Akuzat për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, ja përgjigja e Limajt për vrasjen

Aktuale

Akuzat për vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit, ja përgjigja e Limajt për vrasjen

Më: 13 janar 2017 Në ora: 10:48
Foto arkiv/Fatmir Limaj

(E plotësuar) - Është mbajtur shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku Fatmir Limaj është paraqitur në cilësinë e të akuzuarit për krime lufte. Prokurorja Drita Hajdari, ka lexuar aktakuzën kundër Limajt me anë së cilës akuzohet se ka kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Limaj akuzohet për krime lufte që lidhen me vrasjen e dy  civilëve të ndodhur më 2 tetor të vitit 1998 në komunën e Malishevës. Ishte  prokurorja e prokurorisë speciale Drita Hajdari që e lexoi aktakuzën ndaj tij.

 Në aktakuzë mes tjerash thuhet se Limaj gjatë luftës në Kosovë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si komandant ushtarak i Brigadës 121 ka shkelur rëndë nenin 3 që është i përbashkët për 4 konventat e Gjenevës të datës 12 gusht 1949 në atë mënyrë që nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave për ta parandaluar apo ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishit nga fshati Banjë.

Sipas aktakuzës të lexuar nga prokurorja Hajdari, Limaj nuk u angazhua as për zbardhjen e këtyre dy vrasjeve.

Hajdari: Limaj nuk ka parandaluar vrasjet e dy civilëve

 “Në atë mënyrë që nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij, për të parandaluar apo për të ndal vrasjen e Ramiz Hoxhës, nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë. Të cilët me arsyetim se janë bashkëpunëtorë të okupatorit, me datën 2 tetor  1998 janë marrë në fshatin Bellanicë, komuna e Malishevës, i cili fshat ishte në zonën e përgjegjësisë së Brigadës 121. Dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari, në atë mënyrë që 4 pjesëtarë të UÇK-së, të maskuar dhe të armatosur deri tani të paidentifikuar, rreth orës 13:00 kanë ardhur në fshatin Bellanicë me  veturën Golf(krem), pa targa, kanë hyr në shitoren Meti, ku ishte tani i ndjeri Selman Binishi. E kanë goditur me grusht në kokë, e kanë nxjerr nga shitorja dhe e kanë futur në bagazhin e veturës. Pastaj, kanë shkuar para xhamisë së fshatit dhe kanë kërkuar nga fshatarët, të cilët dolën nga xhamia, pas faljes së namazit që t’ua dorëzojnë imamin e xhamisë, Imer Hoxha. E duke menduar që vërtet do të shkojnë tek shtëpia e tij, në veturë kanë hyrë edhe Hajriz Hoxha. Personat e maskuar janë larguar në drejtim të daljes së fshatit, pasi që ndërkohë  të cilët i treguan se personat e maskuar, i kanë detyruar që të zbresin nga vetura. Ata i takuan të pandehurit Fatmir Limaj dhe Skendër Hoti, që të dy të veshur me uniforma të UÇK-së. Të cilët ishin ndalur me veturë buzë rrugës”, tha Hajdari.

 I akuzuari Fatmir Limaj tha se nuk ndihet fajtor për këtë akuzë ndërsa sipas tij kjo aktakuzë është tërësisht e shpifur, e motivuar, e stimuluar për qëllime, të cilat gjatë gjykimit do të dëshmohen.

 Kryetari i Nismës shpreson se do të zbardhet mirë motivi i krejt kësaj maskarade që është bërë në këtë prokurori.

 Limaj: Aktakuzë e shpifur

“Natyrisht, që nuk ka ndonjë arsye. Kjo aktakuzë tërësisht është e shpifur, e motivuar, e stimuluar për qëllime që besoj gjatë gjykimit. Shpresoj që të zbardhet mirë motivi i krejt kësaj maskaraje që është bërë”, tha Limaj

Nga ana tjetër avokati mbrojtës I Limajt Tahir Rrecaj kontestoi përgjegjësinë komanduese të Limajt në kohën kur kanë ndodhur këto vrasje në Malishevë.

Rrecaj: Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka marrë përgjegjësinë për këto vrasje

 “Aktakuza kundër Limajt nuk është e mbështetur në prova. Z.Limaj akuzohet për përgjegjësi komanduese, mirëpo në aktakuzë nuk janë dhënë arsye lidhur me asnjërën prej atyre karakteristikave, që e karakterizojnë përgjegjësinë komanduese siç është: kontrolli efektiv mbi një territor të caktuar, kontrolli efektiv mbi varësit e vet. Fakti që z.Limaj, e ka ditë para se me ndodhë vrasja, që ky nuk e ka ditë atë. Nuk ka qenë në përgjegjësi në asnjë mënyrë që z.Limaj të ndërmarr masa për zbulimin eventual të kryesit, sepse kjo ka qenë përgjegjësi e Shtabit të Përgjithshëm. Ka qenë një komunikatë që Shtabi i Përgjithshëm, e ka marr përgjegjësinë për vrasjen e atyre personave. Tani komunikata a është e vërtetë apo jo, është çështje e Prokurorisë. Sidoqoftë, vet fakti se ajo komunikatë ka dal në media, tregon se në atë kohë ka qenë kompetencë e Shtabit të Përgjithshëm dhe Drejtorisë Juri dike apo Gjykatës Ushtarake, që të ndërmarrin masa për hetimin, zbulimin dhe gjykimin e personave të dyshuar...Unë besoj që aktakuzë do të hedhet poshtë, z.Limaj do të lirohet nga aktakuza sepse nuk mban asnjë lloj përgjegjësie për këto vrasje të pretenduara”, tha avokati Rrecaj.

Aktakuza ndaj Fatmir Limajt është ngritur në tetor të vitit që shkoi nga Prokuroria Speciale.

Përndryshe Aktakuza ndaj Limajt për krime lufte u ngrit nga Prokuroria Speciale në tetor të 2016.

****

Ka përfunduar shqyrtimi fillestar në Gjykatën Themelore të Gjakovës, ku Fatmir Limaj është paraqitur në cilësinë e të akuzuarit për krime lufte.

Prokurorja Drita Hajdari, ka lexuar aktakuzën kundër Limajt të cilin e akuzon se ka kryer krime lufte gjatë luftës në Kosovë.

Limaj akuzohet se nuk ka ndërmarr masat e nevojshme për të parandaluar ose zbuluar vrasjen e Ramiz Hoxhës nga Bellanica dhe Selman Binishit, që kishin ndodhur me 2 tetor të vitit 1998, trupat e të cilëve janë gjetur në hyrje të fshatit Kravasari.

Në aktakuzë thuhet se motivi i vrasjes së tyre ka qenë se ata kanë qenë bashkëpuntorë të Serbisë.

Për këto vepra Limaj akuzohet se ka shkelur rend Konventat e Gjenevës.

Por, vet Limaj është deklaruar i pafajshëm dhe këtë aktakuzë e ka quajtur të shpifur.

Nis Seanca Gjyqësore ndaj Fatmir Limajt

Kryetari i Nisma për Kosovën Fatmir Limaj, në mëngjesin e sotëm është paraqitur në Gjykatën Themelore të Gjakovës.

Limajt i është ngritur aktakuzë për krime lufte që lidhet me dy vrasje të civilëve shqiptarë në Komunën e Malishevës.

Vrasja sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka ndodhur gjatë periudhës së luftës derisa Fatmir Limaj ishte pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121.

Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj për mos-ndërmarrje të masës së arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo ndaluar vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Sipas Prokurorisë Speciale, Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, më 2 tetor 1998 janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat