Mos transformimi i FSK-së në ushtri, ‘peng’ i Listës Serbe

Aktuale

Mos transformimi i FSK-së në ushtri, ‘peng’ i Listës Serbe

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 17 dhjetor 2016 Në ora: 15:20
Anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës

Problemi i Forcave të Armatosura të Kosovës dhe mos miratimi i Ligjit brenda Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë edhe më tej, për faktin e vazhdimit të bojkotit të punës nga Lista Serbe, por njëkohësisht edhe mosmarrëveshjeve në skenën politike në vend, meqë bazën për të sabotuar transformimin e FSK në forcën e armatosur, e ka kushtetuta.

Sa ma parë që të zhvillohen bisedimet e suksesshme në mes Serbisë dhe Kosovës, aq më shpejtë edhe formimi i ushtrisë, do ta ketë rrugëtimin e themelimit të sajë të shkurtër.

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli ka pohuar se ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugë transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, kanë mbetur peng i zhvillimeve politike në vend.

Sipas tij, aktet normative apo draftligji për transformimin e FSK-së në FAK i kanë  dërguar në Qeveri të Kosovës si dhe amendamentet kushtetuese të cilat kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së që janë në Kuvendin e Kosovës.

“Ishin deputetët e Kuvendit të Kosovës nga Lista Serbe ata të cilët e bojkotuan punën e Kuvendit të Kosovës dhe të cilët nuk treguan gatishmëri për të dhënë votën e tyre pro ndryshimeve kushtetuese, të cilat do të ishin edhe bazë për fillimin dhe zhvillimin e këtij procesi”, është shprehur Demolli.

Ai ka pohuar se shtyrja e këtij procesi mund të jetë demotivim sa i përket zhvillimeve të brendshme në FSK.

“Kjo vërtetë mund të krijojë demotivim tek pjesëtarët e FSK-së, të cilët ka dy vite që po presin fillimin e këtij procesi”, ka  thënë Demolli.

Ndërsa njohësit e çështjeve politike dhe të sigurisë, kanë vlerësuar se mos transformimi i FSK-së në ushtri, ngadalëson edhe më tutje procesin e pavarësimit të Kosovës si dhe sovranitetit të saj.

Sipas tyre, Serbia përmes zyrtarëve të saj të cilët i ka në qeverinë aktuale, po e bllokon këtë proces, duke e shfrytëzuar paaftësinë e tyre.

Njohës i çështjeve politike, Ismet Haziri, ka pohuar se paqartësitë dhe mos definimi i një shteti me të gjitha institucionet e veta për të qenë sovran dhe pavarur , i trimëron të gjithë armiqtë e Kosovës dhe disa profiter që duke qenë Kosova në tranzicion e shfrytëzuan maksimalisht për qëllime të veta.

“Siç po duket kushtetuta e Kosovës  në shumë fusha nuk është ’nuse’ me këmbën e hajrit, ngase për shumë çështje të rëndësishme numrat i ka në kundërshtim me interesin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Pra bazën për të sabotuar transformimin e FSK në forcën e armatosur e ka kushtetuta. Përveç tjerave, ne kemi qenë në situata të volitshme që në kompromise të dhembshme diçka të bëjmë ma shumë në lidhje me këtë çështje, fajtor janë elita politike dhe përfaqësuesit institucionale që në paaftësitë e tyre po pësojmë edhe ne si qytetar dhe si institucione. Në lidhje me këtë do të ishte mirë, që mos të marrin përgjegjësi askush që  në një mënyrë edhe mund të ballafaqohet me drejtësinë, ngase në proceset e shtet ndërtimit duke mos qenë kredibil dhe me fuqi të plotë nuk po janë partner të mirë të shtet ndërtimin”, ka thënë Haziri për gazetën Bota sot.

Ndërsa, njohësi i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për gazetën Bota sot, ka thënë se mos transformimi i FSK-se në ushtri, i konvenon armiqve tonë, pasi mos transformimi i FSK-së në ushtri e ngadalëson edhe procesin e pavarësimit të Kosovës si dhe sovranitetin e saj.

Sipas tij, përbërja e Parlamentit të Kosovës sipas planit të Ahtisarit e paraparë që lista serbe duhet ta jep pëlqimin e saj me 2/3 për tu miratuar vendimi i transformimit te FSK-së në ushtri, sipas kushtetutës tonë që në këto rrethana gati e bën të pamundur themelimin e ushtrisë.

“Në Finlandë, nga është Ahtisari,  kultura e popullatës edhe që ka përzierje të ngjashme me finlandezë dhe rus si te ne është tjetër dhe të drejtat që ju garantohen pakicave në Kosovë e sidomos serbëve, vështirë është në botë që gëzojnë të drejta më të mëdha se në kushtetutën tonë. Prandaj tani lista serbe vështirë që e jep pëlqimin sikur që e shpjegova për formimin e ushtrisë. Në rrethanat në të cilat gjendet shteti i ynë gjithsesi duhen të gjenden mënyra për themelimin e ushtrisë, se kjo është garantuese e shtrirjes se saj në çdo cep te kufijve tonë dhe garanton sovranitetin e shtetit’, ka thënë Tërnava.

Ai madje edhe jep edhe disa mënyra së zgjidhje.

‘Një ndër mënyrat e mundshme nëse ndryshe nuk mundet, ekziston mundësoja që parlamentaret me vendimin e tyre, ta ndërrojnë klauzolën në kushtetutën e Kosovës të listës serbe, aty ku është e paraparë kushti që duhen ta japin pëlqimin me 2/3 që të jetë ai vendim i plotfuqishëm. Mënyra tjetër është ajo që miqtë tonë që na kanë ndihmuar të çlirohemi si Amerika dhe BE me NATO-n, të bëjnë presion të shteti serb, që të ndikojnë ne pakicën serbe konkretisht lista serbe në parlament,  që ta miratojnë dhe ta japin pëlqimin sipas kushtetutës tonë në fuqi. Formimi i ushtrisë është i lidhur edhe me bisedimet dhe pajtimin, mes dy shteteve që po vazhdon, me bisedimet mes veti Serbi-Kosovë. Sa ma parë që të zhvillohen bisedime të suksesshme mes këtyre shteteve, edhe formimi i ushtrisë do ta ketë rrugëtimin e themelimit të saj më të shkurtër”, ka thënë Tërnava.

Ndërsa, deputeti i Nisma për Kosovës, Zafir Berisha, ka thënë se mos transformimin i FSK në FAK natyrisht se i konvenon vetëm Serbisë e cila përmes zyrtarëve të saj në qeverinë aktuale PDK e LDK e bllokoi këtë proces.

“Aty po shfrytëzohet edhe paaftësia por edhe hipoteka e dyshimit e kryeministrit për të mos arritur vendi këtë objektiv”, ka thënë deputeti Berisha./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat