Nëse nuk ka fitues në raundin e parë, balotazhi në Drenas mbahet me 1 janar

Aktuale

Nëse nuk ka fitues në raundin e parë, balotazhi në Drenas mbahet me 1 janar

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 00:14
ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Sekretariati i saj, kanë kryer të gjitha obligimet për përgatitjen e një procesi zgjedhor në Drenas.

“Tash jemi në fundin e këtyre përgatitjeve dhe gjithçka ka shkuar sipas planeve tona operacionale dhe nuk ka diçka për të mos u theksuar në kuptimin e mos realizimit”, ka thënë Enis Halimi, kryeshef i sekretariatit të KQZ-së në emisionin “Kontakt”.

Sipas tij, materiali tani gjendet në depot e KQZ-së, përfshirë edhe fletëvotimet.

“Lista zgjedhore është tema bosht e një procesi zgjedhor. I kemi disa probleme në kuptimin e cilësisë së listës, por ne kemi bërë gjithçka për ta pasur një listë cilësore, një listë të pastruar”, ka deklaruar Halimi.

Sa i përket akreditimit të vëzhguesve, ai ka thënë se nuk ka numër të saktë të tyre sepse afati për akreditim është ende i hapur.

Ligji parasheh që balotazhi të mbahet katër javë pas ditës së votimit në raundin e parë dhe nëse do të këtë balotazh atëherë del se data 1 janar do të jetë dita kur qytetarët e Drenasit, ndonëse festë, do t’i drejtohen edhe njëherë kutive të votimit.

“Ne jemi të përgatitur për çdo proces. Por tani jemi fokusuar vetëm në ruanin e parë”, ka deklaruar Halimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat