Krasniqi: Politikanët shqiptarë po turpërojnë Shën Terezën

Aktuale

Krasniqi: Politikanët shqiptarë po turpërojnë Shën Terezën

Më: 4 shtator 2016 Në ora: 16:15
Politikanët shqiptarë në Vatikan

Gazetari shumëvjeçar në Bruksel, Ekrem Krasniqi ka thënë se politikanët shqiptarë janë e kundërta por edhe armiqtë më të mëdhenjtë të misionit të Nënës Terezë, kjo pasi ajo ndihmoi e dha tërë jetën për varfëritë, kurse, politikanët shqiptarë në pushtet dhe në opozitë tërë jetën morën nga të varfrit.

Ai në një opinion ka thënë se në rast se politikanët shqiptarë duan ta nderojnë misionin e Nënës Terezë, ata duhet ta krijojnë fondin Shën Tereza, dhe të japin 10 përqind të pagave dhe honorarëve që marrin.

Ja opinioni i plotë i gazetarit Ekrem Krasniqit:

Është tipike për politikanët shqiptarë që të turren para kamerave në ngjarje të këtilla madhore dhe mediatike sikur shenjtërimi i së dielës nga Vatikani i Nënës Terezë. 
 
Gonxhe Bojaxhiu ndihmoi e dha tërë jetën për varfëritë. Politikanët shqiptarë në pushtet dhe në opozitë tërë jetën morën nga të varfrit. Politikanët shqiptarë janë e kundërta por edhe armiqtë më të mëdhenjtë të misionit të Nënës Terezë.
 
Ky dallim është dallimi midis Nënës Terezë dhe politikanëve shqiptarë të cilët edhe këtë të diel u dukën nëpër mediat vendore dhe përfituan nga ceremonia e Vatikanit.
 
Pagat dhe përfitimet e tjera që marrin nga të qenurit në politikë përmes institucioneve qendrore dhe lokale këta politikanë i bënë plotësisht në mënyrë të kundërt dhe me asgjë të përbashkët me jetën dhe misionin e Gonxhes së Shenjtë.
 
Të gjithë këta politikanë thanë se kr enohen me Nënën Terezë. E unë them se Nëna Terezë do të turpërohej nga këta njerëz sepse ata tërë jetën nuk dhanë gjë për të varfërit por morën nga ta shumëçka dhe gati gjithçka pasi që ua morën votën.
 
Kosova ka përplot të varfër dhe të vuajtur në të njëjtën kohë që ka politikanë me jetë komode përtej mase duke marrë nga qytetarët e Kosovës.
 
Po deshët të pretendoni se ju krenoheni me Nënën Terezë, e kam fjalën për misionin e saj dhe jo origjinën, atëherë unë kam një ide dhe propozim për ju.
 
Hapeni Fondin Nëna Terezë dhe faleni për çdo muaj 10 % të pagës dhe të honorarëve tuaja aq kohë që të merrni pagën tuaj nga buxheti i Kosovës, sepse kjo pagë e juaja vjen nga puna e qytetarëve të Kosovës, taksat e tyre.
 
Por dyshoj shumë se ju keni nevojë për mua që t’ju jap një ide të këtillë. Dyshoj edhe më shumë se ju do t’i përgjigjeni pozitivisht kësaj ide je dhe propozimi që po ua bëjë publikisht.
 
Por megjithatë po ua bëjë këtë testim të pretendimeve tuaja mediatike se sa jeni të sinqertë kur flisni dhe shkruani për Gonxhe Bojaxhiun.
 
Jepni edhe ju për të varfëritë që nga tash e tërë kohës sa ju të keni paga e honorarë nga buxheti i Kosovës. Mjaft keni marrë nga të varfrit. Mjaft ua shkatërruat jetën bashkëkombësve të Nënës Terezë. 
 
Një fond i këtillë do të mund të kishte shumë destinacione. Pjesa më e madhe e tij do të duhej të dërgohet tek ata që nuk kanë mundësi për shërim, strehim, edukim… Nuk e keni vështirë për të gjetur adresat e tyre, sepse i keni té gjitha né listat partiake pér té shkuar e t’ua merrni votat.
 
Në të njëjtën kohë, ky fond do të duhej të administrohej nga të varfërit e Kosovës, e assesi nga ju. Përmes këtij fondi do të mund të punësoheshin qindra qytetarë të varfër (përmes administrimit të tij) me seli në Prishtinë e degë nëpër të gjitha komunat e Kosovës.
 
Nderojeni Nënën e Shenjtë Terezë duke krijuar këtë fond dhe duke dhënë 10 për qind të pagave dhe honorareve tuaja për çdo muaj. Përndryshe, nuk mund të besoj tjetër pos se ju jeni shembulli më i mirë i turpërimit të misionit dhe emrit të saj. 
 
Nderojeni sakrificën dhe misionin e Nënës Terezë nëse e dini domethënien e fjalës nder dhe solidaritet. 
 
Që të dy këto fjalë maten me xhepin dhe xhirollogaritë tuaja. Topi i lojës (testimit) është në anën tuaj.
 
Qeveritarë, parlamentarë e zyrtarë të tjerë, jepni 10 për qind të pagave dhe honorarëve tuaja dhe më bindni se e kam gabim kur them se ju jeni duke e turpëruar në mënyrën më të vrazhdët Shën Terezën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat