PDK-ja ‘mund’ ta rrëzojë Qeverinë!

Aktuale

PDK-ja ‘mund’ ta rrëzojë Qeverinë!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 nëntor 2016 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

“Nuk besoj që një parti kaq serioze kërkon një adut që të shkoj në zgjedhje. Ajo mund ta thërras kur të dojë një seancë të jashtëzakonshme, ta qes në votëbesim qeverinë dhe të shkoj në zgjedhje. Dhe kjo mundet me ndodh sa herë që do”, tha Osmani.

Së fundmi kanë dalë zëra për prishje të mundshme të koalicionit LDK-PDK, ku deputetë të PDK-së që kanë dalë kundër miratimit të buxhetit të Kosovës, e kanë parë atë si faktor të ‘përplasjes’ mes koalicionit.

Megjithatë, nuk ka pasur qëndrime zyrtare për një gjë të tillë, e së fundmi kryetari i komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani ka folur lidhur me mundësinë e prishjes së koalicionit pikërisht për shkak të buxhetit për vitin 2017.

Osmani, që është deputet i LDK-së, e ka përjashtuar këtë mundësi, pasi sipas tij, PDK-ja mund ta rrëzojë qeverinë sa herë të dojë, përmes votëbesimit.

“Nuk besoj që një parti kaq serioze kërkon një adut që të shkoj në zgjedhje. Ajo mund ta thërras kur të dojë një seancë të jashtëzakonshme, ta qes në votëbesim qeverinë dhe të shkoj në zgjedhje. Dhe kjo mundet me ndodh sa herë që do”, tha Osmani.

Lidhur me këtë, deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, i ka thënë gazetës Bota sot se mund të shkohet në votëbesim, por PDK-së i duhen votat e LDK-së për ta ‘rrëzuar’ qeverinë.

“Jo vetëm PDK, por çdoherë flitet se votat, që do të thotë votëbesimi i qeverisë e kërkon numrin e caktuar të votave dhe LDK-ja, normal që pa PDK-në nuk i ka, LDK i ka 33 vota, e vetme nuk i ka të gjitha votat dhe në rast se do të votohej qeveria, LDK-së i duhen votat e PDK-së, sikur që PDK-së i duhen votat e LDK-së”, ka thënë Ferati.

Ai thotë se deputeti Osmani e ka menduar në këtë kontekst, pasi LDK dhe PDK është qeveri e përbashkët, është koalicion.

“Pra, gjithmonë mendohet në mungesën e numrit të deputetëve, pra votave të deputetëve në rast të ndonjë votëbesimi që bëhet. Në këtë kuptim e ka thënë, jo pse PDK-ja duhet të ketë qasje tjetër ndaj qeverisë apo LDK-së”, ka thënë deputeti i LDK-së për Bota sot.

Gazeta Bota sot ka kontaktuar dhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës për të marrë një qëndrim, mirëpo nuk kanë dashur të flasim.

Deputeti Nait Hasani ka thënë se nuk preferon të deklarohet për një temë të tillë, e i kontaktuar, as shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti nuk ka dashur që të prononcohet për temën në fjalë.

Në anën tjetër, analisti Islam Krasniqi, thotë se Naser Osmani ka pasur të drejtë, pasi PDK çdoherë dominon brenda koalicionit.

“PDK çdoherë dominon dhe e ka fuqinë ta rrëzojë koalicionin. Ajo mundohet ta dobësojë dhe ta largojë nga ombrella e koalicionit, atëherë kur është në gjendje të vështirë. Z.Osmani është bazuar në të kaluarën e PDK-së dhe ka treguar se një gjë e tillë mund t’i ndodhë edhe LDK-së”, ka thënë Krasniqi.

Por, me gjithë zërat, derisa nuk ka nevojë për votëbesim për qeverinë apo ‘përplasje’ të koalicionit, LDK dhe PDK vazhdojnë të jenë në koalicionin qeverisës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat