të rinj e sulmojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës me granata hedhës dhe po ashtu kam dilema dhe besoj se edhe disa të tjerë se nëse kështu vazhdohet a dëshirojmë të jetojmë në një shtet ku prokuroria nuk kërkon nga policia që prej datës 4 gusht 2016 kur ka ndodhur rasti dhe kur rastësisht apo qëllimisht është lënë zolla dhe për 27 ditë deri në ditën e sotme nuk janë siguruar gjurmët e gishtave në zollën me të cilën është gjuajtur kuvendi”, tha Gashi.

“Unë e di që prokuroria ka mundur ta shtyjë në kohë tjetër edhe arrestimin në një kohë tjetër por s’ka mundur t’i bëjë ballë presionit që dikush nga Vetëvendosje të arrestohet para 1 shtatorit për shkak të mbajtjes së seancës”, tha Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat