Ministrja Edita Tahiri: Progresi në revitalizimin e Urës e Ibrit është i dukshëm

Aktuale

Ministrja Edita Tahiri: Progresi në revitalizimin e Urës e Ibrit është i dukshëm

Më: 12 nëntor 2016 Në ora: 16:53
Edita Tahiri

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, qëndroi dje në Mitrovicë ku mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët në lidhje me rëndësinë e dialogut të Brukselit për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Në këtë takim që është i gjashti me radhë, i mbajtur gjatë këtij viti, si një dialog i hapur mes Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve nga të gjitha komunitetet në veri të vendit, shqiptarëve, serbëve dhe boshnjakëve, u diskutua për procesin e zbatimit të marrëveshjeve. 
Këto tryeza janë organizuar nga Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore dhe janë mbështetur nga ambasada norvegjeze.


Ministrja Edita Tahiri, njoftoi për zhvillimet më të fundit në dialog dhe theksoi se shumë shpejtë do të finalizohet zbatimi i disa prej marrëveshjeve të rëndësishme. Ajo po ashtu theksoi se së shpejti do të vendoset sistemi unitar i drejtësisë në veri të vendit, do të hapen zyrat e gjendjes civile dhe regjistrit civil për t’i pajisur qytetarët me dokumente të shtetësisë së Kosovës, do të fillojnë punën një numër i madh zyrash të ministrive dhe agjencioneve që kanë fushëveprimtari lokale. 

“Dialogu i Brukselit po mundëson që hap pas hapi të konsolidojmë sovranitetin shtetëror edhe në veri të vendit dhe të normalizojmë gjendjen që është në dobi të qytetarëve të cilët aspirojnë një jetë më të mirë dhe më të sigurtë”, tha ministrja Tahiri.


Ministrja Tahiri po ashtu shprehu kënaqësinë për progresin në revitalizimin e Urës së Ibrit që është i dukshëm dhe konfirmoi se punimet do të kryhen deri më 20 janar 2017 kur edhe hapet ura e Ibrit për qarkullim të lirë dhe të plotë për qytetarët dhe automjetet. “Tashmë janë hequr të gjitha barrikadat që kanë ekzistuar, diku mbi 20 të tilla, ambienti politik dhe ai i sigurisë është përmirësuar dukshëm”, theksoi ministrja.


Ajo tha se punojmë intensivisht me Bashkimin Evropian dhe së shpejti presim lajme të mira edhe për zbatimin e marrëveshjeve që janë në pritje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat