Vrasja e Xhemajl Mustafës, ishte vrasja më tronditëse

Aktuale

Vrasja e Xhemajl Mustafës, ishte vrasja më tronditëse

Nga: P.Rudi Më: 23 nëntor 2016 Në ora: 17:54
Foto arkiv, Presidenti Ibrahim Rugova dhe Xhemajl Mustafa gjatë një konference për media

Analisti dhe publicisti, Skënder Zogaj, në përvjetorin e vrasjes së ish bashkëpunëtorit të Ibrahim Rugovës, dhe ish kolumnistit të gazetës “Bota sot”, Xhemajl Mustafa, ka shkruar se vrasja e Mustafës ishte një nga më tronditëset, pasi që sipas Zogajt vrasja e Xhemajl Mustafës ka qenë e dyfishtë, sepse ia ka dobësuar krahun personalisht Presidentit Rugova.

“Vrasja e Xhemajl Mustafës është nga më tronditëset, sepse, ishte bashkëpunëtori me i afërt i Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe zëdhënësi më besnik i idealeve rugoviane, prandaj, vrasja e Xhemajl Mustafës ka qenë e dyfishtë, sepse ia ka dobësuar krahun personalisht Presidentit Rugova. E gjithë kjo tregon se, vrasësit e Xhemajl Mustafës i përkasin kupolës antidemokratike shqiptare të Kosovës, nëntokës kriminale politike të majtizmit ekstrem të Kosovës, që, në luftën për pushtet ka asgjësuar vlerat më të shenjta njerëzore të Kosovës”, ka shkruar ai.

Ja postimi i tij i plotë:

KOT TE VRANE O XHEM - TI JE I PERJETSHEM

Vrasja e Xhemajl Mustafës është vrasja më makabre e pasluftës në Kosovë, sepse është këputur jeta e njërës nga figurat më madhore kombëtare shqiptare të fillim shekullit 21, është shuar jeta e atdhetarit dhe intelektualit, mendimtarit e politikanit më të mprehtë, të urtë dhe nga më të dobishmit për kauzën kombëtare dhe prosperitetin e shqiptarëve të Kosovës. Pikërisht këto vlera ishin arsyeja e pezmatimit të kundërshtarëve politikë të LDK-së, të cilët ishin të vetëdijshëm se e kishin të pamundur marrjen e pushtetit në konkurrencën me demokratët e profilit të Xhumajl Mustafës, që të vërtetën dhe drejtësinë e kishin vizion për forcimin e kombit dhe prosperitetin e atdheut.

Prandaj, u qëllua Xhemajl Mustafa dhe shumë bashkëmendimtarë të tij, veprimtarët e devotshëm si Enver Maloku, Ahmet Krasniqi, Smajl Hajdaraj, Ismet Raci, Uke Bytyci, Shaban Manaj, e shumë të tjerë që kishin guximin dhe kurajën ta thoshin të vërtetën dhe të punonin për të mirën e vendit. Vrasja e Xhemajl Mustafës është nga më tronditëset, sepse, ishte bashkëpunëtori me i afërt i Presidentit Historik Ibrahim Rugova dhe zëdhënësi më besnik i idealeve rugoviane, prandaj, vrasja e Xhemajl Mustafës ka qenë e dyfishtë, sepse ia ka dobësuar krahun personalisht Presidentit Rugova.

E gjithë kjo tregon se, vrasësit e Xhemajl Mustafës i përkasin kupolës antidemokratike shqiptare të Kosovës, nëntokës kriminale politike të majtizmit ekstrem të Kosovës, që, në luftën për pushtet ka asgjësuar vlerat më të shenjta njerëzore të Kosovës. Këtë bindje e forcon propaganda dhe angazhimi intensiv i kuluareve të caktuara shtetërore, të cilat jo vetëm që nuk janë angazhuar për të zbardhur vrasjet politike, por në vazhdimësi kanë spekuluar në lidhje me vrasjen dhe vrasësit e mundshëm, me qëllim të fshehjes së krimeve.

Kjo del e besueshme sepse, spekulimet janë të afërta me qarqet që supozohet se janë të inkriminuara, qëllimi i të cilave ka qenë mjegullimi i situatës, që është dëshmi trishtuese për shtetasit e Republikës së Kosovës, të cilët nuk mund ta ndiejnë vetën mirë të vetëdijshëm se aty diku afër tyre enden kriminelët, vrasësit e Xhemajl Mustafës. Kjo është gjamë e rëndë, që shoqëria civile dhe veçanërisht, LDK-ja nuk guxojnë të heshtin, sepse, pa zbulimin dhe dënimin e vrasësve të Xhemat Mustafës, Ahmet Krasniqit, Ismet Racit, Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt e të gjitha atdhetarëve të tjerë të devotshëm, nuk mund të ketë Kosovë stabile dhe zhvillim normal të vendit. 

Se ku janë vrasësit është vështirë të thuhet, por nuk ka fije dyshimi se, ata janë midis nesh, të strehuar dhe të mbrojtur nga institucionet shtetërore, të cilave nuk u leverdisën që t’i zbulojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat