Reciprocitet me Serbinë, të arrestohet Marko Gjuriqi!

Aktuale

Reciprocitet me Serbinë, të arrestohet Marko Gjuriqi!

Më: 11 tetor 2016 Në ora: 16:29
Kuvendi

(E plotësuar) - Numri i pamjaftueshëm i deputetëve pjesëmarrës në seancën e jashtëzakonshme, ka ndikuar që Kuvendi i Kosovës të shtyjë miratimin e Rezolutës me të cilën do të kërkohej lirimi i menjëhershm i Drejtorit rajonal të Policisë, Nehat Thaçi, i cili po mbahet nën masën e arrestit në Serbi.

Pas afër katër orë diskutimesh, deputetët vendosën që teksti i rezolutës të përpilohet nga një grup i deputetëve, në përbërje nga shumica e partive parlamentare.

Kurse votimi i saj, pritet të ndodhë të mërkurën, ngaqë të martën pjesëmarrja në seancë ishte tejet minimale.

Thaçi është arrestuar më 29 shtator në vendkalimin kufitar në Konçul dhe me vendimin e një gjykate të lartë në Nish, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ai akuzohet nga autoritet serbe, për siç thuhet, veprën penale për largimin e një familje serbe nga Kosova, në Komunën e Lipjanit.

Mustafa: Arrestimi i Thaçit akt politik

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Drejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili u arrestua në Serbi, ishte atje për punë private.

“Ne e konsiderojmë që është një akt politik de nuk është në harmoni me vullnetin e Kosovës për të ecur përpara në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Thaçi është qytetar i Kosovës, udhëtimi i tij përmes Serbisë sipas informacioneve që kam si kryeministër nuk ka qenë udhëtim zyrtar, nuk ka qenë në cilësinë e zyrtarit, por ka qenë një udhëtim privat dhe ka udhëtuar si qytetar i Kosovës”.

“Totalisht janë të papranueshme sjelljet e Serbisë dhe akuzat që atyre ju bëhen për vepra të cilat nuk i kanë bërë, pasi ne kemi kërkuar nga Serbia përmes ministrive tona, ministrisë së Drejtësisë dhe autoriteteve ndërkombëtare përmes ministrisë së jashtme që Thaçi të kthehet në Kosovë”.

Nesër seancë për miratimin e draft-rezolutës për Thaçin

Për nesër është caktuar një seancë ku pritet që Kuvendi të miratojë një rezolutë në lidhje me arrestimin e drejtorit të Policisë Nehat Thaçi.

Për këtë arrestim sot Kuvendi mbajti një seancë të jashtëzakonshme ku u kërkuar lirimi i tij por nuk munguan as kritikat nga partitë e opozitës në drejtim të Qeverisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli tha se nesër në orën 10:00 do të ketë seancë ndërsa u bëri thirrje deputetëve që të jenë në Kuvend në të kundërtën nuk do të marrin mëditje.

Kurti: Thaçi, viktimë e besimit të tij në Qeverinë e Kosovës

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti duke folur në seancën e jashtëzakonshme lidhur me arrestimin e drejtorit të Policisë Nehat Thaçi tha se ky debat mund të jetë i vonuar dhe sigurisht që është i vonuar.

“Debati që po ndodh sot në Kuvend është mungesë e veprimeve të Qeverisë së Kosovës”, tha Kurti.

Sipas tij  nëse bisedimet nuk janë sipas kushteve të Kosovës atëherë ato janë sipas kushteve të Serbisë dhe kushtet në Bruksel kanë qenë ato të Serbisë.

“Dhe teksa nuk ka ndodh as normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë, krerët e Kosovës flasin për etapën dhe fazën në vijim. Ata e quajnë pajtim.  Ne me Serbinë nuk pajtohemi”, tha Thaçi.

Kurti tha se Nehat Thaçi ka besuar në deklaratat e Qeverisë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe siç tha Kurti: Ai është viktimë e besimit të tij në Qeverinë e Kosovës e posaçërisht në Edita Tahirin”. 

Gaxherri dhe Haxhiu kapen me fjalë

Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së AAK-së Teuta Haxhiu, e cila tha se Gaxherri po luan rolin e zëdhënëses së Qeverisë.

Gaxherri tha se nuk është zëdhënëse e Qeverisë por kur bëhet fjalë për shtetin ajo tha: Po jam e Qeverisë kur duhet, jam e opozitës kur duhet dhe e popullit kur duhet. Ne nuk i kontribuojmë Nehat Thaçit në këtë formë”, tha Gaxherri. Sipas saj kjo çështje është e ndijshme dhe se janë institucionet që duhet të merren me të.

Inicimin e kësaj seance Gaxherri e ka quajtur gabim dhe se shpeshherë sipas saj po bëhen patriotizma.

Reagimin e Gaxherrit ia ka kthyer Haxhiu e AAK-se duke i thënë: Mund të jesh zëdhënëse e Qeverisë por e opozitës asnjëherë. U mundova ta kuptoj çfarë the por nuk kuptova asgjë se asgjë nuk the”.

E menjëhershme ishte përgjigja e  Gaxherrit. “ E kam të qartë se ti nuk kupton kurgjo”, i tha Gaxherri, Haxhiut.

Teuta Haxhiu ia tregon vendin ministres së Drejtësisë

Deputetja e AAK-së i ka tërhequr vërejtjen ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxhës, pasi që ajo kishte lëshuar karrigen e saj dhe kishte shkuar të ulet bashkë me deputetët e PDK-së.

“Ju duhet ta dini detyrën tuaj”, i tha Haxhiu, Hoxhës.

 Por kryetari i Kuvendit Kadri Veseli i tha asaj se ishte ai që i ka dhënë leje që Hoxha të ulet aty.

 Pas kësaj ministrja e Drejtësisë shkoi u ul në vendin e saj.

Brovina: Serbia po fshikullon me kamxhikun e luftës

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Flora Brovina, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës lidhur me arrestimin e nënkolonelit, Nehat Thaçi, tha se burgosja e tij është provokim.

“Prej nga kjo e drejtë që Serbia të arrestoi qytetarë tanë? Ndalesa e qytetarëve tanë në shtetin serb po tregon për forcën që ka ajo. Por, Serbia nuk po tregon se ku janë të zhdukurit. Ajo nuk po kompenson dëmet e luftës. Serbia po fshikullon me kamxhikun e luftës”, ka thënë Brovina.

Ajo ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të nënkolonelit Thaçi, ndërsa për arrestimin  e tij, ajo kërkoi që të lajmërohen edhe instancat ndërkombëtare.

“Kosova duhet të ketë emrat e kriminelëve, edhe pse nuk është pjesë e Interpolit, por të paktën të dihet kush janë dhe ne t’i njohim ata”, deklaroi Brovina.

Brovina shtoi se bisedimet janë rrjet i ndërtimit të paqes, por për të qenë të mirëfillta, duhet të respektohen marrëveshjet e dy palëve.

Tërmkolli: President, kryeministër, kryetar Kuvendi, dilni zot vendit tuaj

Deputetja e LDK-së Melihate Tërmkolli tha se ajo çfarë po ndodhë është brengosëse sepse Serbia po vazhdon të bëjë agresion nga të gjitha anët dhe sipas saj ka mbetur vetëm edhe një sulm.

“Kjo nuk është vetëm një retorikë e fjalëve sepse gjenocidi kundër shqiptarëve dhe gjitha luftërat në  ish-Jugosllavi kanë filluar me këto retorika. Nuk di ku është Bashkimi Evropian nuk dëgjuam asnjë  reagim të tyre, dhe paramendojeni  nëse Kosova do bënte një gjuhë të tillë kundër Serbisë, jo dy kushte por nuk di çfarë kushtesh do të i bëhej”, tha Tërmkolli.

 Tërmkolli tha se bisedimet me Serbinë që nga fillimi i ka quajtur “pa kokë dhe se Kosova nuk e ka dert se çfarë po fiton”.

 Sipas saj bisedimet duhet të ri dizajnohen sepse bisedimet e tilla Kosovën po e çojnë në kokë pa fund.

“Kam frikë se edhe Trepçën nesër kanë me fut në bisedime dhe nuk do të doja të  tingëlloja si opozitare,  por realiteti është i tillë. Zotëri president, kryetar i Kuvendit,  kryeministër dilni zot këtij vendi.  Zgjidhje tjetër nuk ka. Nuk është fjala vetëm për këtë rast. Kosova ka edhe burra edhe gra që kanë mjaftueshëm dije, kanë mjaftueshëm edhe atdhetarizëm,  ngritje profesionale të bëjnë çfarë duhet. Këtu nuk ka asgjë me qeshë,  dhe qesh ai që qesh i fundit”, tha Tërmkolli.

Musliu: Nuk duhet të lejojmë që të na shkelin në qafë kujt t’i teket

Në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për arrestimin e drejtorit të Policisë Nehat Thaçi, deputetja e PDK-së Ganimete Musliu tha se Serbia edhe sot nuk lë gur pa lëvizur për të shantazhuar dhe penguar fqinjët e saj e me fokus atë të Kosovës.

“Shqiptarët po maltretohen nga regjimi fashist serb dhe duhet të punohet që këto fletë arreste të hedhen njëherë e përgjithmonë.

“Ne si popull nuk duhet të lejojmë të na shkelin në qafë kujt t’i teket.  Ne kemi votuar për mandatin e EULEX-it  por ne si Parlament e kemi ulur kokën. Kemi grupin e Drenicës në burg i cili shtyhet për një vit në Gjykatën e Apelit kurse në Mitrovicë ato bëhen me kohë. Dhe ne po heshtim. Por ne duhet ta ngrisim zërin dhe të thërrasim organizatat ndërkombëtare për shkeljen e këtyre të drejtave të qytetarëve”, tha Musliu.

Sipas saj ka ardhur koha të flasim pasi që sipas Musliut “askush përveç neve nuk ia njeh të mira këtij vendi”.

Duke uruar që tahci të kthehet shëndosh në shtëpi Musliu po ashtu u lut që ky të jetë rasti i fundit që ndodhë me qytetarët e Kosovës.

Selimi kërkon reciprocitet me Serbinë: Arrestojeni Marko Gjuriqin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendose Rexhep Selimi tha se nuk është hera e parë që kanë kërkuar nga Qeveria të jap sqarime se qfarë po ndodhë me Nehat Thaçin.

“Po ashtu nuk është hera e parë që nga i njëjti shtet kemi të arrestuar qytetarë të Kosovës. Nuk është hera e parë sepse ka ndodhur edhe arrestimi  i dy policëve në fshatin Dumnicë të Besianës. Unë pres që të kthehet Nehat Thaçi në Kosovë, por kurrë nuk do të doja që të bëhet me atë se çfarë është bërë me dy policët”, tha Selimi.

Selimi tha se ka një zgjidhje për këtë situatë, dhe zgjidhja quhet reciprocitet në çdo fushë.

“Arrestojeni Marko Gjuriqin një njeri qe po sfidon Policinë e Kosovës dhe ligjet e Kosovës dhe ky do të ishte hapi parë i normalizimit të raporteve të Serbisë. Ka 13 ditë që nuk i ndihet zëri Qeverisë së Kosovës për Thaçin de posa u përmenden bisedimet ata reaguan. Një shtet i cili nuk mund ta ndal asnjë kamion që futet nga Serbia në Kosovë nuk pritet qe të lirohet Thaçi”, tha Selimi.

Sipas tij  Nehat Thaçi ka gabuar kur i ka besuar Edita Tahirit që thoshte që situata është e mirë.

“Shpresoj që Nehat Thaçi të ketë mundësinë e parë që të kthehet në Kosovë dhe pas kthimit të tij Qeveria e Kosovës duhet të jap përgjegjësi pse nuk ka lajmëruar njësinë që ai është i rrezikuar në shtetin e Serbisë. Sot e kemi rastin që të tregojmë që jemi shtet dhe ta tregojmë reciprocitet edhe në fushën e sigurisë me shtetin e Serbisë”, tha Selimi.

Hoxha: Thaqi duhet të gjykohet vetëm në Kosovë, nëse ka dëshmi

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në fjalimin e saj në seancën e Kuvendit kushtuar arrestimit të Nehat Thaqit, ka thënë se në rast se ka bazë se Thaqi ka kryer ndonjë vepër atëherë organet e drejtësisë së Kosovës duhet të merren me rastin.

Duhet theksuar se Ministria e Drëjtësisë është në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe më ministrinë e Punëve  të Brendshme lidhur me rastin e Nehat Thaqit.

 “Thaqi duhet të gjykohet vetëm në Kosovë për vepra të kryera në Kosovë, nëse ka dëshmi”, ka shtuar Hoxha.

Hoxhaj: Me rastin e Thaçit jemi marrë intensivisht dhe do të vazhdojmë të merremi më këtë rast

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj tha se që nga dita kur Nehat Thaçi është ndaluar në piken kufitare në Konçul, kjo Ministri është marrë intensivisht por sipas tij Qeveria nuk bën deklaratat, por bën veprime qe të merret me rastet.

“Ne nuk mbrojmë vetëm interesin shtetëror por edhe interesin e qytetarëve. Kur është arrestuar Thaçi ne kemi pas informatë që ai do të lirohet të nesërmen. Por pretendimet e Serbisë janë politike dhe nuk kanë të bëjnë me Thaçin. Kam informatë se si është edhe gjendja fizike edhe shëndetësore e Nehat Thaçit. Kur e kemi pa që është vendosur masa e paraburgimit e kemi parë që arrestimi ka qenë i montuar, i planifikuar dhe që rasti ka kaluar në një situatë tjetër. Çfarë kemi bërë deri më tash? Nën udhëheqjen e kryeministrit  Mustafa kemi pas takime dhe nuk kemi lënë gurë pa lëvizur  në mënyrë që ta lirojmë  Thaçin”, tha Hoxhaj.

 Hoxhaj tha se në këtë rast nuk ka pasur heshtje, por se edhe më tutje do të merren me këtë rast.

Lekaj: Seanca do të ishte e jashtëzakonshme, nëse do të mbahej ditën e arrestimit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka numëruar të gjitha proklamimet, siç i ka quajtur ai, që Qeveria i ka arritur në Bruksel gjatë bisedimeve me Beogradin e që ndryshe është situata në praktikë.

Ai ka thënë se bisedimet që kanë filluar si teknike, po përfundojnë si politike.  

“Kjo seancë do të ishte e jashtëzakonshme, nëse do të mbahej ditën që ka ndodhur arrestimi. Qëndrimi ynë është se bisedimet që kishin filluar si teknike, filluan të bëhen politike. Për të pagjeturit a keni biseduar ndonjë herë, a keni biseduar për pensionistët, për lirinë e qytetarëve si i keni proklamuar shumë po dihet me rastin e  arrestimin e drejtorit të Policisë nga rajoni i Mitrovicës”, tha Lekaj.

Pajaziti: Nehat Thaqi u kidnapua nga Serbia

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti, në seancën e mbajtur në Kuvendin e Kosovës lidhur me arrestimin e Nehat Thaqit, drejtorit të policisë, të arrestuar para disa javëve në Beograd, ka thënë se Prokuroria dhe gjykatat në Serbi, në vazhdimësi po shpallin fletarreste për arrestimin e kosovarëve lidhur me krimet e luftës.

Shefi i PDK-së ka thënë se shteti i Serbisë vazhdimisht po i kidnapon shtetasit kosovarë.

“Serbia në mënyrë klasike po i kidnapon kosovarët në territorin e saj”, ka thënë ai.

Pajaziti ka thënë se institucionet e Kosovës duhet që në procesin e dialogut në Bruksel, Qeveria e Kosovës duhet të diskutojë lidhur me arrestimin e Thaqit.

“Brukseli duhet të jetë i njoftuar për gjithçka që ka të bëjë me lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nëpër Serbi”, ka thënë Pajaziti.

Ai ka shtuar se sa më shpejt institucionet e Kosovës duhet ta kërkojnë lirimin e Nehat Thaqit nga burgu i Beogradit. 

Berisha: Kosova gaboi kur hyri në dialog me Serbinë

Deputeti nga Nisma për Kosovën Zafir Berisha për arrestimin e zyrtarit policor, Nehat Thaçi, ka thënë se dialogu me Serbinë është gabimi më i madh i Kosovës.

“Para se m’u hidhërua me Serbinë, duhet me u hidhërua me vetveten”, tha  Berisha, duke shtuar se  Kosova ka institucione të papërgjegjshme, të cilat nuk e respektojnë as veten,.

 “Gabimi më i madh është se Kosova ka hyrë në dialog me Serbinë, prandaj edhe ndodhin arrestime të tilla”, tha Berisha.

Konjufca: As pas 17 viteve, Qeveria nuk e ka listën e personave që mund të arrestohen në Serbi

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për arrestimin e drejtorit të Policisë për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçin, ka kritikuar Qeverinë, për të cilën ka thënë se që nga pas lufta nuk ka qenë në gjendje të sigurojë listën e personave, që do të mund të arrestoheshin në rast se kalojnë nëpër Serbi.

Ai e ka quajtur dobësi, faktin që Qeveria nuk posedon një listë të tillë.

“Dobësi. Si është e mundur që 17 vite pas çlirimit të Kosovës dhe 8 vite pas  pavarësisë, Qeveria të mos posedoj një listë të të akuzuarve, që tregon persona që arrestohen në rast të kalimit nëpër Serbi. Kjo tregon se në çfarqë niveli të përgatitjes është Qeveria jonë. Prej presidentit të Kosovës e të gjithë atyre që kanë aktakuza prej gjykatës serbe janë 150-300. Sado që janë, Qeveria duhet ta ketë listën në dorë dhe ta publikojë atë. Qeveria është dashur të ndërpres bisedimet me Serbinë dhe të mos i vazhdojë, pasi ata na konsiderojnë armiq, meqë arrestojnë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës”, tha Konjufca.

Kelmendi kërkon ndërprerjen e bisedimeve me Beogradin

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me rastin e arrestimit të drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi nga autoritetet serbe.

Kërkesën për debat e ka bërë deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës , Gëzim Kelmendi.

Nga foltorja e Kuvendit Kelmendi ka kërkuar që pas përfundimit të debatit të nxirret një rezolutë me anë të së cilës mes tjerash kërkon që të ndalen bisedimet në Bruksel ndërmjet Prishtinë dhe Beogradit.

Teksa Kelmendi ka kërkuar ndërprerje të bisedimeve në sallë kanë filluar reagimet e deputetëve, për të cilat Kelmendi u ka rikujtuar atyre deklaratat e sotme të ministrit serb për miniera i cili  ka kërkuar ndërprerje të bisedimeve.

“Në fund të këtij debati të dalim me një rezolutë të përberë nga rekomandimet . Unë si iniciues të hartohet në fund të këtij debati parlamentar propozoj një rekomandim dhe si propozim të parë brenda kësaj rezolute të jetë ndërprerja e menjëhershme e dialogut në Bruksel me Qeverinë e Serbisë. “, tha Kelmendi.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Zenun Pajaziti tha se veprimet e tilla nga ana e Serbisë vazhdojnë të mbesin sfiduese për Kosovën.

“Edhe ky debat që është iniciuar  sot përbën një nga sfidat tona na u imponua në kushte dhe rrethana që nuk kishim nevojë...Ky debat le të shërbejnë dhe të shndërrohet në atë formë që të bëhet përpjekje që të lirohet Nehat Thaçi nga burgu “tha Pajaziti.

Ai ka shtuar se tashmë me veprimet e fundit nga Serbia lënë të kuptohet se asnjë nga qytetarët kosovarë nuk janë të sigurte të udhëtojnë nëpër Serbi.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për Nehat Thaqin

Ka filluar seanca e jashtëzakonshme lidhur me arrestimin e drejtorit të Policisë Nehat Thaçin.

Babai i Nehat Thaqit merr pjesë në seancën e Kuvendit

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ,sapo ka hapur seancën e paraparë të mbahet për arrestimin e Nehat Thaqit.

Veseli ka bërë të ditur se në sallën e Kuvendit ndodhet edhe babai i Drejtorit të Policisë për Rajonin e Mitrovicës Nehat Thaqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat