Komisioni për Siguri kërkon informata nga Maxhunin dhe Hyseni për arrestimin e Thaçit

Aktuale

Komisioni për Siguri kërkon informata nga Maxhunin dhe Hyseni për arrestimin e Thaçit

Më: 5 tetor 2016 Në ora: 10:21
Komisioni për Siguri dhe Punë të Brendshme

(E plotësuar) - Komisioni për Siguri në Kuvendin e Kosovës e ka diskutuar arrestimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi nga policia e Serbisë, ku kanë kërkuar që në një mbledhje të ardhshme të ftohet ministri Skënder Hyseni dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni që të raportojnë lidhur me arrestimin e tij.

Fillimisht, në mbledhje të këtij komisioni kishte propozime që të bëhet thirrje të ndërpriten bisedimet me Serbinë pas të gjitha arrestimeve dhe ndalimeve policore të ish pjesëtarëve të UÇK-së nga policia serbe.

Ganimete Musliu e cila edhe e kishte propozuar këtë  mbledhjeje, tha se ky rast nuk është i vetmi dhe se pas kësaj nuk ka asnjë arsye që bisedimet të vazhdohen.

Musliu: Të ndërpriten bisedimet

“Rasti i Nehat Thaçit nuk është rast i izoluar dhe nuk është rast i vetëm, ne e kemi pas raste tjera kur me procedura tjera ose thjeshtë nga këto lista kemi pas të arrestuar ose thjeshtë të ndaluar edhe tjerë të cilët pa të drejtë janë mbajtur 2 ose 3 ditë e kemi rastin e fundit të gjeneralit Haradinaj që u ndal në Slloveni, e kemi pas rastin kur është ndal edhe presidenti i tanishëm zotëri Thaçi e kështu me radhë. Unë konsideroj që nuk ka më asnjë vlerë që ne të vazhdojmë bisedimet deri sa kemi raste të tilla”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, në fund të takimit u nxjerr një deklaratë e përbashkët, ku nuk u fut në tekst edhe thirrja për ndërprerje të bisedimeve.

Daut Haradinaj i dha disa propozime të cilat u përkrahën nga anëtarët e tjerë të komisionit.    

Haradinaj: Kërkojmë lirimin e oficerit Thaçi

“Komisioni për punë të brendshme dhe mbikëqyrjen e FSK-së duke e ndjekur me shqetësim arrestimin e oficerit të policisë së Kosovës nga autoritetet serbe, shpreh shqetësimin dhe revoltën e skajshme ndaj shtetit, këtu është një gabim, ndaj veprimit, jo shtetit serb, komisioni kërkon që urgjentisht të lirohet oficeri Nehat Thaçi dhe i bënë thirrje autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare që të ushtrojnë trysninë e tyre ndaj Beogradit zyrtar për ta liruar këtë oficer dhe ndërprerë praktikat e mentalitetit të vjetër. Ndërtimi i raporteve ndërshtetërore po dëmtohet seriozisht me sjelljet e tilla. Rruga integruese e shtetit tonë është duke u dëmtuar seriozisht me veprimet politike kundër uniformës së policisë dhe e theks të veçantë në rastin e fundit”, tha ai.

Ndërsa, Rexhep Selimi propozoi që të futet edhe ndërprerja e bisedimeve në këtë deklaratë.

Selimi: Insistoj që të futet në deklaratë ndërprerja e bisedimeve

“Edhe një herë po insistoj në atë çfarë thash, çfarë kërkova që në këtë tekst të futet edhe ajo çfarë u tha jo vetëm nga unë, refuzimi  i Kosovës në raport me Serbinë dhe po ashtu paragrafi i tretë ndërtimi i raporteve ndërshtetërore po dëmtohen, unë mendoj që ndoshta më mirë do të ishte po pamundësohet të ndërtohen se sa po.. nuk ka marrëdhënie nuk çka dëmtohet, nuk po dëmtohen se nuk ekzistojnë, nuk ka marrëdhënie Kosovë-Serbi”, theksoi Selimi.

Deputeti i LDK-së Anton Çuni  mendon se tek ndërprerja e bisedimeve komisioni duhet të jetë më i kujdesshëm.

Çuni: Tek ndërprerja e bisedimeve duhet të jemi më të kujdesshëm

“Është me vend që ne nuk kemi raport aq të nivelit të mirë, do të thotë ky u arrestim është një lloj sabotimi i ndërtimit të raporteve fqinjësore. Ndoshta arrestimi i zotit Thaçi është arsyeja që të ndërpriten bisedimet, ndoshta vet Serbia nuk ka dëshirë që t’i vazhdojë bisedimet edhe pse të gjitha këto bisedime po shkojnë në favor të politikave të Serbisë. Prandaj tek kjo çështje kisha me qenë shumë i kujdesshëm që komisioni jonë të përmbahet do të thotë dhe të lihet në diskrecionin e autoriteteve të Kosovës që të udhëheqë këtë procedurë”, deklaroi ai.

Mbledhja e radhës e Komisionit për Siguri pritet të mbahet nesër ose pasnesër, varësisht si pajtohen anëtarët e këtij komisioni, duke e ftuar edhe drejtorin e Policisë Shpend Maxhuni dhe ministrin e MPB-së, Skënder Hyseni që të njoftohen më mirë rreth këtij arrestimi dhe hapave të ardhshëm.

Hyseni dhe Maxhuni të raportojnë për arrestimin e Thaçit

Anëtarët e Komisionit për Siguri dhe Punë të Brendshme pas një debati të gjatë në lidhje me arrestimin e Nehat Thaçit janë dakorduar që ta ftojnë në një raport drejtorin e Policisë Shpend Maxhuni dhe ministrin e Punëve të Brendshme Skënder Hyseni.

Për mbajtjen e kësaj mbledhje ku do të raportonin Maxhuni dhe Hyseni anëtarët e Komisionit do të njoftohen sot në orën 15:00.

Deputetët kërkojnë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë deri në lirimin e Thaçit nga paraburgimi

Komisioni për Punë të Brendshme është mbledhur për të diskutuar çështjen e arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës në Mitrovicë Nehat Thaçi, nga Policia e Serbisë.

Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu i ka bërë thirrje ministres për Dialog që të ndërpresë të gjitha bisedimet me palën serbe përderisa nuk ndodh lirimi i Thaçit nga paraburgimi.

Musliu po ashtu tha se të nxirren nga lista e kërkimeve të gjithë  zyrtarët shtetëror që kanë të bëjnë me vitet 1998-99 pasi që siç tha ajo rasti i Nehat Thaçit nuk është rast i izoluar pasi që edhe në raste tjera kanë ndodhur arrestime të ngjashëm të shtetasve të Kosovës nga ana e Serbisë.

 “Unë konsideroj se nuk ka asnjë vlerë të vazhdojmë bisedimet me Serbinë derisa ndodhin raste të tilla”, tha Musliu.

 Në lidhje me këtë arrestim shqetësimin e tyre e kanë shprehur edhe anëtarët e tjerë të komisionit.

***

Komisioni për Punë të Brendshme diskuton për arrestimin e Nehat Thaçit

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së do të diskutojë sot lidhur me arrestimin nga Serbia të pjesëtarit të Policisë së Kosovës, nënkolonel Nehat Thaçi.

Në një njoftim për media, bëhet e ditur se mbledhja e Komisionit mbahet sot në orën 11:00, në sallën S-2.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat