Shkelet Ligji, mbi 50 profesorë e doktorë shkencash me nga dy vende pune

Aktuale

Shkelet Ligji, mbi 50 profesorë e doktorë shkencash me nga dy vende pune

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 10:09
Kampusi i Universitetit te Prishtines

Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) ka deklaruar se ka evidentuar 53 profesorë, doktorë të shkencave, të cilët i kanë deklaruar nga dy vende të punës me orar të rregullt. Ndërkohë AKA ka evidentuar se shumë nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, kanë deklaruar rrejshëm kuadro të ‘importuar’ nga Shqipëria e Maqedonia.

Drejtori i AKA-së, Blerim Rexha, i tha kp se ky verifikim ka ardhur pas deklarimeve të çdo viti në Agjenci, ku edhe thuhet se Ligji për Akreditim nuk lejon që një profesorë apo doktorë i shkencave t’i mbajë dy vende të rregullta të punës.

“Procesi i deklarimit të stafit akademik të angazhuar në institucionet të arsimit të lartë është një proces standard, që Agjencia e Kosovës për Akreditim e zhvillon çdo vit, në kuadër të procesit normal të punës, e tani këtë vit më 15 nëntor ka përfunduar procesi i deklarimit të stafit. Ne kemi shikuar listat të cilat i kanë dorëzuar këto institucione të arsimit të lartë dhe jashtëzakonisht jemi të shqetësuar kur në këto lista kemi gjetur gati 53 doktorë shkence që i kanë deklaruar nga dy vende të punës të rregullt në Kosovë, aq më shumë jemi të shqetësuar kur një numër i madh i stafit akademik është importuar vetëm kinse formalisht nga Shqipëria, Maqedonia, dhe vendet tjera, të cilët pretendojnë të zhvillojnë marrëdhënie të rregullt të punës me orar të plotë në Kosovë”, ka thënë Rexha.

Drejtori Blerim Rexha ka deklaruar se Agjencia që ai e drejton do t’i verifikoj edhe një herë nëse ka ndodh ndonjë gabim teknik, lëshim teknik gjatë bartjes së shënimeve, apo diçka tjetër, dhe ta sqaroj këtë me institucionet nga vijnë këta doktorë shkence.

Mirëpo, nëse kontratat e punës figurojnë ashtu siç janë deklaruar, Rexha ka thënë se do të mbyllen disa programe të studimit.

“Kjo mund të rezultojë për disa programe dhe disa institucione që disa programe të mbyllen që disa institucione të kenë më pak programe në pajtim me numrin e stafit sepse konsiderojmë që stafi akademik është parakusht për çdo program që të zhvillohet në formë cilësor dhe sipas kritereve të cilësisë që i përcakton Agjencia e Kosovës për Akreditim”, ka thënë ai.

Sa i përket mënyrës së deklarimit të profesorëve të cilët i kanë regjistruar nga dy vende të rregullta të punës, Rexha ka thënë se shumica e këtyre doktorëve të shkencave, fillimisht e kanë deklaruar vendin e rregullt të punës në institucione private të arsimit të lartë ndërsa herën e dytë e kanë deklaruar institucionin publik të të njëjtit nivel të arsimit.

“Rastin e dy vendeve të punës ka një fluks të madh nga institucionet private të institucionet publike dhe kjo mund të jetë si pasojë që në fillim bartësit e tillë të doktorëve ë shkencave kanë deklaruar punën në institucione privat si punë të tyre primare dhe pastaj kur ka kaluar një konkurs publik janë deklaruar edhe në institucionin publik dhe kështu në agjenci mund të figurojnë në dy vende të punës me orar të plotë që është në kundërshtim me ligjin mirëpo shumica e tyre mund të ndodh që edhe nuk janë treguar mjaft të sinqertë ndoshta disa edhe kanë harruar nga shpejtësia apo ngutia por ka edhe të tillë që nuk janë deklaruar të sinqertë me angazhimet te tyre që kanën”, ka deklaruar ai.

Përderisa i pari i Agjencisë së Akreditimeve në vend, nuk mund të jap emra dhe të deklaroi për institucionet të cilat kanë shkelur Ligjet në fuqi, thotë se studentët që ndjekin këto degë që duket se do të dalin me probleme, nuk mund të pësojnë nga parregullsitë e institucioneve ku ata kanë vendosur të shkollohen.

Blerim Rexha tha se studentët të cilët janë regjistruar në këto programe të studimit, fakulteti e ka për obligim që t’ua organizojnë ligjëratat dhe provimet e mbetura, derisa studentët e rinj nuk do të mund t’i vazhdojnë studimet në programet prej të cilave vijnë këta studentë.

Rexha ka thënë se Agjencia e Akreditimit po ashtu i ka obliguar institucione te arsimit të lartë që në faqet e tyre zyrtare në internet t’i paraqesin listat me të gjithë stafin e angazhuar në mënyrë që kjo të jetë publike dhe të mos shkelet ligji. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat