Mijëra qytetarë marrin pjesë, Llapushniku nga sot e ka Kishën Shën Abraham

Aktuale

Mijëra qytetarë marrin pjesë, Llapushniku nga sot e ka Kishën Shën Abraham

Më: 9 tetor 2016 Në ora: 08:34
Kisha e Shën Abrahamit

(E plotësuar) - Llapushniku sot ishte pikë takimi i qindra besimtarëve katolikë të Kosovës. Në këtë fshat të Drenicës është shuguruar kisha e re e cila prej sot quhet Kisha e Shën Abrahamit.

Përveç besimtarëve në ceremoninë  e shugurimit kanë marrë pjesë edhe krerë të institucioneve të Kosovës, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ministrat e Qeverisë së Kosovës Enver Hoxhaj dhe Kujtim Shala, kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku si dhe personalitete tjera të jetës publike.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, i cili edhe e ka udhëhequr mesëhn tha se Llapushniku është vend i mrekullueshëm për të pasur një kishë të tillë.

Dodë Gjergji ka dhënë edhe arsyen e ndërtimit të kishës në njërën nga kodrat e Llapushnikut. Sipas tij në historinë e fesë dhe  kombit shqiptar, kodrat, malet, bregu kanë domethënie shumë të rëndësishme.

Gjergji gjatë fjalës së tij kërkoi që të  gjithë njerëzit të jetojnë në paqe, pasi që sipas tij, paqja dhe dashuria  duhet të zënë vend në çdo pore të jetës.

Image

Gjergji: Kisha universale e ka ngrit popullin shqiptar në piedestalin e popujve të nderuar

“Papa Françesku e pat shpallë këtë vit, vit të mëshirës dhe e ka ftuar të gjithë njerëzimin, të gjithë njerëzit vullnetmirë në këtë botë që të reflektojnë në mendjen dhe zemrat e tyre e të gjejnë guximin për të bërë kthesën e duhur drejt se vërtetës dhe mëshirës së Zotit, i cili na do dhe na fal... Kohët e fundit Zoti ka shpërblyer popullin tonë me shumë të mira dhe begati shpirtërore... Kisha universale e ka ngrit popullin shqiptar në piedestalin e popujve të nderuar sidomos në këtë vit sepse na ka nderuar shumë duke ia propozuar botës bujarinë  e zemrës shqiptare dhe shpirtin e krishterë si mënyrën më të mirë të dashurisë mes njerëzve”, tha Gjergji.

Duke përgëzuar besimtarët katolikë të kësaj pjese për punën e bërë, Dodë Gjergji tha se e kanë pranuar propozimin e tyre që kisha të ndërtohet në kodër.

Ipeshkvi Gjergji ka ftuar të gjithë njerëzit e Kosovës që dashuria dhe paqja të zënë vend në zemrat e tyre, pasi që sipas tij pa paqe nuk ka as popull e as shtet.

Gjergji: Nuk ka liri, shtet as komb pa paqe

“Paqja dhe liria pa dashuri janë shterpë, këndej për të çliruar frytet e lirisë dhe paqen me dashurinë, lypet që paqja dhe dashuria të zënë vend në çdo pore të jetës, në mendje dhe në zemra të secilit në familje dhe në shoqëri, në qyteza dhe në fshatra, në kisha dhe në xhamia. Pa paqe as s’ka shpi, as s’ka kishë, as s’ka xhami, as s’ka popull e as s’ka shtet. Paqja duhet të shtrihet në atë masë, saqë të respektohet liria shpirtërore e njeriut që të jetë i lirë”, tha Gjergji. 

Duke folur para të pranishmëve kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se shqiptarët kanë disa fe por kanë vetëm një Zot dhe një komb ku sipas tij në këtë drejtim janë të bashkuar.

Don Marianit që do ta udhëheq Kishën Shën Abraham i tha se të jetë i privilegjuar që është drejtues i kësaj kishe.

Madje ai i tha se kolegët e tij sigurisht se janë xhelozë se nuk e kanë një kishë kaq të bukur.

Image

Veseli: Ne shqiptarët kemi disa fe por kemi një Zot

“Don Marian, ne shqiptarët kemi disa fe por kemi një Zot dhe një komb dhe jemi shumë të bashkuar në këtë drejtim. Lutu Don Marian, këtë kishë shumë të shenjtë, këtë shtëpi të Zotit, lutu për vendin tonë, lutu për kombin tonë, lutu për familjet tona të kemi më shumë paqe të kemi më shumë mirësi të kemi më shumë dashuri për njëri-tjetrin, ta duamë edhe më shumë vendin tonë se kemi pasur shumë sakrifica Don Marian, këtë vend ku je këtu, ipeshkvi e tha shumë mirë, i përmendi  edhe dhjetëra  histori e janë me qindra e mijëra pse njerëzit afrohen tek kodrat e mëdha... Këtu don Marian, djemtë më të mirë të Kosovës, djemtë më të fortë të Drenicës, ata djem të cilët i ki edhe me veti, ata të cilët i ki në besimin katolik edhe ata të cilët janë të besimit tjetër, të cilët janë të Llapushnikut kanë qenë djemtë më të fortë dhe e kanë mbrojt këtë vend, i kanë mbrojtë këto gryka mos me mujt me depërtua me u dëmtua fëmijët tanë, familjet tona, nderi i motrave tona.. Ky është vend i shenjtë, Drenica është vend i besës, nuk ki pak besimtarë e ki krejt  Drenicën vetëm përço mesazhin e dashurisë dhe të paqes për arsye se ne jemi të gjithë bashkë”, tha Veseli, gjatë fjalës së tij.

Ndërsa kryetari i komunës së Drenasit Nexhat Demaku tha se shqiptarët shquhen për tolerancë fetare ndërmjet vete dhe se janë shembull për të gjithë tjerët.

Kryetari i  Drenasit, Nexhat Demaku tha se populli jonë është shembull i tolerancës fetare.     

Demaku: Shqiptarët kanë më shumë se tolerancë fetare

“Populli jonë me krenari është shembulli i tolerancës fetare dhe për këtë gëzon mirënjohje dhe mbështetje në opinionin e jashtëm përparimtar. Çdo ditë në përditshmërinë tonë shohim të rinj e të reja të besimeve të ndryshme  të bukur të hareshëm me plot energji për të ecur përpara duke promovuar më shumë sesa çdo objekt fetar... Gjatë vizitës së tij në Tiranë Papa Francesko ndër të tjera thoshte ‘ shqiptarët kanë më shumë se tolerancë fetare, ju keni arritë vëllazëri fetare dhe jeni shembull për të gjithë’. Unë ndihem krenar për këtë vlerë të vendit tonë që nuk është meritë vetëm e gjeneratës tonë po meritë e shumë brezave që me sakrificë e ndërtuan gjatë shekujve këtë vlerë humane dhe madhështore që kalon përmasat e një kombi e që është e ardhmja e njerëzimit”, tha Demaku.

Kisha katolike në Llapushnik ka filluar të ndërtohet para një viti ndërsa për një kohë të shkurtër punimet e saj janë pezulluar pasi që ka pasur kundërshtime nga banorët tjerë. Madje pati pasur edhe protesta nga banorët myslimanë pasi që ata nuk kanë qenë kundër ndërtimit të kishës por kundër ndarjes së lokacionit për ndërtim.

Sipas krerëve të BIK-ut në Drenas zona ku është vendosur të ndërtohet kisha është zonë ku janë zhvilluar beteja të rëndësishme mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të ushtrisë dhe policisë serbe.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, mori pjesë në ceremoninë e shugurimit të kishës “Shën Abrahami”, në Llapushnik të Drenasit.

Në fjalën e tij të rastit, kryeparlamentari Veseli ditën e sotme e konsideroi të veçantë për besimtarët katolikë të Llapushnikut dhe për të gjithë qytetarët e këtij vendi - simbol i luftës së UÇK-së.

Kryetari Veseli tha se Kosova mburret me atë që të tjerët e quajnë tolerancë ndërfetare, por që në fakt, është diçka më e madhe se toleranca: është bashkjetesa midis qytetarëve të besimeve të ndryshme. Sondazhi, shtoi kryeparlamentari Veseli, tregon se qytetarët e Kosovës janë qytetarët me solidarë, jo vetëm rajon, por në nivel evropian e global, për të cilën, meritë të veçantë kanë udhëqësit fetarë të të gjitha besimeve tona.

“Për ne, feja gjithmonë ka pasur kuptimin e paqes, mirëkuptimit, solidaritetit dhe humanizmit. Prandaj, nuk është e rastësishme që nga kjo tokë e bekuar doli edhe simboli më i madh i bamirësisë në botën bashkëkohore, Nënë Tereza. Ne do të vazhdojmë të jemi bashkatdhetarë të denjë të saj, duke ruajtur dhe kultivuar traditën e harmonisë fetare, e cila gjithandej botës po i habitë njerëzit që punojnë për paqen dhe mirëkuptim midis popujve dhe religjioneve. Ne do të vazhdojmë t’i ruajmë si pasuri kombëtare, identitetet e ndryshme fetare të vendit tonë”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në këtë mënyrë, shtoi kryetari i Kuvendit, po garantohet e ardhmja e vendit tonë, zhvillimi dhe integrimi i tij në familjen e shoqërive të lira dhe demokratike, duke dhënë, gjithashtu, shembullin se si bota mund të qëndrojë e bashkuar në dallimet e saj.

“Në fund dua të them dy fjalë për qytetarët e Llapushnikut. Nga sot, krenarisë suaj si fshat i rezistencës për liri, i shtohet edhe krenaria e të qenit fshat i bashkëjetesës fetare. Qëndroni të bashkuar në këto vlera, sepse Kosova krenohet me ju. Urime dhe e gëzofshi këtë tembull të ri”, tha në fjalën e tij, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. 

Image

Mijëra qytetarë po marrin pjesë në shugurimin e Kishës së Llapushnikut

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka deklaruar se paqja ndërtohet vetëm duke respektuar kishën e xhaminë, duke dashur njëri-tjetrin dhe duke respektuar shtetin

Në Llpaushnik të Drenasit po mbahet mesha për shugurimin e kishës së “Shën Abrahamit”. Mesha po udhëhiqet nga Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

Gjergji ka deklaruar se nuk ka paqe pa dashuri, pa kisha e xhami dhe pa shtet. Ai ka shtuar se Zoti i ka krijuar njerëzit të jenë të lirë dhe jo të sundohen.

Pse duhet të përpiqemi që t’ia okupojmë shpirtin njëri-tjetrit dhe të mos lejojmë që të jetojmë të lirë. Një mysliman dhe një i krishterë mund të jetojnë në paqe. Për këtë jemi dëshmitarë, disa i janë kthyer fesë së të parëve, që do të thotë të krishterë, dhe disa kanë vendosur që të jenë mysliman, fesë së baballarëve dhe nuk ka asgjë të keqe”, ka deklaruar Gjergji.

Image

“Ky identitet fetar dhe kombëtar që na bashkon, na jep neve të gjithëve domethënie të veçantë para botës”.

“Simboli i sakrificës së Jasharajve, në vend të kullave, vendi është rrethuar me varre. Ata janë shembulli më i mirë i artit të jetuarit pa nënshtrim ndaj okupimit”.

Fillon mesha në Llapushnik

Qindra besimtar katolik po marrin pjesë në shugurimin e Kishës së Shën Abrahamit në Llapushnik të Drenicës.

Meshën e shugurimit e ka nisur ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji. Ndërsa, pas meshës pritet të mbahet një program kulturo-artistik i ansambleve dhe grupeve folklorike nga të gjitha trevat shqiptare.

Sot bëhet shugurimi i Kishës në Llapushnik të Drenicës

Image

Sot në Llapushnik të Drenicës, do të bëhet shugurimi i Kishës së Shën Abrahamit.

Pas meshës së shugurimit të cilën do të udhëheqë ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, do të mbahet një program kulturo-artistik i ansambleve dhe grupeve folklorike nga të gjitha trevat shqiptare.

Në këtë manifestim, do të marrin pjesë kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli,  personalitete nga Gjermania dhe Zvicra, si dhe përfaqësues të ambasadave dhe e KFOR-it.

Sot po ashtu, del në shitje libri "Thirrja e Këmbanave", i autorit Ismet Sopi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat