Rexhep Hoti i shkruan Aleksandar Vuçiqit: Shqiptarët janë aleatët e paqes suaj në Ballkan

Aktuale

Rexhep Hoti i shkruan Aleksandar Vuçiqit: Shqiptarët janë aleatët e paqes suaj në Ballkan

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 12:30
Rexhep Hoti

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti i ka shkruar një letër kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit.

Në këtë letër të gjatë, Hoti ka ngritur shumë çështje, e pa dyshim se ka përmendur edhe shqiptarët për të cilët ka thënë se janë aleatët e paqes në Ballkan.

Më poshtë letra e plotë e zëvendësministrit Hoti

I nderuar Kryeministër i Republikës së Serbisë, z. Aleksandar Vuçiq, Mjafton ndonjëherë të kapet një pamje, një çast a një mendim, për të kuptuar shumëçka nga jeta e një njeriu. Ardhja e juaj në majat e politikës serbe ka qenë një befasi dhe frikë e madhe për ata që e përcjellin pak a shumë dialektikën e zhvillimeve politike në Serbi. Në gjykimin tim kam spikatur dy çaste që më kanë fascinuar në ndryshimin e personalitetit tuaj në kuptimin më të mirë të fjalës. Çasti i parë ndërlidhet me një foto të rinisë tuaj politike, ku Ju shiheni prapa kryes së ish-Shefit tuaj, duke bartur një gajbe me birra. Ishin ato kohë kur establishmenti juaj e kishte filluar luftën dhe vrasjet masive. Sado e dhimbshme që mund të jetë kjo, mbase, për kujtesën tuaj dhe kujtesën kolektive serbe, është një e vërtetë që e sjell në pah çastin e një të vërtete të dytë dhe krahasim ndërmjet tyre. Me rri në mendje deklarimi i Juaj kur patet thënë se më parë do të largoheni nga politika sesa t’i prishni marrëdhëniet me Gjermaninë. Ky qëndrim erdhi pas të gjitha kushtëzimeve që bëri Berlini ndaj Beogradit në raport me Prishtinën. Për mua mjaftojnë këto dy qëndrime për të kuptuar se sa shumë Ju jeni serb dhe sa shumë e dashuroni Serbinë! Brenda kësaj dashurie, e cila u zhvillua dhe u dëshmua kryesisht brenda dy kornizimeve që i ceka më parë, nuk mund të mos ketë shpresë se me Ju është i mundur mbarimi kryesor i proceseve në ish-hapësirat e RSFJ-së, pavarësisht se Ju tundon fuqishëm ulësja e para do ditëve në MIG-29.

E para, mendoj se ka ardhur koha që me Ju të mos bisedohet më mbi “normalizim” të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona, por për “konsolidim ndërshtetëror dhe ndërkombëtar”. Të paktën vihet re se ka energji të mendjeve të ndritura në Beograd e në Prishtinë, që do të jenë në gjendje të mendojnë e debatojnë në tryezë për qartësimin e tokave dhe në qetësimin e njerëzve tanë. E dyta, besoj fuqishëm se shqiptarët janë aleati dhe partneri i Juaj më i rëndësishëm – jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë. Më lejoni t’Ju them se shqiptarët janë më të rëndësishëm dhe më strategjikë sesa vetë aleati dhe partneri i Juaj i vlerësuar historikisht dhe përtashësisht si më strategjiku – Rusia. Përse Rusia nuk është Njëshi për Serbinë kur janë në pyetje shqiptarët dhe para shqiptarëve, rrjedhimisht Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës? a. Po, rusët janë me peshë strategjike për serbët! Por, “si” dhe “kur” i plotësojnë ata këto vlerësime? Rusët, në radhë të parë, janë aleat dhe partner strategjike për serbët, për kohë lufte, por jo për kohë paqe. Në kohë paqe, ata kanë vlera minimale në krahasim me peshën dhe strategjinë që mund të keni e të përfitoni Ju prej faktorit shqiptar në Ballkan. Prandaj, në qoftë se Serbia e percepton të ardhmen në paqe, ajo nuk ka nevojë për Rusinë në asnjë variant të mundshëm.

E kundërta do të jetë e vërtetë. Serbia do të ngarkohet ekonomikisht nga Rusia e nuk do të zhvillohet. Edhe armatimi i marrë kohën e fundit në këtë funksion është. Më lejoni që në shtjellimin në vazhdim t’i argumentoj këto konstelacione të ndërlikuara, apo, mbase, pikëvështrimi im të mbetet një e vërtetë e dëshiruar prej meje dhe vetëm për mua. b. Rusia e ndjek Serbinë si një hije e madhe në Ballkan, prej së cilës perspektiva serbe kurrë, edhe në përmasën historike, nuk ka pasur përfitime me të cilat serbët do t’i numëronin e do të mund të ishin krenarë. Përkundrazi. Madhësia ruse është reflektuar te populli dhe vetëdija serbe me efekte të shumta anësore të dëmshme, duke lënë prapa vetëm njolla të zeza që kanë zezuar vazhdimisht shpirtin e popullit serb. Njëri prej më të dëmshmeve ka qenë ndërtimi i një miti dhe identiteti të rrejshëm serb me qindra vite. Na keni gjakosur edhe neve, shqiptarëve, e edhe vetveten. E përse? Ju ishit njëqind vjet në Kosovë dhe çfarë bëtë? I patët rusët me vete, të gjitha ‘serbitë’ e ‘jugosllavitë’ e mundshme, pushtimet, kolonializmin, neokolonializmin, sundimet tiranike, diktatoriale, komuniste, krejt në fund e bëtë edhe vrasjen dhe dëbimin kolektiv të shqiptarëve, djegën dhe lëvrimin e Kosovës, për çka humanizmi botëror u shndërrua në kategori, normë e standard ndërkombëtar i së Drejtës Ndërkombëtare për të ndërhyrë në Kosovë. Madhësia Juaj e demonstruar përballë shqiptarëve ka ardhur si pasojë e madhësisë ruse, por jo se në të vërtetë Ju e kishit atë madhësi. Madhësitë e popujve tanë nuk dallojnë aq shumë. Madhësia dhe fuqia e Juaj në luftërat e fundit që Ju i zhvilluat erdhi ngase morët arsenalin ushtarak të RSFJ-së dhe asetet tjera. E çka ia patë krejt hajrin asaj pune?! E humbët Kosovën, e humbët Kninin, e fituat Republikën Serbe me çmimin e gjenocidit.

Dhe prapë jeni në bela. E keni çështjen e Vojvodinës, e keni çështjen e Sanxhakut, e keni problemin e Luginës së Preshevës. E probleme tjera. Dhe në një pjesë Veriore të Republikës sonë jeni ende pushtues në një formë të pa dinjitetshme dhe shumë të mjerë për një shtet me traditë dyqindvjeçare. Por Republika e Kosovës europiane Ju ka ndihmuar në procesin e Dialogut, në mënyrë që Ju të mos mbeteshit një shtet i izoluar krejtësisht. Dhe Ju z. Kryeministër jeni duke e shitur në Dialog në Bruksel atë trohë plaçkë që ju ka mbetur akoma nga pushtimi i Kosovës së dikurshme. Jeni duke na shitur edhe një pjesë ‘të popullit dhe të elitës serbe’ në Kosovë. Në krahasim me luftën kjo formë politike është një zgjidhje, por kjo dëshmon mjerimin e skajshëm e të pafund të Republikës së Serbisë ku jeni për herë të dytë i zgjedhur për kryeministër. Sot Republika e Kosovës Ju ka praktikisht në grusht, sa i përket proceseve integruese euroatlantike. Ky është një rezultat në vija të trasha. I nderuar z. Kryeministër, besoj fuqishëm se Republika Serbe në Bosnjë e Hercegovinë do të mund të krijohej pa e shkrepur asnjë plumb dhe me korridore shumë më strategjike sesa ato që i hapet me gjenocid. Pa e dhanë jetën e asnjë serbi. Pa i mbytur qindra mijëra njerëz të tjerë të pafajshëm në Bosnjë e Hercegovinë, pa i dëbuar e shtypur si në kohëra të inkuizicionit e ma zi, që në një përkthim të lirë mund të themi se “Ai” ishte populli i juaj gjithashtu. Pa ia lanë gjenocidin në zemër e në mendje brezave të ardhshëm serbë. A keni menduar ndonjëherë z. Kryeministër se Ju në Bosnje dhe Hercegovinë praktikisht e keni ushtruar gjenocidin ndaj populli tuaj vëlla, i cili, për nga gjaku, është shumë më i afërt me serbët sesa serbët me populli rus?! Ju praktikisht e vratë dhe bëtë gjenocide ndaj vetvetes tuaj. Vetëm pse kishit fe të ndryshme nuk e kapërdijtë këtë dallim? A keni menduar ndonjëherë se kur është në pyetje feja, ne, shqiptarët, jemi “padronët” e saj. Të paktën për në Europë.

Pak, shumë pak popuj në botë, tmerrësisht pak, mund të renditën para shqiptarëve sa i përket “përkatësisë” fetare, të themi kushtimisht! Ndërkaq, sa i përket hedhjes së farës së feve për popujt e tjerë, për kulturat dhe qytetërimet e tjera, ne, shqiptarët, për në Europë jemi pa konkurrencë! Dhe nuk jemi krekosur kurrë, përjashto krekosjen time në këtë letër, dhe kërkoj të falje publike për këtë. Por më duhet funksionimi i një pragmatizmi dhe i të vërtetave të dhimbshme e që mendoj se ia vlejnë. Jo më shumë! c. Është e dukshme se të ardhmen Ju jeni duke e planifikuar që të jetoni në paqe. Ashtu qoftë! Haleluja! Amin! Prandaj, partneri i kësaj paqeje nuk janë rusët në radhë të parë, por: Janë shqiptarët. Janë kroatët. Janë serbët. Brenda Gadishullit dhe jashtë Gadishullit këta tre popuj janë faktorët më strategjikë për Serbinë – e jo Rusia. Madje, jo Rusia edhe sikur kjo e fundit të jetë në aleancë të pandashme me SHBA-në. Në këtë drejtim nuk mund të kuptoj çfarë Ju duhen ato relikte ushtarake të sjella nga Rusia, të cilat mund të jenë edhe radioaktive?! Për të na vrarë prapë, neve shqiptarëve të Kosovës dhe popujt tjerë të ish-hapësirave të RSFJ-së?! A nuk Jeni ngopur me krimin?! Aq më pak ju kuptoj kur krekoseni duke zënë vend në një nga ulëset e pilotëve në MIG-29, të sjellë së fundi nga Rusia. Më falni! Pa keqkuptime! Ju e keni humbur luftën dje në Kosovë. E ka humbur edhe Rusia në këtë kuptim. E kanë humbur madje edhe aleatët tjerë që ishin në anën e Juaj. Ju sot nuk jeni më të fuqishëm se dje. Nuk është as Rusia. As aleatët e tjerë të mundshëm që mund të identifikohen me Ju! Vetëm aleanca e fuqishme shqiptaro–kroate mund t’Ju mbajë xhuxh në Ballkan sa të duan! Edhe më keq. Mund t’Ju mbajnë të bllokuar, pa ujëra e pa kurrgjë. Edhe më keq. Mund t’Ju mbajnë peng perspektivat jo vetëm në Serbi, por edhe në Republikën Serbe në Bosnje e Hercegovinë. Nuk dua të sjell aleanca tjera të mundshme të cilat gjithmonë dalin në përparësi në raport me aleancat serbe nën dirigjimin e partneritetit dhe aleancës ruse. Mandej, z. Kryeministër, në Kosovë ende pa u shëruar plagët që ia shkaktuar Ju, serbët, eksportoni prej saj për çdo vit rreth 1 miliard kesh euro! A keni menduar ndonjëherë se mund të ndodhë që të mos eksportoni nga Republika e Kosovës as edhe një euro kesh.

Përkundrazi! Vetëm te importoni euro për t’i ushqyer mbetjet e establishmentit që i keni lënë ende gjithandej republikës sonë?! Me një fjalë, Rusia është aleati dhe partneri i juaj i së kaluarës, por kurrë nuk keni pasur ndonjë përfitim real prej saj. Shkurt, Rusia Ju ka ngatërruar gjithmonë në të kaluarën. Keni bërë spastrime etnike në përmasa të tmerrshme. Sidomos ndaj shqiptarëve qysh prej fillimit shekullit XIX dhe nuk jeni ndalur më, vazhdimisht, duke u ushqyer si kolektivitet me duart me gjak. Dhe kjo e ngrenë e Juaja, me duart me gjak, ka vazhduar për afro 150 vjet, deri në fillimin e mijëvjeçarit të tretë! A do të keni guxim qytetar ta rrëfeni të vërtetën mbi të kaluarën e popullit serb dhe historinë e vërtetë çfarë keni bërë në të kaluarën me shqiptarët? A mund t’u tregoni nxënësve në shkollat Tuaja deri ku kanë jetuar, janë shtrirë dhe ku edhe sot e këtë ditë i kanë shtëpitë e tyre në Republikën e sotme të Serbisë? A mund t’u tregoni se si i keni dëbuar e vrarë ata?! Apo do të rrini gjithmonë duke e mbuluar e fshehur të vërtetën historike për breza e breza. Këtë histori Ju duhet ta mësoni për t’u liruar nga mallkimi i së ardhmes. Në të kundërtën, ajo do të Ju ndjekë pas. Jo pse mund të dëshirojë dikush. Por pse është ligj universal i krimit që të ndjekë pas. Edhe për një kohë të gjatë edhe për shumë breza e qindra vjeçare serbë, kthimi i kryes pas do të thotë shikim dhe pamje e krimeve që baballarët, gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre kanë bërë! d. Ju e dini z. Kryeministër se aleati i Juaj strategjik ka sanksione përtashësisht nga BE-ja, ku Ju jeni duke e dëshiruar integrimin, sepse është vlerësuar se nuk është shtet i mirë. Ka probleme të hapura me Ukrainën dhe shtetet tjera përreth dhe e ka të garantuar edhe një brez rus, së paku, me telashe të mëdha, edhe po sikur sot do të fillonte zgjidhja e këtyre problemeve.

A vërtet dëshironi të jeni pjesë e këtyre telasheve?! Vetëm mund të spekuloj, por në mendje me shkon, sa herë e dëgjoj që Ministri i Juaj i Jashtëm, z. Ivica Daçiç e këndon këngën: “O sole mio”, mund t’ia pranojmë edhe si një krenari personale, nuk prish punë, e këndon i motivuar nga gërditja prej krimit që ka bërë e që dëshiron në një formë të shkarkohet prej tij. Qofsha i gabuar! e. Një shtet i madh si Rusia – që Zoti ia ka dhënë gjithë atë madhësi e mundësi, një shtet global në vetvete, por që kurrë nuk e ka kontrolluar vetveten dhe kurrë nuk ka lënë asnjë gjurmë të qëndrueshme në format e filozofisë së mendimit politik, diplomatik e strategjik të doktrinave nga ma të ndryshmet, përjashto artin, në përmasa globale, ka ngelur gjithmonë duke vjedhur prej të tjerëve – nuk e kuptoj pse Ju duhet të jeni doemos me të dhe përse e lejoni ta zë aq shumë dritën e ardhme të popullit serb?! Ne, shqiptarët, kemi bërë shumë aventura prej pellazgëve e deri më sot.

Kemi qenë pjesë konstituive e të gjitha perandorive më të mëdha dhe kemi qenë pjesa motorike e qytetërimit të parë të njerëzimit. Të paktën, për të vërtetën e fundit, kështu është kahja e lëvizjes së mendimit të kualifikuar. Kemi qenë aventurierë e kryeboshë, sepse sot shtrihemi e jetojmë kompakt, në kuptimin hapësinor, kohor e etnik, në 6 shtete, përkundër dëbimit, dhe ende jemi të fundit në Europë sa i përket ndërtimit dhe funksionalizimit të shtetit apo shteteve. Fal Zoti, sot kemi më shumë sesa një! Ndërtuam e themeluam disa shtete për të tjerë, me gjak, me investime e mendje, e për vete nuk e bëmë dot asnjë, deri sa të tjerët nuk u lodhën me ne dhe na caktuan një për faqe të zezë. Por që nuk e meritonim më shumë në atë kohë. Çka do të thotë se sikurse Ju edhe ne duhet t’i kthehemi më shumë vetvetes. Njëri-tjetrin ta shohim si përparësi, e jo si armiqësi. Rusia është telashe e madhe për perspektivën e popullit serb, realisht. Sepse fuqia e Rusisë nuk është duke buruar nga vlera e saj, nga fuqia e saj reale. Fuqia e Rusisë është duke buruar nga e keqja e saj, nga frika se ajo mund të përdorë armatime që do të implikonin shkatërrime në masë. A është ky shembull që duhet të ndjekë Serbia, z. Kryeministër?! E treta, shqiptarët janë faktori i kyç për Serbinë në një tryezë të mundshme ndërmjet popujve që do ta garantonin stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

E popujt që do ta thonë fjalën e paqes e të stabilitetit në këto hapësira janë: shqiptarët (të dyja shtetet), kroatët dhe serbët. Në konstalacionin e forcave ndërmjet tre popujve, Serbia do të jetë e përballur vazhdimisht me natyrën europiane të vetëkuptueshme ndërmjet shqiptarëve dhe kroatëve. Nuk është e rastësishme që kroatët kanë në themelet e shtetit të tyre edhe heronj shqiptarë. E katërta, edhe pas një konsolidimi të pranueshëm që mund të dalë nga treshja për Ballkanin Perëndimor, që do të mund të kishim dy shtete shqiptare, me korrigjime të nevojshme me Serbinë; dy shtete serbe ose një, në korrigjime me Kosovën, me Kroacinë dhe me Bosnje-Hercegovinën; një shtet kroat të korrigjuar me Bosnje-Hercegovinën, me Republikën Serbe, me Serbinë; një shtet i Bosnjës i dalë nga korrigjimet me Republikën Serbe, me Kroacinë dhe me Serbinë, si dhe shtetet e pakorrigjuara si Mali i Zi dhe Maqedonia (Maqedonia po të hapej në këtë fazë do të mund të ndahej thjesht ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve dhe do të kishim një shtet shqiptar në Maqedoni dhe një shtet të banuar prej maqedonasve sllavë ortodoksë), prapëseprapë, Serbia do të ketë nevojë më së shumti për shqiptarët, sepse rrugëtimi i juaj drejt ujërave, z. Kryeministër, kalon nëpër “tokat skipetare”. Siç kam thënë edhe më herët në një përgjigje për një protagonist tjetër serb, Ju z. Kryeministër dikur keni luftuar e ëndërruar për të dalë në detet shqiptare, ne, sot, Ju kemi mundësuar këtë duke ua shtruar edhe autostradën moderne.

Dhe e tërë rruga është po aq për Ju sa është edhe për shqiptarë. Duke e parë foton tuaj, ku bartni një gajbe me birra, prapa kryes së ish Shefit, nuk mund të mos kem guxim për të besuar se sfida e juaj është perspektiva dhe stabiliteti për popullin serb. E në qoftë se e dëshironi njëmend një gjë të tillë, atëherë fitorja e Republikës së Kosovës për gjithë komunitetet e saj është e garantuar kur janë në pyetjet raportet dhe marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Atëherë do të mund të besoj se do t’ia ndaloni të vijë gjithfarë “pishpiriku” në Republikën e Kosovës me qëllim të provokimit të rendit dhe të ligjit në Kosovë, siç po sillet shpesh z. Marko Gjuriq. Ai njeri në Kosovë është më qesharak sesa personazhet e lazdruara në filmat e vizatuar për fëmijë. Uroj që t’i jepni pak rritë politike, kulturë e njerëzi të tillëve, sepse është shumë e pahijshme për shtetin sovran, të pavarur e demokratik, që një ditë t’ju sjellë në pranga në kufij këdo që sillet ashtu, apo edhe më keq. Ta mbyllë në vuajtjen e dënimit, sepse e shkel rendin dhe ligjin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat