Demolli: FSK e gatshme për ushtri, transformimi në ‘duar’ të Kuvendit

Aktuale

Demolli: FSK e gatshme për ushtri, transformimi në ‘duar’ të Kuvendit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 3 janar 2017 Në ora: 10:41
Ministri i FSK-së, Haki Demolli

Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon ta ketë të pandryshueshëm statusin e saj.

Ka kohë që flitet për transformimin e FSK-së në ushtri, mirëpo ende nuk është bërë dhe vazhdon të jetë një çështje për të cilën po punohet.

Ministri i FSK-së, Haki Demolli, në një intervistë për gazetën Bota sot, ka thënë se MFSK i ka kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për transformim dhe se FSK-ja është e gatshme për transformim në Forcë të Armatosur të Kosovës.

Ai ka shpjeguar procedurat që duhet ndjekur, për të filluar procesi i transformimit të FSK-së.

‘Ministria e FSK-së e ka themeluar Departamentin për Transformim dhe Standardizim i cili ka punuar gjatë tërë kohës dhe është në prag të finalizimit të Pakos së dokumenteve të planifikimit strategjik, që nënkupton Konceptin e Implementimit të rekomandimeve të RSSS-së, si dhe Planin e Veprimit për implementimin e rekomandimeve, pastaj strukturën e Ministrisë së ardhshme të Mbrojtjes si dhe të Forcave të Armatosura të Kosovës bazuar në misionin e ri dhe detyrat esenciale. Po ashtu është hartuar edhe Plani  Afatgjatë (2017-2026)  i  Zhvillimit të Forcave të Armatosur, i cili është zbërthyer në faza konkrete dhe të detajuara përmes planeve mbështetëse. Kuptohet është planifikuar që pas këtij procesi, të fillojë edhe zbatimi i planeve të transformimit të njësive, komandave dhe shtabeve si dhe fillimi i krijimit të kapaciteteve të reja’, ka thënë ministri Demolli.

Tutje, ai shton se Draft ligji për Plotësim dhe Ndryshimin e Ligjeve duhet të aprovohen në Kuvend që të fillojë procesi për transformim të FSK-së.

‘Komfor këtyre rekomandimeve, MFSK ka hartuar Draft ligjin për Plotësim dhe Ndryshimin e Ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës, të cilin ia ka proceduar Qeverisë së Kosovës, e cila sigurisht pas aprovimit nga Kuvendi i Kosovës të amendamenteve kushtetuese që kanë të bëjnë me transformimin e FSK-së në Forcë të armatosur, të njëjtin draft ligj do t’ia procedojë Kuvendit për shqyrtim dhe aprovim.

Me aprovimin e këtyre dy dokumenteve kushtetuese ligjore do të fillojë faza e parë e procesit të transformimit të FSK-së në Forcë të armatosur, respektivisht do të krijohet baza ligjore dhe kushtetuese për zhvillimin dhe përfundimin e këtij procesi tejet të rëndësishëm për vendin tonë.

Sa  i përket procesit të transformimit, për fund duhet theksuar edhe faktin se deri me tani  Ministria e FSK-së ka punuar në hartimin e Draftit të Doktrinës së Përgjithshme të FAK-ut, pastaj Librit të Bardhë, si dhe është në pritje të hartimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare për të iniciuar dhe hartuar më pas Strategjinë e Mbrojtjes.  Përkundër këtij fakti, MFSK ka bërë përgatitjet e duhura lidhur me hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes duke identifikuar përmbajtjen dhe dosjen për hartimin e saj’, ka deklaruar Demolli për gazetën Bota sot.

Duke folur për një afat kohor se kur pritet transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur, ministri Haki Demolli thotë se shpreson që 2017 të jetë vit i ndryshimeve, kur do të aprovohen ato akte në Kuvend dhe të realizohet ëndrra për ushtrinë.

‘Për transformimin e FSK në Forcë të Armatosur, kushti kryesor është aprovimi i Amendamenteve Kushtetuese dhe Projekt ligjit për Transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Është e ditur se këto dy veprime duhet të zhvillohen në Kuvendin e Kosovës, andaj duhet ritheksuar se, fillimi i tërë procesit të transformimit është “në duar” të Kuvendit të Kosovës, vendimi i të cilit do të jetë i mirëpritur jo vetëm nga MFSK-ja dhe të gjithë pjesëtarët e  FSK-së, por thellësisht jam i bindur edhe nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Andaj shpresoj dhe dëshiroj që viti 2017, të jetë vit i ndryshimeve, gjatë të cilit, do të aprovohen këto akte në Kuvendin e Kosovës dhe kështu do të realizohet një ëndërr e kamotshme e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës’, ka deklaruar Demolli./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat