LB: “Muret” i kemi në Kushtetutë

Aktuale

LB: “Muret” i kemi në Kushtetutë

Më: 9 dhjetor 2016 Në ora: 11:36
Muri që po ndërtohet në Mitrovicë

"Muri i filluar rishtazi nga serbët në Urën e lumit Ibër sikur i zgjoi nga gjumi shqiptarët e Kosovës “multietnike” e më gjerë! Thuajse ky “mur” në veri të Kosovës dhe “muri” tjetër në lindje të saj, po aq i fortifikuar, të mos kenë ekzistuar që nga përfundimi i luftës, pra që më 1999 në veri dhe që më 2001 në lindje të Kosovës, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes për Bashkim në lidhje me rastin e murit në urën e Ibrit në Mitrovicë.

"Por, ajo çka është më e keqja, që nga viti 1999 ne jemi sjellë sikur nuk po ndodhë asgjë! Kemi shijuar lirinë në territorin e mbetur dhe i kemi mbyllur sytë para “mureve”! Ajo çka është edhe më keq, edhe në bisedimet e Vjenës (2005), edhe në bisedimet e Brukselit (2011) as që është përmendur ekzistenca e “mureve”, por kemi zhvilluar bisedime për diskriminimin pozitiv apo edhe për avancimin e të drejtave të atyre “që ndërtonin mure”! Dhe nga këto bisedime në vend se të “shembeshin muret” në veri dhe lindje të Kosovës bisedimet prodhuan edhe një “mur” në Kuvendin e Kosovës! Serbëve, si mjeshtër të mureve, iu dha e drejta e vetos në Kuvendin e Kosovës!", thuhet më tej në reagim.

Kosova me të gjitha këto mure nuk mund të ecë përpara! Ajo është e kurthëruar në “zgjidhjet” që nuk janë zgjidhje! As Pakoja e Ahtisarit, as Kushtetuta e Kosovës, as diskriminimi pozitive, asociacionet e asteriksat nuk janë zgjidhje, sepse ato nuk e kanë parasysh vullnetin e shumicës – shqiptarëve!

Kosovës i duhet urgjentisht një zgjidhje, e cila mbështet në vullnetin e shumicës së banorëve të saj. Përndryshe, edhe nëse fizikisht rrëzohet muri në veri të Kosovës, “muret” që pengojnë ecjen përpara të Kosovës janë më të fuqishme sesa vullneti i saj, - përfundon komunikata e Lëvizjes për Bashkim./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat