Nga 10 janari Gjyqësori i Kosovës shtrihet edhe në Veri

Aktuale

Nga 10 janari Gjyqësori i Kosovës shtrihet edhe në Veri

Më: 10 dhjetor 2016 Në ora: 22:22
Dialogu në Bruksel, foto arkiv

Shërbimi i Bashkimit Evropian për Politike të Jashtme (EEAS), ka njoftuar sot përmes një komunikate për shtyp, se Kosova do të marrë kontrollin e gjyqësorit në veri të vendit, më 10 janar të vitit të ardhshëm.

Sipas kumtesës së BE-së, ka qenë Serbia ajo që ka njoftuar BE-në të premtën e 9 dhjetorit, se do të ndalojë së paguari gjyqtarët, prokurorët dhe stafin administrativ të gjykatave në veri të Kosovës.

“Njoftimi nga Serbia më 9 dhjetor për mbarimin e të punësuarit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ do të marrë efekt më 10 janar, që do t’i mundësojë atyre që të integrohen në Gjyqësorin e Kosovës prej asaj dite”, njofton BE-ja.

Njoftimin për implementimin e kësaj marrëveshjeje e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijancic.

Marrëveshja për Drejtësi është nënshkruar në Bruksel, në bisedimet e Dialogut Kosovë-Serbi më 30 nëntor të këtij viti. Marrëveshjen e kishin nënshkruar kryeministrat e të dyja shteteve, Isa Mustafa i Kosovës dhe Aleksandar Vuçiq i Serbisë.

Në fund të njoftimit, BE ka përgëzuar të dyja shtetet për implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat