Avokati: Fahredin Gashi në gjendje ‘të rëndë’ mendore

Aktuale

Avokati: Fahredin Gashi në gjendje ‘të rëndë’ mendore

Më: 15 dhjetor 2016 Në ora: 13:55
Fahredin Gashi

Avokati Gëzim Kollqaku përmendi një ekspertizë të një grupi të mjekëve, në të cilën thuhet se Fahredin Gashi nuk është në gjendje ta kuptojë akuzën e as ta përcjell asnjë shqyrtim gjyqësor, prandaj tha se ka kërkuar të pushohet procedura ndaj tij.

Në seancën ku po lexohet aktakuza në rastin “Toka”, Gëzim Kollqaku, avokati i Fahredin Gashit (një prej 39 të akuzuarve), tha se e ka pranuar me kohë aktakuzën dhe ka shkuar në burgun ku është klienti i tij.

“Kam tentuar t’ia lexoj aktakuzën dhe t’ia shpjegoj se për çka dyshohet, por i njëjti nuk ka qenë në mundësi as ta kuptojë aktakuzën dhe as ta kuptojë arsyen se pse duhet të jetë ne gjykim sepse gjendja e tij mendore është e rëndë dhe këtë e vërteton edhe një ekspertizë nga grupi i mjekëve”, tha avokati.

Sipas tij, në ekspertizën në fjalë thuhet se Fahredin Gashi nuk është në gjendje ta kuptojë akuzën e as ta përcjell asnjë shqyrtim gjyqësor, prandaj, shtoi avokati, ka kërkuar të pushohet procedura ndaj tij dhe deri më tani s’kam marrë asnjë përgjigje.

“Dhe pasi që në këtë seancë ai nuk mund të deklarohet sepse nuk e di pse është këtu, sipas dispozitave ligjore konsiderohet se i mbrojturi im nuk e pranon fajësinë ndërsa unë me shkrim edhe njëherë do të kërkoj nga gjyqtari që të mos i shkelen të drejtat esenciale të garantuara me Kushtetutë dhe hetimet ndaj tij të pushohen”, tha Kollqaku.

Gjatë seancës së sotme, tre të akuzuarit e tjerë, Azem Syla, Shaban Syla e Shpresim Uka, u deklaruan të pafajshëm rreth akuzave në rastin “Toka”.

Prokuroria Speciale më 25 tetor ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave, raporton kallxo.

Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat