Limaj: Në Drenas ndodhi mrekullia demokratike

Aktuale

Limaj: Në Drenas ndodhi mrekullia demokratike

Më: 5 dhjetor 2016 Në ora: 15:38
Pamje nga konferenca

(E plotësuar) - Lideri i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj ka deklaruar se janë duke biseduar që të bashkohen me pjesën tjetër të opozitës të cilën e ka quajtur “ekip fitues”, të cilën do ta udhëheqë kryetari i ardhshëm i Drenasit, Isa Xhemajli.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj në një konferencë për media, tha se përmes mediave ka dashur t’i shpreh mirënjohje dhe t’i falënderon të gjithë qytetarët e Drenasit për procesin e rregullt të zgjedhjeve dhe demokratik.

Limaj: 55 për qind e qytetarëve votuan për ndryshim

“Të gjithë ata që kanë kontribuuar, simpatizantët, komisionarët, vëzhguesit, etj. Ajo që ka ndodh dje në Drenas është kjo, 55 për qind e qytetarëve në Drenas kanë votuar për ndryshimin dhe kjo është lajmi kryesor dhe kjo është mrekullia demokratike që ka ndodh dje në qytetin e Drenasit. 55 për qind të qytetarëve të komunës së Drenasit dje i kanë thënë po ndryshimit, nevojës për ndryshim dhe udhëheqës i këtij procesi të ndryshimit në Drenas është kandidati ynë kryetari i ardhshëm i Drenasit, Isa Xhemajli”, tha Limaj.

Edhe kandidati për kryetar të Drenasit nga Nisma për Kosovën, Isa Xhemajli, tha se faza e dytë e votimit në këtë komunë do të përfundojë me ndryshim.

Xhemajli: Ndryshimi do të ndodh në votimin e ardhshëm

“Më meritorët për këtë janë gjithë ata qytetarë të Drenasit të cilët përkundër gjithë atyre kërcënimeve, shantazheve , pastaj joshjes dhe metodave tjera të pushtetit votuan ndryshimin. I falënderoj edhe kandidatët tjerë të partive tjera që ishin korrekt me atë garë dhe edhe ata i prinë procesit të ndryshimeve në Drenas. Besoj që faza tjetër, gjegjësisht faza e dytë e zgjedhjeve do të përfundoj me ndryshimin në Drenas, kjo duke u bazuar në deponimin e gjithë banorëve të Drenasit”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, sa i përket mundësisë së koalicionit ose bashkëpunimit me parti tjera për raundin e dytë të zgjedhjeve në këtë komunë, Limaj ka thënë se janë duke biseduar dhe se ende nuk ka ndonjë vendim.

Megjithatë, Limaj u shpreh se të gjithë ata që kanë kërkuar ndryshimin do t’i bashkohen ekipës së Isa Xhemajlit.

Limaj: Ata që e kanë votuar ndryshimin do t’i bashkohen Isa Xhemajlit

“Unë pres që të gjithë ata njerëz, pavarësisht ku kanë qenë dhe cilit grup politik i kanë takuar të cilët kanë lobuar, kanë punuar, janë angazhuar dhe janë përpjekur, janë ballafaquar me vështirësitë tona, ata të cilët kanë ardhur deri te ky rezultat 55 për qind me ndryshim, jam i bindur se do të bashkohen rreth epikes fituese që parqet ndryshimin në Drenas. Këtë ekip fituese e do ta udhëheqë kryetari i ardhshëm i Drenasit Isa Xhemajli, për këtë jam i bindur. Në ditët në vazhdim ju do t’i shihni edhe veprimet konkrete. Jemi mirë, jemi duke biseduar edhe sikur që thash pak ka këtu çka të bisedohet, përveç që të bashkohemi si ekip dhe t’i afrojmë Drenasit ndryshimin në krye me Isa Xhemajlin”, tha ai.

Nisma për Kosovën në garën për kryetar të Komunë së Drenasit, zgjedhjet e të cilave u mbajtën të dielën, më 4 dhjetor, ka fituar 26,2 për qind të votave me kandidatin Isa Xhemajli.

***

Limaj: Befasi si në Drenas do kemi edhe në komuna të tjera

Kryetari i NISMA-së, Fatmir Limaj ka thënë se Nisma dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre.

“Në Drenas e kemi krye fazën e parë, tash i keni fazat e tjera që do të dëshmojnë se Nisma është fuqizuar”, tha Limaj në një konferencë për media, së bashku me kandidatin e saj për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, i cili më 1 janar do të shkoj në balotazh me PDK-në.

Limaj ka thënë, se Nisma nuk është e zhurmshme, por ajo punon në qetësi.

“Rezultatet e Drenasit tregojnë se PDK është larg realitetit, disa ditë më parë ishim dëshmitarë të shumë deklaratave për fitore, por realiteti është ndryshe”, tha ai.

Sipas tij, Nisma dje ka treguar se është forcë politike, që punon në të mirë të qytetarëve dhe kështu do të jetë gjithmonë.

“Befasi të tjera do të kemi edhe në komuna tjera”, përfundoi Limaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat