AAK heq “vijat e kuqe” ndaj PDK-së, e gatshme për koalicion

Aktuale

AAK heq “vijat e kuqe” ndaj PDK-së, e gatshme për koalicion

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 shtator 2016 Në ora: 09:27
Foto arkiv, mbeldhje e AAK-së

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare sipas kushtetutës do të mbahen pas dy viteve.

Ka pasur deklarata nga ana e opozitës vendi se do të shkojë shumë shpejtë në zgjedhje të parakohshme, pasi që me mos ratifikimin e demarkacionit, kjo qeveri humb legjitimitetin.

Mirëpo këto deklarata i kanë hedhur poshtë përfaqësuesit e pozitës.

Sipas pozitës mos kalimi i demarkacionit as nuk do ta çojë vendin në zgjedhje e as nuk do ta prishë koalicionin qeverisës.

Koalicioni PDK-LDK do të vazhdojë edhe më tutje deri në zgjedhjet e reja.

Se mos votimi i demarkacionit nuk do të ndikojë në prishjen e partnerëve të koalicionit, ishte shprehur edhe deputeti Arben Gashi, nga radhët e LDK-së.

Sipas deputetit Gashi, demarkacioni nuk ka ndikuar që të formohet qeveria, prandaj nuk do të ndikojë që të prishet qeveria, e vendi të shkoj në zgjedhje.

“Çështja e demarkacionit as nuk ka qenë çështje që e ka formu qeverinë as nuk mundet me e prishë qeverinë” u shpreh Gashi.

E, në anën tjetër lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij nuk do të vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik, madje as ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai kishte kritikuar qeverisjen e Kryeministrit, Isa Mustafa, duke thënë se ai është i paaftë për ta qeverisur vendin.

Në media shumë herë është përfolur për një koalicion të mundshëm mes Partisë Demokratikë dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të Ramush Haradinajt.

I kontaktuar nga gazeta “Bota sot”, shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti ka thënë që ende nuk kanë menduar për zgjedhje dhe për koalicionet e mundshme.

“ Kohët e fundit nuk kemi diskutuar për zgjedhje e aq më pak për koalicione” është shprehur Pajaziti.

Ndërsa, Avni Arifi, mga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, duke mos dashur të komentojë më shumë për mundësinë e një koalicioni me PDK-në, ai ka thënë se synim e kanë fitoren, duke mos përjashtuar koalicion me PDK-në.

Sipas tij fillimisht është synim fitorja e AAK-së e pas fitores i dedikohen ndryshimit.

“Ne kemi synim fitoren. E nëse i fitojmë zgjedhjet i dedikohemi ndryshimit” ka thënë Arifi për “Bota Sot”.

Ndërsa, analisti Albinot Maloku  një koalicion të mundshëm në mes të PDK-së dhe AAK-së e konsideron më shumë natyrale se sa bashkimi PDK dhe LDK.

Maloku thotë se PDK dhe AAK mund të formojnë një koalicion pas zgjedhjeve mirëpo jo në një koalicion parazgjedhore.

 “Rekomandimet e njohësve të proceseve politike në vend për koalicion mes PDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë qenë prezente shumë kohë më parë, mirëpo tani këtë koalicion nuk do ta konsideroja të frytshëm. PDK dhe AAK konsiderohen shumë të mëvetësuara mes vete për tu ngjitur në një koalicion parazgjedhor, kurse pas zgjedhjeve do të mund të kishin ndonjë raport” u shpreh Maloku.

Maloku këtë bashkim e shikon shumë më natyralë se që është bashkimi i PDK-së dhe LDK-së.

“Bashkimin e PDK-së dhe të AAK-së e kam konsideruar shumë më natyral sesa të PDK-së dhe LDK-së siç është tani. Fatkeqësia ndodhi kur LDK-ja e cila ishte kundërshtarja më e madhe e partneritetit me PDK-në hyri në koalicion dhe u krijua qeveria Mustafa” theksoi Maloku.

Sipas Malokut është Partia Demokratike e Kosovës ajo që nuk ka pasur asnjëherë vija të kuqe për të lidhur koalicion me partitë tjera.

“Partia Demokratike e Kosovës nga subjektet politike të angazhuara në jetën politike të vendit, është subjekti i cili nuk ka pasur asnjëherë vija të kuqe, kur kanë qenë në pyetje koalicionet me subjektet tjera politike. Konfrom kësaj, është konsideruar deri më tani partia politike më pragmatiste në Kosovë” potencoi Maloku.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat