Koalicioni "elefantëve" ndodhi në kulmin e krizës!

Aktuale

Koalicioni "elefantëve" ndodhi në kulmin e krizës!

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 dhjetor 2016 Në ora: 15:13
Ilustrim

Ndonëse para votimit të buxhetit për vitin 2017, kishte zëra nga Partia Demokratike e Kosovës për prishje të koalicionit me LDK-në, këta të fundit duket se u kanë rënë “pishman”, kërkesave të tyre, pasi tani e quajnë funksional koalicionin aktual.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri kishte ka thënë se në koalicionin qeveritar në mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka mosbesim, megjithatë PDK ka mësuar shumë nga LDK-ja.

Ai kishte thënë se ky koalicion është koalicion i elefantëve të dy partive të mëdha.

Ndërsa sipas shefit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, shteti nuk ka nevojë për zgjedhje të parakohshme.

“Nuk kemi pasur deri tani ndonjë telashe. Nuk ka ndonjë situatë që do ta nxirrte nevojën për zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Pajaziti gjatë një interviste.

Skender Zogaj analist politik ka pohuar se koalicioni LDK-PDK është fakt se ka ndodhur në kushtet dhe rrethanat më të acaruara ndërmjet këtyre dy partive, me koncepte diametralisht të kundërta dhe të papërputhshme.

Sipas tij, koalicioni ndodhi në kulmin e krizës, kur plot 6 muaj vendi mbeti pa qeveri dhe po kërcënohej shtetësia e Kosovës.

“ LDK-ja, si edhe shumë herë të tjera, sakrifikoi kërkesat e saja partiake duke pranuar koalicionin me PDK-n. Kjo ishte kthesa më e jashtëzakonshme politike në historinë e Kosovës se re, sepse shpërfilli euforitë militantiste të ngushta partiake, për t'i dhënë shanse ruajtjes së vendit. Ky koalicion sado që dukej i panatyrshëm, në fakt ishte plotësisht i arsyeshëm sepse, përfilli verdiktin e gjerë të sovranit, duke ua mundësuar dy partive fituese më të mëdha, që të marrin bashkërisht përgjegjësinë për qeverisjen e vendit. Pra, kemi të bëjmë me respektimin e plotë të votës së popullit, që PDK-n dhe LDK-n i kishte vërtetuar se janë dy partitë kryesore dhe si të këtilla edhe që duhej të qeverisnin vendin. Prej atëherë kanë kaluar dy vjet dhe, deshëm apo jo, ky koalicion ka funksionuar mjaft mirë dhe, ka shënuar suksese shumë më të mëdha se që kemi mundur të mendojmë”, ka thënë Zogaj.

Ai ka pohuar se ky është koalicioni më serioz i deritashëm, që e ka demistifikuar logjikën politike bardh e zi të shqiptarëve, që mposhtjen e pleshtave e shohin tek djegia e jorganit!

“Kësaj radhe ka ndodhur diçka tjetër, që po shihet se po funksionon, pavarësisht nga deklaratat propagandistike që herë pas here proklamojnë përçarjen e koalicionit. Këto deklarata janë huqe të disa  individëve anësor dhe grupacione të shpërqendruara brenda PDK-s, që i druhen zhvillimeve të mbara, dhe që me provokime duan të prekin pulsin e publikut të gjerë. Pra, koalicioni nuk ka asnjë lloj përçarjeje, është plotësisht funksional. Zhvillimet tregojnë se ky koalicion do të realizojë mandatin e plot ligjor. Zgjedhjet e rregullta janë aq afër, sa që koha është tepër e pamjaftueshme për partitë politike të shpartalluara nga dëshira për pushtet. Zgjedhjet e parakohshme i konvenojnë vetëm LDK-s, sepse, në gjendjen aktuale, është e vetmja parti, që sado që ka vërejtje, është me e mira për qeverisjen e vendit ” është shprehur Zogaj.

Blerim Burjani analist politik ka pohuar se ky koalicioni mund të funksionojë edhe për një kohë, por gjithçka varet edhe nga rrethanat që do të vihen në politikë, pasi nuk ka siguri nëse zgjedhjet mund të ndodhin.

Ai ka deklaruar se nëse këto zgjedhje nuk ndodhin deri në qershor atëherë nuk besoj se dy palë zgjedhje do të mbahen përnjëherë në tetor pra me zgjedhjet lokale nuk e besoj.

“Ky koalicion ka dështuar të reformohet dhe të vlerësohet puna e ministrave, të reduktohet numri i ministrive, por ka edhe disa suksese si përshkallëzimi i Tvsh apo reforma financiare ,faljes  e burgjeve, reforma e përmendur pensioneve .PDK nuk i frikohet zgjedhjeve, por nuk e dimë se a do te mbetet partia e parë, sidoqoftë edhe LDK-ja, nuk ka interes për zgjedhje fare të parakohshme por as garancinë se do të këtë votues dhe përqindje më të madhe. Pra ka frikë të përgjithshme edhe ne bllokun opozitar disa as pragun s’do të mund të kalojnë , e disa do të reduktohen dukshëm. Pra ka një mos interesim edhe te qytetarëve sepse dalja mund te reduktohet dukshëm”, ka thënë Burjani.

Avni Arifi anëtar i AAK-së, ka thënë se kjo është çështje e definimit të fjalës funksional.

Sipas tij, nëse mendohet në terminale, blerje të votës nga deputetët dhe marrëveshjet se si të ndahet "gjahu" mund të pajtohemi se bukur funksional ka qenë, e nëse mendoni funksional në kuptim të zhvillimit të vendit dhe vendosjes së qeverisjes së mirë mund të konstatojmë se ishte jashtë funksionit për pjesën më të madhe të kohës.

“Kritikat ndaj njëri tjetrit janë kryesisht sa për të ngritur pazaret qoftë personale apo qoftë ato partiake por asgjë parimore në këtë drejtim nuk ka”, ka thënë Arifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat