Mustafa dhe Hyseni lavdërojnë Policinë për profesionalizëm

Aktuale

Mustafa dhe Hyseni lavdërojnë Policinë për profesionalizëm

Më: 6 shtator 2016 Në ora: 11:38
Ceremonia festive

(E plotësuar) - Policia e Kosovës është vlerësuar lart sot në 17 vjetorin e themelimit. Këto vlerësime në këtë ditë të rëndësishme për policinë janë dhënë nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni dhe drejtori i Policisë Shpend Maxhuni.

Mustafa dhe Hyseni kanë lavdëruar profesionalizimin e Policisë sidomos në ngjarjet e fundit ku policia janë përballur me protesta të ndryshme, ndërsa drejtori Maxhuni tha se institucioni që ai drejton është më kredibilet në vend.

Me këtë rast kryeministri Mustafa, tha se  ky përvjetor është edhe përvjetor i  sakrificës, edhe i ndërtimit të policisë, edhe i punës.

Mustafa: Keni bërë punë të mrekullueshëm

 

“Unë mund të them se ju keni bërë punë të mrekullueshme, se Policia e Kosovës ka bërë një punë të lartë profesionale ka treguar profesionalizëm , ka treguar disiplinë, ka treguar përkushtim për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në shërbim të integritetit territorial dhe sovranitetit tonë”, tha kryeministri.

Mustafa i përgëzoi policinë edhe për punën e bërë kohëve të fundit kur tha se pjesëtarët e policisë janë ballafaquar me shumë sfida.

Image
Isa Mustafa

Mustafa: Kohëve të fundit jeni ballafaquar me shumë sfida

“Unë e di se ju nuk e keni pas lehtë sidomos kohëve të fundit jeni ballafaquar me shumë sfida dhe probleme por mund të them se të gjitha këto i keni menaxhuar mirë, e keni mbrojt qytetarin e Kosovës, e keni mbrojtje pasurinë shtetit, keni zbatuar ligjin dhe ju përgëzoj për të gjitha punët e mira që i keni bërë dhe për suksesin që e keni arrit juve, ministrinë e juaj, MPB-në dhe po ashtu dëshiroj që këto suksese ti shtojmë në periudhën e ardhshme”, tha Mustafa. 

Sikurse shefi i tij edhe ministri Skënder Hyseni  ka përmendur angazhimin e Policisë sipas të cilit pjesëtarët e këtij institucioni u ballafaquan me sfida makabre.

Hyseni: U përballët me sfida makabre në një shtet demokratik

 

“Sot kemi shumë arsye për të qenë krenar sepse kemi Policinë profesionale absolutisht me integritet të madh edhe njerëzor edhe profesional, një Polici të përkushtuar për Republikën e vet, për shtetin e vet, mëmëdheun e vet që nuk i mungon vullneti as gatishmëria për t’u përballur me sfidat ndonjëherë më makabre që mund të përballet një Polici demokratike në një vend demokratik. Policinë demokratike që alfa dhe omega, udhërrëfyes ekskluziv, paqësor dhe vetëm ka ligjet e Republikës së Kosovës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Hyseni.

Image
Skënder Hyseni

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tregoi për punë  e pjesëtarëve të Policisë dhe zhvillimin e këtij institucioni që nga themelimi.

Maxhuni: Entuziazmi i pjesëtarëve të Policisë vendosi themele të forta këtij institucioni

“Falë angazhimit dhe punës të secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës ne shumë shpejt avancuam drejt të qenit institucion serioz. Sot me të drejtë Policia vlerësohet si një nga institucionet më kredibile në vend. Policia është fuqishëm e përkushtuar që të përmbushë misionin e saj. Fokus kryesor do të ketë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit”, tha Maxhuni.

Ministri Hyseni dhe drejtori Maxhuni në fund të ceremonisë ndanë edhe mirënjohje dhe medalje për policët e dalluar.

***

Policia e Kosovës sot po shënon 17 vjetorin e themelimit. Për nder të këtij përvjetori në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë po mbahet një ceremoni zyrtare ku po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe zyrtarë të lartë të Policisë.

Me këtë rast kryeministri tha se Policia e Kosovës ka treguar profesionalizëm të lartë.

“Ne mburremi me ju dhe do ta keni një përkrahje të vazhdueshme. E di që se keni pas lehtë sepse kohët e fundit jeni përballë me sfida ku e keni mbrojtë vendin dhe popullin e Kosovës por këto i keni bërë me profesionalizëm  dhe mbi bazën e Kushtetutës”, tha Mustafa.

 Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni tha se sot kanë shumë arsye për të qenë krenarë sepse Kosova ka policë me integritet dhe të përkushtuar për shtetin.

 “Atdheun e vet që  nuk mungon vullneti për t’u përballur edhe me sfidat më makabre në një shtet demokratik. Ju keni dëshmuar që jeni mbrojtës të ligjeve”, tha ministri Hyseni.

Ai me këtë rast ka uruar edhe përfaqësuesen e Kosovës në futboll për lojën që kanë treguar mbrëmë gjatë ndeshjes me Finlandën.

Ndërsa drejtori i Policisë Shpend Maxhuni tha se entuziazmi i treguar i djemve dhe vajzave kanë bërë që të krijohen themele të forta të Policisë së Kosovës para 17 viteve.

“Ishim me fat që kemi profesionistë ndërkombëtarë që na ndihmuan në  konsolidimin e Policisë. Sukseset  e Policisë krahasohen me suksese  të Policive të vendeve shumë të zhvilluara botërore”, tha Maxhuni.

Për nder të 17 vjetorit të themelimit të Policisë u ndanë medalje për policët e dalluar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat