Shqiptarët në Maqedoni i dhanë grusht të rëndë politikës së BDI-së e PDSH-së

Aktuale

Shqiptarët në Maqedoni i dhanë grusht të rëndë politikës së BDI-së e PDSH-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 13 dhjetor 2016 Në ora: 13:26
Ilustrim

Qytetarët e Maqedonisë kishin dhënë votimin e tyre, sipas rezultateve të KSHZ-së fitues i zgjedhjeve të së dielës del të jetë Nikolla Gruevski nga VRMO-DPMNE.

Ndërsa partitë shqiptare kanë humbur vota. Mes tyre kryeson BDI e ndjekur nga Lëvizja Besa. Përmes këtyre zgjedhjeve shqiptarët e Maqedonisë kanë arritur të sigurojnë vetëm 20 ulëse në Kuvend, ndërsa në vitin 2008 shqiptarët kishin 27 ulëse, që i bie 7 deputetë shqiptarë më pak do të ketë Kuvendi i Maqedonisë.

Analistët politik, këto rezultate nuk i shohin si dështim të shqiptarëve, por përkundrazi sipas tyre shqiptarët treguan se janë të fortë ta rrëzojnë një qeverisje jo të mirë.

Analisti politik, Fejzi Hajdari, në një prononcim për gazetën Bota sot, thotë se shqiptarët në Maqedoni nuk kanë dështuar shumë, por sipas tij ata i kanë dhënë grusht të rëndë politikës së Ali Ahmetit.

“Nuk mendoj se shqiptarët në Maqedoni kanë dështuar shumë. Në fakt mendoj pak më ndryshe.  Shqiptarët në Maqedoni i dhanë grusht të rëndë politikës disfatisto-defetiste të Ali Ahmeti. Një politikë  që degradoi dhe zbehu ndikimin e shqiptarëve në vendimmarrje për 15 vite me radhë. Shqiptarët e Maqedonisë, më shumë se 60%  e elektoratit votoi kundër politikës së këtillë të Ali Ahmetit. Shqiptarët e Maqedonisë nuk kishin probleme  me numrat e deputetëve shqiptarë, por kishin problem dhe hall të madh nga politika disfatiste e BDI-së së Ali Ahmetit. Kësaj radhe BDI-ja mori rreth 50% më pak vota se ciklin e fundit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare” shprehet Hajdari.

Hajdari thotë se në të ardhmen pritet që qeverinë ta drejton koalicioni “vëllazëror politikë” Ali Ahmeti- Nikolla Gruevski.

“ Sipas informacioneve nga terreni dhe KQZ-ja (Komisioni Qendror Zgjedhor), qeverinë e ardhshme prapë mund ta drejtojnë me 61 deputetë (nga gjithsej 120 sa ka Parlamenti i Maqedonisë, pa deputetët e Diasporës që janë 3) koalicioni "vëllazëror politikë" Ali Ahmeti - Nikolla Gruevski. Numrin e nevojshëm të deputetëve Ali Ahmeti dhe Nikolla Gruevski po e siguron duke ia marrë 2 mandate deputetësh Lëvizjes BESA në rajonin e Kumanovës dhe të Tetovës. Padrejtësitë e këtij lloji në Maqedoni, pothuajse janë institucionalizuar prandaj nga Ahmeti dhe Gruevski, çfarë nuk pret njeriu. E kanë shndërruar Maqedoninë, në 'kompani private"!” shprehet Hajdari.

Ai thotë se çështja nuk qëndron se sa deputetë shqiptarë ka parlamenti i Maqedonisë, por është një çështje politike.

Hajdari shton se çështja e shqiptarëve në Maqedoni duhet të zgjidhet me ligj me anë të kushtetutës dhe jo me numra deputetësh.

“Çështja e shqiptarëve të Maqedonisë nuk është çështje numrash deputetësh. Shqiptarët kanë pasur edhe 30 deputetë, por pikërisht atëherë ka filluar degradimi i pozitës shqiptare. Kjo ka ndodhur menjëherë pas luftës në Maqedoni të vitit 2001.  Pra dua të them se çështja shqiptare në Maqedoni është çështje politik dhe jo mandatesh deputetë. Faktori politik shqiptar  në Maqedoni statusin e shqiptarëve duhet ta zgjidhë në ligj, me anë të kushtetutës dhe jo me numra deputetësh.  BDI-ja kishte rastin më të mirë ta bëjë këtë për 15 vite rresht, por nuk e bëri asnjëherë, përkundrazi e degradoi pozitën e shqiptarëve. Ja vetëm një shembull konkret: Ali Ahmeti në vitin 2002 kur hyri në qeveri tha se e ka zyrtarizuar gjuhën shqipe dhe përdorimin e Flamurit kombëtar shqiptar,  ndërsa gjatë fushatës së këtyre zgjedhjeve, kërkonte mandat për ta zyrtarizuar gjuhën shqipe. Kurse flamurit shqiptar kombëtar, Ahmeti dhe partia e tij BDI, zyrtarisht me aminin e BDI-së në qeveri, ia kanë zvogëluar dimenzionet për 30%” pohon Hajdari.

Ndërsa, analisti Zydi Xhelili thotë se numri i deputetëve shqiptarë nuk e zbeh vlerën e votës shqiptare.

Sipas Xhelilit asnjëra parti maqedonase nuk ka numra dhe asnjë mundësi tjetër të formojë qeveri, por çelësi qëndron në duart e tri partive shqiptare.

“Rezultatet e zgjedhjeve duken të pa pritura por përafërsisht  është arritur qëllimi. Në bllokun politik maqedonas ndëshkohet partia e Kryeministrit të kriminalizuar i cili njëherësh është  edhe antishqiptar i theksuar dhe me orientim pro rus. Ndëshkohet sepse nuk i mori 63 deputetë  sa pretendoi se do t’i merrte duke lozur në letrën nacionaliste. Në bllokun politik shqiptar u ndëshkuan dy partitë shqiptare BDI dhe PDSH të cilat i shërbejnë  këtij kryeministri anti shqiptar, duke mbrojtur vetëm interesa personale dhe klanore, duke lejuar diskriminimin sistematik të shqiptarëve. Pra sikur këta dy parti të kishin edhe 40 deputetë çështja shqiptare nuk do ndryshonte fare”, thekson Xhelili.

Ai thotë se në këto zgjedhje çështja është më ndryshe, sepse shqiptarët janë të ndarë në tre faktorë politikë dhe oferta e tyre tani është më serioze e më vendimtare.

“Tani kemi situatë të re, 20 deputetë  shqiptarë, por të ndarë  në tre faktorë politikë që d.m.th. oferta shqiptare do të jetë më serioze dhe është  vendimtare. Asnjëra parti maqedonase nuk ka numra dhe asnjë mundësi tjetër të formojë qeveri. Çelësi është në duart e tre partive shqiptare d.m.th. shqiptarët janë faktori kryesor në Maqedoni. Numrat nuk e zbehin kuantitetin e votës shqiptare dhe as peshën e faktorit shqiptar nëse protagonistët kryesorë janë të vendosur kombëtarisht”, shprehet Xhelili për gazetën Bota sot.

Kurse,  gazetari Hamdi Nuhiju thotë se në zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk kanë dështuar shqiptarët, përkundrazi ata janë shpërndarë duke treguar një frymë ndryshe.

“ Në zgjedhjet e 11 dhjetorit të vitit 2016 shqiptarët në Maqedoni nuk kanë dështuar, por përkundrazi tashmë janë më të shpërndarë në shumë subjekte politike duke përfshirë tashmë edhe subjekte politike maqedonase. Në këtë mënyrë është krijuar fryma e opozitarizmit që ishte shuar ndër vite tek ne” thotë Nuhiju.

Sipas tij, në të ardhmen do të formohet një qeveri e cila detyrimisht nuk do të jetë diskriminuese ndaj shqiptarëve.

“Pas zgjedhjeve pritet që të formohet një qeveri e cila detyrimisht nuk guxon që të jetë diskriminuese ndaj shqiptarëve, pasi që shqiptarët tashmë e kanë shansin që të kushtëzojnë palën maqedonase për të drejtat e tyre. Shkëlqimi dhe forca e VMRO-DPMNE-së është zhbërë dhe shuar me aktivitetin dhe vullnetin e shqiptarëve dhe ndryshimin e qasjes së LSDM-së ndaj shqiptarëve. Edhe pse LSDM-ja nuk ka qenë deri në fund e sinqertë me shqiptarët, megjithatë ka lënë hapësirë dhe derë për të shpresuar se shqiptarët mund të trokasin tek e njëjta për të kërkuar llogari për të gjitha ato premtime dhe fjalë të thëna gjatë kampanjës zgjedhore. Përveç kësaj, as LSDM-ja as VMRO-DPMNE-ja tashmë nuk e kanë as shansin minimal të formojnë qeveri pa i pranuar kushtëzimet e shqiptarëve”, theksoi Nuhiju për gazetën Bota sot.

Ai thotë se shqiptarët asnjëherë sikur tani nuk kanë pasur mundësin e tyre të mirë që të jenë faktor në Maqedoni.

“Shqiptarët asnjëherë më shumë se tani nuk e kanë pasur shansin që të janë faktor në Maqedoni. Te kampusi shqiptar nuk ka një parti stabile e cila ka fituar një numër të mjaftueshëm votash për të vendosur vet dhe gabuar, detyrimisht duhet që të ekzistoje marrëveshje midis shqiptarëve gjë që është kërkuar me kohë. Si rezultat i kësaj shqiptarët do të duhet që të unifikuar të paraqiten në bisedime me palën maqedonase. Kur them të unifikuar, nuk mendoj në bashkimin e të gjitha subjekteve politike shqiptare, por në ndarjen e shqiptarëve në dy parti në pushtet dhe në dy në opozitë. Kjo mënyrë e ndarjes krijon mundësinë e artikulimit më të drejtë të kërkesave të shqiptarëve karshi palës maqedonase dhe të tjerëve”, përfundon Nuhiju.

Ndërsa, analisti Mersim Maksuti thotë se shqiptarët kanë dështuar në këto zgjedhje si rezultat i përfaqësuesve politik.

“Shqiptarët kanë dështuar në zgjedhjet në Maqedoni si rezultat i dështimit të përfaqësuesve politik deri më sot që udhëhoqën shqiptarët”, shprehet Maksuti.

Ai thotë se është e kuptueshme që në të ardhmen opozita maqedonase dhe shqiptare ta formojnë qeverinë.

“Ajo se çfarë do të ndodh të ardhmen është e ditur, pra opozita maqedonase dhe opozita shqiptare do ta formojnë qeverinë” përfundon Maksuti.

Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni kanë ardhur si rezultat i krizës politike që e kishte kapluar vendin prej disa vitesh. Këto kanë qenë zgjedhjet e nënta parlamentare dhe të katërta me radhë të parakohshme për përbërjen e Parlamentit./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat