“Të dy flasin shumë, por Vuçic ishte pesimist”

Aktuale

“Të dy flasin shumë, por Vuçic ishte pesimist”

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 19:57
Rama e Vucic

Kryeministri Edi Rama postoi disa foto nga Samiti i Beogradit për Sigurinë, ku diskutoi me kryeministrin serb, Aleksandër Vuçic me moderimin e gazetarit britanik, Misha Glenny, i njohur për çështjet e krimit dhe problemet e Europës Juglindore.

Të dy shkëmbyen batuta mes tyre.

Vuçiç ishte veçanërisht i shqetësuar nëse Angela Merkel do të vazhdonte të ishte kancelarja e Gjermanisë, pasi e sheh atë si një politikane që ka ndihmuar shumë në përmirësimin e gjërave në rajon.

“Merkel do të zgjidhet sërish, Trump jo,” e qetësoi Rama.

“Ky e di, unë nuk e di,” tha Vuçiç.

Pikërisht në këtë ditë, Donald Trump, kandidat republikan për zgjedhjet presidenciale në SHBA, u kërkonte falje serbëve për bombardimet e NATO-s në Serbi.

Por çfarë thotë moderatori i këtij diskutimi, gazetari Glenny?

Ai thotë se të dy kryeministrave u pëlqen që të flasin me njëri-tjetrin, por edhe i thumbon kur thotë se u pëlqente të flasin shumë.

“Mund të them se kisha vështirësi për t’i ndaluar,” tha ai.

Sipas tij, Vuçic dukej pak pesimist, por tha dy gjëra të rëndësishme: Që Serbia ka marrëdhënie të mira me Rusinë, por Bashkimi Evropian është kursi qendror i qeverisë.

Edhe Edi Rama dha mesazhe të forta për bashkëpunimin e mirë me Serbinë.

“Ata të dy po punojnë shumë për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve”, thotë Glenny.

Për gazetën Blic, ai thekson se Serbia do e njohë Kosovën, ndoshta pas disa vitesh.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat