Edhe Prizreni proteston për lirimin e Haradinajt

Aktuale

Edhe Prizreni proteston për lirimin e Haradinajt

Më: 11 janar 2017 Në ora: 12:26
Protesta në Gjilan për Ramush Haradinajn

(E plotësuar) - Me moton “Kundër fyerjes dhe padrejtësisë” në qytetin e Prizren është mbajtur një protestë gjithë popullore, për lirimin e ish kryeministrit dhe liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj,

E deputeti i Nismës Zafir Berisha para protestuesve tha se me çdo kusht do t’i mbrojnë  vlerat e UÇK-së dhe gjithçka që është arritur me luftë dhe sakrificë.

 Berisha: Me çdo kusht do ta mbrojmë atë që është arritur me luftë e sakrificë

“ Vazhdimisht jemi mundu, jemi angazhu, që të ardhmen dhe perspektiven e këtij vendi ta ngrisim mbi vlerat e UÇK-së, mbi sakrificën dhe gjakun që u derdh për këtë vend. Mirëpo Serbia fashiste vazhdon të jetë Serbi e Millosheviqit dhe për fatin e keq me ndihem e disa pa kurrizorëve, vazhdon të jetë shtet armik i Kosovës dhe të mos e pranoj realitetin e krijuar nga lufta e lavdishme e UÇK-së. Për orë të tëra dje jemi mundu t’i bindim të gjithë, që mbi të gjitha është Kosova dhe UÇK,  por ja që për fatin e keq të vendit dhe qytetarëve të Kosovës, ka të tillë që më të rëndësishme i konsiderojnë bisedimet me Serbinë se vet Kosovën, në të cilën thirren dhe pretendojnë se e përfaqësojnë. Ne qytetarët e Kosovës jemi të vendosur që ajo që është arritur me luftë dhe sakrificë, të mbrohet me çdo kusht. Në asnjë mënyrë nuk jemi kundër miqve ndërkombëtar, në kët ë rast dhe Francës, mirëpo jemi për ta mbrojtur ADN-së e këtij vendi dhe ADN-ja e këtij vendi është UÇK”, tha ai.

Kryetari i AAK-së në Prizren  Lulëzim Kabashi tha se Ramush Haradinaj gjithmonë po goditet, në kohën kur Kosova i ka punët më së ngushti e më së keqi.

Image

Kabashi: Haradinaj gjithmonë goditet kur Kosova i ka punët ngushtë

 “Jemi në prag të nëntë vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në këtë rrugë të gjatë të shtet ndërtimit, nuk po arrijmë të tregojmë forcën tonë, për sovranitetin e shtetit. Lideri ynë dhe i Kosovës Ramush Haradinaj, po goditet çdo herë në kohën, kur Kosova i ka punët më së ngushti e më së keqi. Pse e godasin atë. Sepse është i vetmi i patejkalueshëm,  kur është në pyetje mbrojtja e shtetit dhe atdheut. Sot  edhe unë ashtu si ju dhe të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë, që po solidarizohemi si kurrë më parë me luftëtarin e  pashoq z. Ramush Haradinaj.. Lufta e popullit shqiptar për liri pavarësi, sakrificat sublime për të realizuar vullnetin e dëshmorëve, që luftuan për lirinë e shtetit, po nëpërkëmbën pikërisht për shkak të politikës së mbrapsht të Qeverisë së Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq deputeti  Bali Muharremaj tha se po përkrahin heroin e gjallë të Kosovës Ramush Haradinajn.

Muharremaj: Po përkrahim heroin tonë të gjallë

“Sot jemi grumbulluar këtu të shprehim  përkrahjen tonë, për heroin tonë të gjallë Ramush Haradinaj. Dhe në të njëjtën kohë, të tregojmë indinjatën tonë të madhe me situatën e krijuar dhe e cila s’është e re, por vetëm po riciklohet vazhdimisht në dëm të Kosovës dhe në llogari të Serbisë. Vazhdimi i bisedimeve në Bruksel, në formën më dilitante të mundshme, është shembulli më i keq që tregon se si Kosova nuk bënë të vazhdojë të dëmtoj dhe më tutje shtetësinë e vet dhe futjen në agjendë të bisedimeve me Serbinë dhe çështje ekskluzivisht të brendshme”, tha ai.

Ndryshe, protesta në kërkim të lirimit të Liderit të AAK-së Ramush Haradinaj, janë mbajtur dhe në disa qytete tjera si në Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Gjakovë dhe Ferizaj.

Gjilani kundërshton arrestimin e Haradinajt

Me moton “Ramushi është Kosova” është mbajtur protesta në Gjilan, ku është kundërshtuar arrestimi dhe mbajtja e Ramush Haradinajt në Francë.

Në këtë protestë ishe edhe nënkryetari i AAK-së Ahmet Isufi, i cili tha se ndalimi në paraburgim i Ramush Haradinaj e ka një mesazh për institucionet e Kosovës se duhet të veprohet si shtet.

Sipas tij nuk mund të ndalet një njeri i cili ka luftuar për liri të popullit të tij, përderisa kriminelët shëtitën të lirë.

Isufi: Institucionet duhet të veprojnë si shtet

“Ndalimi në paraburgim i Ramush Haradinaj e ka një mesazh për institucionet e Kosovës se duhet të veprohet si shtet, nuk mund të ndalet një njeri i cili ka luftuar për lirinë e popullit të vetë e në të njëjtën kohë kriminelët të shëtitën edhe në territorin e Kosovës edhe në Serbi pa u prekur nga drejtësia, kur e dimë që Serbia ka zhvilluar katër luftëra të njëpasnjëshme të cilat kanë pasë për qëllim shfarosjen e popujve të tjerë. Serbia në vend se të paguaj çmimin për luftën që e ka bërë, për dëmet që ia ka sjellë Kosovës, tash për të balancuar politikisht disa nga shtetet të cila ende po mendojnë së duhet të bëhet pajtim me Beogradin po bëjnë veprime në dëm të interesit të Koosvës de qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Isufi tha se institucionet e Kosovës përfundimisht duhet të marrin vendim që të mos vazhdojnë bisedimet dhe dialogun me Serbinë, pasi që sipas tij kjo nuk e ka asnjë kuptim.

Isufi: Në Francë është ndaluar liria e Kosovës

“Institucionet e Kosovës përfundimisht duhet të marrin vendim që të mos vazhdojnë bisedimet dhe dialogu më, se nuk e ka asnjë kuptim. Nuk e ka asnjë kuptim sepse deri këta bëjnë bisedime Serbia me një lisë të skaduar e cila nuk ka asnjë përbërje esenciale për akuzë dhe që thirret në një krijesë që nuk ekziston më Serbi e Mal i Zi. Paramendojeni me një flet arrest të tillë është ndalur Ramush Haradinaj. Kjo mënyrë e sjelljes e shteteve të cilat e përfillin këtë listë tregon se e ka hilen prapa, prandaj edhe ata që mendojnë se mund ta zbehin, mund ta dobësojnë Kosovën duke qenë në shërbim të interesave të huaja dhe të atyre që nuk ja duan të mirën Kosovës”, tha ai.

Nënkryetari i AAK-së ka kritikuar edhe deputetët e Kosovës të cilët mbrëmë nuk arritën që të nxjerrin një Rezolutë ku do të kërkohej lirimi i Haradinajt.

Ndërsa, nënkryetari i Komunës së Gjilnit dhe kryetari i AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu, tha se sot janë këtu për kauzën e vetme dhe të mirëfilltë të shqiptarëv, sipas tij për kauzën kombëtare.

Kadriu: Haradinaj nuk kurseu asgjë për Kosovën

“Sot ne jemi këtu jo për ndonjë kauzë politike apo partiake, por për një dhe të vetmen kauzë të mirëfilltë të shqiptarëve, për kauzën kombëtare. Ka qenë dhe mbetet kjo kauzë më e madhe se gjithçka tjetër për ne. Për këtë kauzë zoti Haradinaj dhe anëtarët e familjes dhanë , dhanë anëtarët e familjes, poste dhe pushtet dhe gjithçka nga vetja e vet, ai nuk është kursyer asnjëherë për Kosovën, për lirinë dhe për pavarësinë e shtetit. Ai u bë dhe tash është hero i gjallë i vendit tonë. Në Francë është ndaluar liria e Kosovës, aty është ndaluar lufta e drejtë e UÇK-së, aty u ndalua dinjiteti shqiptar”, tha ai.

Anëtari i kryesisë së OVL-së dega në Gjilan ,Shaqir Shaqiri, tha se luftëtaret e lirisë janë  për të ngritur zërin e mospajtimit me veprimin e padrejtë të Francës për arrestimin e Ramush Haradinajt dhe se arrestimi i luftëtarëve të lirisë në bazë të kërkesave që Serbia ka dërguar në Interpol sipas tij është më shumë se absurditet.

Shaqiri: Edhe ne veteranët kundërshtojmë arrestimin e Haradinajt

“Ne ish luftëtaret e lirisë sot veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me familjarët e dëshmorëve të kombit jemi mbledhur këtu që në mënyrën më paqësore të mundshme të ngrejmë zërin e mospajtimit dhe të protestës lidhur me veprimin absolutisht të padrejtë të shtetit Francez i cili me 4 janar arresti komandantin e UÇK-së gjeneralin e luftës së UÇK-së dhe luftëtarin e paqes z. Ramush Haradinaj dhe jo vetëm Francës por nga këto protesta paqësore ne luftëtarët e lirisë u themi të gjithë shteteve e veçanërisht atyre që na kanë njohur si shtet se arrestimi i luftëtarëve të lirisë në bazë të kërkesave që Serbia ka dërguar në Interpol është më shumë se absurditet”, tha ai.

Ish kryeministri i Kosovës dhe Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është arrestuar në Francë me një flet arrest të lëshuar nga Serbia për krime lufte.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe në qytetet kryesore të Kosovës.

Protesta në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni për lirimin e Ramush Haradinajt

Nën organizimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në disa qytete, përfshirë, Gjilanin, Ferizajn, Pejën, Gjakovën dhe Prizrenin po zhvillohen protesta me kërkesën kryesore për lirimin e Ramush Haradinajt, i cili po mbahet në paraburgim nga autoritetet franceze, sipas një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Protesta në ngjashme mbahen edhe në Tiranë dhe Shkup. Kurse javën e kaluar një e tillë është organizuar në Prishtinë.

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministër i Kosovës dhe ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ndaluar më 4 janar nga autoritetet franceze mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat