Thaçi: Pritja që po më bëhet në Uashington konfirmon miqësinë e vendeve tona

Aktuale

Thaçi: Pritja që po më bëhet në Uashington konfirmon miqësinë e vendeve tona

Më: 9 janar 2017 Në ora: 10:49
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka filluar vizitën e lartë zyrtare në SHBA, ku sot në agjendë ka një takim me zëvendëskryetarin në shkuarje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, njofton zyra për media e Presidencës.

Thaçi do të vizitojë edhe Senatin amerikanë, ku takimin e parë do ta ketë me senatorin Bob Corker, kryesues i Komisionit për Punë të Jashtme në Senatin amerikan.

Pastaj do të takohet me senatoren Joni Ernst, republikane nga Iowa, me senatorin John McCain, si dhe me senatorin Jim DeMint, ndër figurat më të spikatura të Partisë Republikane dhe kryesues i “The Heritage Foundation”- think-tankut më me ndikim në formimin e ekipit tranzitor të presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Në Kongresin Amerikan, presidenti Thaçi do të takojë kongresmenin Eliot Engel dhe kongresmenin Michael Turner, i cili është edhe kryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s.

Ndër takimet të tjera të rëndësishme është edhe ai me Bob Doll, ish-senator dhe një ndër zërat më të fuqishëm për Kosovën në Uashington, i afërt edhe me ekipin e presidentit të zgjedhur, Trump.

Në të gjitha këto takime, presidenti Thaçi do të diskutojë vazhdimin e bashkëpunimit të Kosovës me SHBA-në dhe thellimin e tij, thuhet në komunikatën e Presidencës.

“Vizita ime dhe pritja që më bëhet në Uashington është konfirmim i miqësisë speciale dhe të përhershme që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, është shprehur presidenti Thaçi në fillim të vizitës së tij në Uashington.

“Me ndryshimet në botë, miqësia jonë me SHBA-në- raporti ynë special, është vital për të ardhmen e Kosovës, për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka përfunduar presidenti Hashim Thaçi. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat