Nehat Thaçi pritet si hero në Mitrovicë

Aktuale

Nehat Thaçi pritet si hero në Mitrovicë

Më: 7 nëntor 2016 Në ora: 12:56
Pamje nga vendi i ngjarjes

Shumë pjesëtarë të policisë në Mitrovicë nuk kanë arritur t’ia shtrëngojnë dorën drejtorit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nehat Thaçi, i cili sot pak minuta para orës 8:00 ka arritur në vendin e tij të punës.

Strukturat më të larta policore të kësaj drejtorie kishin dalë në pritje të drejtorit të tyre, për t’i uruar mirëseardhje dhe suksese të mëtejme në punën e tij.

“Ndjehemi krenarë me ty drejtor, të lumtë për qëndrimin dhe gjithçka tjetër”, thotë mes tjerash njëri prej udhëheqësve të policisë, pasi e puthë në të dyja faqet Thaçin, i cili u lirua më 1 nëntor nga paraburgimi në Serbi.

Nënkoloneli Thaçi nuk ka pranuar të deklarohet para kamerës, por gjatë bisedës me kolegët e tij, ka porositur ata që pavarësisht arrestimit të tij nga autoritetet e Serbisë, të gjitha komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës të trajtohen barabartë.

Ai kërkoi nga të pranishmit punë dhe angazhim në kryerjen e detyrave, në mënyrë që të arrihen suksese edhe më të mëdha në të ardhmen.

Thaçi: Të gjithë t’i trajtojmë të barabartë

“Më e rëndësishmja është secili me dhënë kontributin tonë, mos me bë krahasime. Të gjitha komunitetet në Kosovë që jetojnë janë banorë të shtetit tonë, ne duhet me i trajtu barabartë, në asnjë mënyrë kjo kohë e imja mos me reflektu negativisht dhe me punu akoma më shumë në mënyrë që vitin e ardhshëm të jemi më të mirë sesa sivjet”, theksoi Thaçi.

Në anën tjetër, avokati Musa Damati, ka bërë të ditur për KosovaPress se arrestimi i Nehat Thaçit, përkatësisht nisja e procedurës penale ndaj tij, dhe vetëm një muaj më vonë mbyllja e rastit nga ana e Prokurorisë Speciale në Beograd, është indikatori më i mirë i cili tregon për regjimin e apart’heidit që ende aplikohet në Republikën e Serbisë.

Sipas tij, institucionet e Republikës së Kosovës duhet të insistojnë që rastet e tilla të zgjidhen me një amnestim të përgjithshëm të të gjithë personave të cilët kanë qenë të involvuar në luftën e Kosovës.

Damati: Regjimi i apart’heidit ende aplikohet në Serbi

“Fillimi ad hoc i procedurës penale, dhe vetëm një muaj më vonë mbyllja e rastit ndaj zotëri Thaçit nga ana e Prokurorisë Speciale në Beograd, është indikatori më i mirë i cili tregon për regjimin e apart’heidit që ende aplikohet në Republikën e Serbisë, dhe procedurat e tilla penale krejtësisht jo juridike janë në kundërshtim të plotë me nenin 5 dhe 14 të konventës evropiane për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Andaj, mendoj se në këtë kontekst, institucionet e Republikës së Kosovës duhet që në mënyrë permanente të insistojnë që rastet e tilla të zgjidhen me një amnestim të përgjithshëm të të gjithë personave të cilët kanë qenë të involvuar në luftën e fundit për krijimin e shtetit të Kosovës”, ka thënë Damati.

Ndryshe, Nehat Thaqi ishte në paraburgim që nga 28 shtatori, kur u arrestua në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë në Nish, dhe pastaj u tranferua në Beograd, ku u mor në pyetje në Prokurorinë për Krim të Organizuar, e cila ka hapur procedurën kundër tij për veprën penale terrorizëm, gjë që ai gjatë intervistimit e ka hedhur poshtë. 

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat