VV: Policia e klanit Pronto ka arrestuar aktivistin Lirim Gashi

Aktuale

VV: Policia e klanit Pronto ka arrestuar aktivistin Lirim Gashi

Më: 11 shtator 2016 Në ora: 23:23
Lirim Gashi

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se është arrestuar aktivisti Lirim Gashi nga Policia e Kosovës për shkak të pjesëmarrjes në aksionin e rrotullimit të xhipave të EULEX-it, në vitin 2009.

Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje që të bëhet lirimi i menjëhershëm i aktivistit Gashi, si dhe për ndaljen e këtyre arrestimeve ndaj aktivistëve .

“Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Lirim Gashi, për të treguar edhe njëherë se është fund e krye në shërbim të pushtetit. Dhe kësisoji, po e ndihmon pushtetin ta shndërrojë Kosovën në një vend totalitar.

Aktivisti Gashi është arrestuar për shkak të pjesëmarrjes në aksionin e rrotullimit të xhipave të EULEX-it, aksion ky i vitit 2009. Policia vazhdon të merret me raste të tilla të para shumë viteve, e asesi të ndërmarrë diçka në lidhje me krimet e klanit Pronto apo strukturave paralele të Serbisë.

Bëjmë thirrje për lirim të mënjehershëm të aktivistit Gashi, si dhe për ndaljen e këtyre arrestimeve. Këto maltretime dhe kjo shtypje ndaj aktivistëve tanë, s’do të ndalë në asnjë moment përpjekjen tonë për çkapjen e institucioneve dhe çlirimin e shteti nga klani Pronto. Me vendosmëri do të angazhohemi për shtetin e së drejtës dhe kundër kësaj kaste kriminale”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat