Tahiri i shkruan BE-së për ndalimin e Haradinajt: Duhet të veprojmë me masa reciproke

Aktuale

Tahiri i shkruan BE-së për ndalimin e Haradinajt: Duhet të veprojmë me masa reciproke

Më: 4 janar 2017 Në ora: 23:16
Edita Tahiri

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se ndalimi i ish – kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, është akt primitiv që po e dëmton frymën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo ka thënë se “fletarresti i Serbisë për shefin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është akt arbitrar që tregon, sipas saj, barbarinë e politikës serbe e cila kapitulloi në Kosovë nga lufta e UÇK-së dhe e Aleancës veri-atlantike”.

“Me këto akte primitive, Serbia jo vetëm që po dëmton frymën e dialogut për fqinjësi të mirë, por po dëshmon se është faktor destabiliteti në mbarë rajonin, për të cilën duhet të preokupohen seriozisht partnerët ndërkombëtarë”, ka theksuar Tahiri.

Ajo shprehet se në momentin që e kanë marrë lajmin për ndalimin e Haradinajt, si dikaster qeveritar i kanë drejtuar një kërkesë zyrtare Bashkimit Evropian (BE), që kjo e fundit të angazhohet për lirimin e menjëhershëm të Ramush Haradinajt, si dhe që Serbisë t’i bëhet trysni që t’i ndal këto sjellje qëllimkëqija që e dëmtojnë seriozisht dialogun e Brukselit.

“Siç e kam thënë edhe herët tjera, institucionet e Kosovës duhet te veprojnë me masa reciproke”, ka shtuar Tahiri.

Tahiri ka reaguar pranë BE-se, duke shprehur indinjatën për aktet destruktive të Serbisë që çuan në ndalimin e sotëm në Aeroportin e Bazelit të Haradinaj.

Në reagimin e saj, ajo ka thënë se Qeveria e Kosovës e konsideron këtë akt si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së lëvizjes.

“Ne e konsiderojmë këtë si një akt të papranueshëm që cenon frymën e dialogut të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve dhe dëmton rezultatet e arritura në dialog, si dhe objektivin tonë të përbashkët për krijimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Prandaj ne i bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, si lehtësues në dialog, për të ndërhyrë me Serbinë për të tërhequr urdhër-arrestet politike, arbitrare ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe të respektojë frymën e dialogut dhe parimet evropiane”, thuhet në letër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat