Lufta për Drenasin

Aktuale

Lufta për Drenasin

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 08:43
Ilustrim

Të dielën, më 4 dhjetor, me 853 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas, partitë politike që kandidojnë do të kenë edhe vëzhguesit e tyre; PDK me 261 persona, NISMA me 90, LDK me 82 dhe AKR me 73

Gjykata e Apelit ka çuar Komunën e Drenasit në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi ia ka konfirmuar Nexhat Demakut dënimin për krime lufte. Ish-kryetari i Drenasit, Demaku ka ushtruar mandat tre vjeçar në këtë vend, deri sa i erdhi koha të dorëhiqej pas verdiktit të Gjykatës. Udhëheqësia e Partisë Demokratike do të vihet në testim të dielën kur do të votohet për kryetar të komunës.

Tashmë janë përmbyllur fushatat zgjedhore të secilës parti pjesëmarrëse në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Secila prej tyre tashmë ka bërë premtimin e vetë ndaj qytetarëve të Drenasit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Prokuroria e Shtetit dhe Policia e Kosovës, kanë bërë të ditur se kanë bërë të gjitha përgatitjet dhe kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit, të cilat do të mbahen këtë të diel.

“Prokuroria së bashku me Policinë do të ndalojnë dhe do të arrestojnë të gjithë ata që në çfarëdo mënyrë ndikojnë në keqpërdorimin e votës”, ka theksuar Pula.

KQZ ka treguar se i kanë akredituar gjithsej 853 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Drenas.

Kandidatët për kryetar të Drenasit janë; Ramiz Lladrovci nga PDK’ja, Bedri Nikaj nga LDK’ja, Elmi Thaçi nga AKR’ja, Isa Xhemajlaj nga Nisma, Vehbi Berisha nga Partia Fjala dhe kandidati i pavarur Xhavit Drenori.

Secili prej tyre ka shpalosur planin e premtimeve ndaj qytetarëve të Drenasit; Kandidati i PDK’së, Ramiz Lladrovci ka pohuar se kësaj komune do t’ia ofrojë 70 milionë euro investime kapitale, në atë që ai e ka quajtur “mandat pesëvjeçar”, duke thënë se vota e qytetarëve të Drenasit e rikonfirmon se Drenasi ishte dhe është me luftëtarët e vet.

“Ne do të zgjerojmë Parkun e Biznesit me 82 hektarë shtesë për bizneset vendore e ndërkombëtare, ku do të vendosen mbi 100 biznese me mbi. 2000 punëtorë Punësimin e djemve e vajzave të Drenasit, do ta garantoj unë dhe kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, në marrëveshje me kompanitë”, ka thënë Lladrovci.

Kandidati i LDK’së për kryetar të Drenasit Bedri Nika tha se me LDK’në, Drenasit do t’i kthehet dinjiteti. Nika ka ftuar qytetarët që më 4 dhjetor t’ia kthejnë Drenasit “ndryshimin e madh”.

AKR’ja me kandidat, Elmi Thaçi në përmbyllje të fushatës elektorale ka fajësuar PDK’në se e ka bërë Drenasit qytetin më të varfër, për të cilin Thaçi thotë se do ta zhvillojë ekonominë.

AKR’ja e Behxhet Pacollit do të investojë 200 milionë euro, para këto që do të vinë nga investitorët e jashtëm. Kështu u shfaq kjo parti në ditën e fundit të fushatës.

Kandidati për kryetar të Drenasit, nga radhët e NISMA për Kosovën, Isa Xhemajlaj, në mbyllje të fushatës zgjedhore për kryetar të kësaj komune, ka treguar se pse ai është i duhuri për të qenë kryetar i Drenasit.

Edhe Xhemajlaj ka përdorur “kartën” e qeverisjes 17 vjeçare të PDK’së në këtë vend, duke thënë se qytetarët janë lodhur dhe dëshpëruar nga premtime të parealizuara.

Kandidati i NISMA’s për të parin e Drenasit, Isa Xhemajlaj, fjalimin e tij e ka përfunduar duke thënë se nga e hëna në Drenas do të veproj ligji, nga e hëna të gjithë qytetarët e Drenasit do të jenë të barabartë, nuk do të kërcënohen më as mësimdhënësit as veteranët e UÇK’së.

Një kërkesë e ambasadorit britanik Ruairi O’Connell për të thirrur OSBE’në që të monitorojë zgjedhjet e së dielës në Drenas, është refuzuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ambasadori O’Connell në një letër dërguar KQZ’së në emër të ambasadorëve të shteteve të Kuintit – ka thënë se monitorimi i OSBE-së në këto zgjedhje është i nevojshëm “duke marrë parasysh gjendjen e tanishme politike të tensionuar në Kosovë”.

 “Lidhur me kërkesën specifike, KQZ’ja, duke u mbështetur edhe në ligjet në fuqi, njofton se nuk ka pasur asnjë pengesë që këtë proces, ndonëse i jashtëzakonshëm, ta implementojë deri në fund me sukses të plotë”, thotë Komisioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat