Viti 2017 në Kosovë, kryeqyteti vazhdon traditën e Vitit të Ri, festohet në Shesh

Aktuale

Viti 2017 në Kosovë, kryeqyteti vazhdon traditën e Vitit të Ri, festohet në Shesh

Më: 31 dhjetor 2016 Në ora: 23:57
Pamje nga festimet ne Prishtine

(E plotësuar) - Komuna e Prishtinës edhe këtë vit e vazhdoi traditën e organizimit të pritjes së vitit të ri në sheshin “Zahir Pajaziti”, traditë kjo e cila mblodhi shumë qytetarë.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Besart Vllahinja tha se ndjehet i nderuar që pjesëmarrësit në shesh janë në numër të madh, si dhe shprehi falënderimin për artistët që performuan në natën e ndërrimit të moteve, ndërsa uroi që viti 2017-ta të jetë një vit i mirë me shumë suksese dhe mbarësi. 

“Po më vjen mirë që keni dalë masovikisht, po e falënderoj Xuxin edhe gjithë artistët që kanë vendos sonte bashkë me juve me prit ndërrimin e motmoteve. Po e shfrytëzoj rastin me ju uruar një vit të mirë me shumë suksese dhe mbarësi, po i shohim disa fishekzjarrë të bukura”, tha Vllahinja.

Pas kalimit të orës 00:00 dhe ndezjes së fishekzjarrëve, disa qytetarë që kishin dalë të presin ndërrimin e moteve në shesh, treguan se çfarë presin nga viti 2017.

Fuat Islami i uroi Vitin e ri të gjithëve dhe tha se pret që të ketë më shumë paqe dhe dashuri mes njerëzimit.

Islami: Të mbretëroj paqja

“Së pari urime gjithë njerëzimit, kudo anembanë botës urimi viti i ri 2017 dhe pres çdo të mirë në jetë, uroj që të ketë paqe, harmoni, dashuri, mirëqenie sociale, të prosperojë njerëzimi dhe çdo të mirë në jetë i dëshiroj gjithkujt”, tha Islami për KosovaPress.

Ndërsa, Bashkim Avriqi, tha se pret që të ketë më shumë shëndet, barazi dhe paqe mes njerëzve, si dhe vend punime dhe humanitet.

Avriqi:  Shëndet, barazi, paqe

“Shëndet, barazi, paqe. Punësim më shumë, të varfërve me ju ndihmuar, drejtësi”, tha Avriqi.

Kastriot Salihu, tha për KosovaPress se gjëja e vetme që dëshiron për vitin e ri 2017, është që të ketë më shumë shëndet, më pas të gjitha arrihen.

Salihu: Shëndeti mbi të gjitha

“Ishalla veç e kena shëndetin, e tjerat vijnë krejt”, tha Salihu.

Qytetarja Njomza Shabani, tha se gjatë vitit të ri pret më shumë gjëra të mira, si dhe tejkalimin e problemeve me të cilat po përballen qytetarët.

Shabani: Presim gjëra më të mira

“Presim gjana ma të mira se viti i shkuar. Problemet që janë tash për tash me rininë edhe me krejt, problemet që janë t’u ndodh në shtetin tonë, po shpresojmë që kanë me ndryshuar edhe që kanë me qenë shumë ma mirë”, tha Shabani.

Selvete Hotlani, edhe pse skeptike, tha që pret diçka më të mirë ndoshta, të bëhet më shumë për rininë dhe popullin në përgjithësi.

Hotlani: Diçka ma mirë

“Diçka ma mirë ndoshta. Diçka ma mirë për Kosovën mu bë për popull, për rininë”, tha Hotlani për KosovaPress.

Ndërsa, Iliri i pyetur se çka pret nga viti 2017 u shpreh duke thënë se, pret që të bëhet më mirë, mirëpo sipas tij gjithçka varet nga zyrtarët, andaj edhe duhet të punojnë më shumë që të bëhet liberalizimi i vizave, sepse jemi në mjerim të madh.

Iliri: Presim mu bo ma mirë

“Presim mu bo ma mirë. Varet prej zyrtarëve tonë atje, me pas populli punë. Pres zyrtarët tanë me punuar më shumë, mu bo liberalizimi i vizave për këtë popull edhe tjetër nuk di çka me thanë unë, se jena me një mjerim shumë të madh, por populli e rinia e jonë nuk është t’u e pa atë, kaq tjetër s’po di”, tha Iliri./

Fillon Viti 2017 në Kosovë

Ka filluar Viti 2017 në Kosovë, ku për dallim nga vitet tjera, këtë vit në Prishtinë fishekzjarrët u ndezën në minutat e fundit të Vitit 2016.

Shumë qytetarë edhe kësaj here kanë ndalur për ta pritur Vitin e Ri në sheshet e Prishtinës.

Festimi i Vitit të Ri 2017 në Prishtinë (Drejtpërdrejt)

Ndiqeni ceremoninë e ndërrimit e viteve në Prishtinë, në Sheshi “Zahir Pajaziti”.

2017-a troket në Shqipëri! Spektakël fishekzjarresh në Tiranë

Viti i ri ka trokitur edhe në Shqipëri.

Mes fishekzjarreve që si cdo vit nuk i gjen vetëm në sheshin qendror të kryeqytetit, por edhe nga vetë qytetarët që i hedhin ata nga dritaret e banesave, Shqipëria i dha mirëseardhjen një viti të ri, 2017-ës. 

Në Tiranë dhe në qytetet e tjera, gra e burra, fëmijë e të rinj e pritën 2017-ën mes dashurisë së njëri-tjetrit duke ndjekur spektaklin e fishekzjarreve të organizuara nga bashkitë. Ndërkohë shumë të tjerë pas darkës familjare në shtëpitë e tyre, ju drejtuan klubeve për të kaluar momente feste mes miqsh. 

Në Tiranë vijon të mbetet traditë festa në klubet në zonën e ish-bllokut, që si cdo natë të ndërrimit të viteve janë të tejmbushura. Nuk mungojnë edhe abuzimet me cmimet në pije, por ka edhe nga ato lokale që ruajnë cmimet si në ditët e zakonshme. 

Mesazhe të shumta për më shumë paqe, begati, mbarësi e sukses, janë shpërndarë më herët mes të afërmve, kolegëve e tënjohurve, ndërsa pasi akrepat shënojnë 00:00 radha i lihet kërcimit dhe pijes. Në rrugët e kryeqytetit shqiptar janë marrë masat nga shqërbimet e policisë, por edhe të shërbimit të urgjencës për rastet kur mund të tejkalohet me alkoolin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat