EULEX-i mbështet institucionet e Kosovës në lidhje me rastin Dehari

Aktuale

EULEX-i mbështet institucionet e Kosovës në lidhje me rastin Dehari

Më: 30 nëntor 2016 Në ora: 15:18
EULEX

Misioni evropian për sundim të ligjit EULEX me anë të një komunikate për media njoftojnë opinionin publik se si monitorues të rastit të Astrit Deharit beson se hetimet dhe autopsia janë kryer në mënyrë të saktë, profesionale dhe me kujdes, në pajtim me praktikat më të mira evropiane dhe duke i hetuar të gjitha pistat e mundshme.

Duke i shprehur ngushëllime familjes dhe miqve të Astrit Deharit EULEX vlerëson institucionet që kanë qenë të  përfshira vazhdojnë t’i përmbushin obligimet ashtu siç pritet nga to.

“Ndonëse rrethanat janë të jashtëzakonshme, institucionet e Kosovës kanë zbuluar se Astriti ka qenë i vetëm në qeli në kohën kur ka ndodhur rasti. Këtë e konfirmojnë incizimet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personave të pranishëm.  EULEX-i i mbështetë të gjeturat dhe konstatimin logjik të nxjerrë prej fakteve dhe provave të gjetura gjatë hetimeve dhe autopsisë”, thuhet në komunikatë.

Megjithatë, siç thuhet në komunikatë gjithçka që lidhet me vdekjen e Astrit Deharit duhet të shërbejë për të rikujtuar se megjithëse Shërbimi Korrektues i Kosovës është duke u përpjekur që të bëjë përmirësime, duhet të bëhet edhe më shumë në të ardhmen për t’i parandaluar incidentet si ky dhe humbje të jetëve tjera.

 “Menjëherë pas këtij incidenti, Ministrja e Drejtësisë e angazhoi EULEX-in për ofrimin e mbështetjes në lidhje me mësimet e nxjerra dhe për përfshirjen e atyre mësimeve në agjendën aktuale të reformave më të gjera në shërbimin korrektues. Ministrja Hoxha kërkoi prej agjencive që t’i paraqesin të gjeturat e tyre, gjë që ato edhe e kanë bërë”, thuhet në komunikatën e këtij misioni.

EULEX-i e përshëndetë përmirësimet e iniciuara nga Ministrja e Drejtësisë me qëllim të ngritjes së llogaridhënies dhe transparencës në kuadër të sistemit të sundimit të ligjit.

Në komunikatë thuhet se EULEX-i është i gatshëm që ta ndihmojë Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera të sundimit të ligjit që të ecin tutje në këtë drejtim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat