Veseli: Pa praninë e boshnjakëve dhe turqve, Prizreni nuk do të ishte çfarë është

Aktuale

Veseli: Pa praninë e boshnjakëve dhe turqve, Prizreni nuk do të ishte çfarë është

Më: 28 shtator 2016 Në ora: 21:29
Kadri Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka marrë sot pjesë në një manifestim të organizuar në Prizren me rastin e 28 shtatorit - Ditës së boshnjakëve.

Duke i uruar qytetarët boshnjakë dhe përfaqësuesit këtij komuniteti për ditën e tyre, Veseli ka thënë se rrugëtimi për një Kosovë të zhvilluar dhe me mirëqenie për të gjithë qytetarët e saj, ishte dhe është i përbashkët, bën të ditur një komunikatë nga Kuvendi. 

Veseli ka thënë se "këto marrëdhënie, të ndërtuara gjatë kësaj ecjeje të përbashkët, sot janë shembull se si një vend, dallimet e veta etnike i konsideron vlerë dhe pasuri shpirtërore, por edhe fuqi krijuese dhe zhvillimore".

“Çdo herë do ta kujtojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë dhe sfidat në kohërat më të vështira, gjatë ndërtimit të shtetësisë, institucioneve dhe shoqërisë tolerante, për të gjithë qytetarët. Ne jemi në partneritet të ngushtë gjatë veprimtarisë së përditshme politike e shoqërore, dhe për këtë jemi krenarë”, është shprehur Veseli.

Veseli ka thënë se që nga dita e parë e marrjes së detyrës së kryetarit të Kuvendit, është angazhuar personalisht që bashkëpunimi të jetë i përditshëm, me qëllim të përmirësimit të gjendjes në të gjitha nivelet, posaçërisht të cilësisë së jetës së çdo familjeje boshnjake dhe të komuniteteve të tjera pa dallim, njofton komunikata.

Veseli ka falënderuar komunitetin boshnjak për kontributin e jashtëzakonshëm institucional në forcimin e shtetësisë së Kosovës, duke thënë se angazhimi i pjesëtarëve të këtij komuniteti dhe atij turk në shoqëri është shumë i rëndësishëm.

“Gjendemi në Prizren dhe kjo nuk është rastësi, sepse pa praninë e boshnjakëve dhe turqve, ky qytet nuk do të ishte çfarë është, me shumë kultura dhe tolerancë. Qyteti i Prizrenit është krenaria jonë dhe është model jo vetëm për vendin tonë, por për regjionin. Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë, të ndërtojmë së bashku Republikën e Kosovës dhe të ecim në rrugëtimin euro-atlantik”, ka thënë Veseli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat