Veseli garanton rrënimin e murit në veri gjatë muajit shkurt

Aktuale

Veseli garanton rrënimin e murit në veri gjatë muajit shkurt

Më: 16 janar 2017 Në ora: 11:56
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli

(E plotësuar) - Muri dhe trenat e Serbisë në veri të Kosovës nuk do të tolerohen. Serbia ka marrë fund një herë e përgjithmonë nga Kosova. Kështu tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas mbledhjes së Kryesisë.

Kreu i Kuvendit, garantoi se brenda këtyre dy muajve muri i ndërtuar në veri do të rrëzohet, ngase është provokim i ndarjes.

Veseli: Muri ka me u rrënuar, përgjegjësinë do ta marrë Qeveria e Beogradit

“Përgjegjësinë për çdo veprim tonin, i cili do të ndodhë pas 31 janarit 2017, të jeni të sigurt që ka me ndodhë. Muri ka me u rrënuar, ka me marrë qeveria e Beogradit dhe ata të cilët janë nxitur që të ndërtojnë mure ndarëse në Kosovë…. Me lejoni të theksoj se jam shumë i preokupuar me çështjen e murit ashtu siç është i preokupuar kryeministri dhe presidenti”, tha Veseli.

Megjithatë, Veseli tha se Kosova ka interes të ketë marrëdhënie të mira bilaterale me Republikën e Serbisë, duke pasur shkëmbime tregtare dhe lëvizje të lirë të qytetarëve, por jo edhe trena të vizatuar me provokime.

Veseli: Nuk kemi nevojë për trena me vizatime

“Mos të politizohet shumë, çështja e trenit ka qenë një provokim artificial nga ana e Qeverisë së Beogradit, me do vizatime për me provokuar sovranitetin e Kosovës. Kemi punë edhe më të mençur me bërë, sesa me pasur provokime të tilla. Si do që të jetë qytetarët tonë duhet të kenë besim të plotë te institucionet e Kosovës dhe te sovraniteti I Kosovës. Nuk do të lejojmë as një provokim… trena me vizatime nuk ka nevojë, ka nevojë për transport të qytetarëve, të cilët promovojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Falënderojë të gjitha institucionet e Kosovës, ka pasur një bashkërendim të jashtëzakonshëm, e koordinuar mes presidentit, kryeministrit. Në të njëjtën kohë bashkërisht kemi qenë të koordinuar”, tha Veseli.

Ai duke treguar se Kosova është shtet me sovranitet të plotë, theksoi se askush nuk mund të bëjë çfarë të dojë në Kosovë, duke aluduar në Serbinë. Veseli, duke falënderuar institucionet e Kosovës dhe policinë, tha se në bashkërendim të gjitha institucionet kanë bërë të pa mundur provokimin e Serbisë.

Veseli: Në Kosovë nuk mundet të bëjë kush çka donë

“Më së shumti i falënderoj ata punonjës të shtetit, të cilët kanë bërë të mundur që pa asnjë provokim, pa asnjë inati, vetëm me treguar se ky është shtet, edhe këtu nuk mundet të bëjë kush çka donë. Republika e Kosovës, nuk ka asnjë varsh mëri nga Republika e Serbisë dhe ka marr fund një herë e përgjithmonë ndikimi serb mbi Kosovë nga Beogradi zyrtar. ne dëshirojmë që lista serbe të kthehet sa më shpejt në kuvendin e Kosovës, kanë dhe mund të japin kontribut të jashtëzakonshëm me punë n e kuvendit”, tha Veseli.

Ai tutje tha se ushtria e Kosovës dhe demarkacioni me Malin e Zi, mbeten prioritet për këtë, ngase demarkacioni, sipas Veselit, ka humbur fuqinë institucionale për vitin që shkoi. Ai tha se Kosova është vonuar dhe dëmtuar për mos arritjen e demarkacionit.

Veseli: Presim shumë shpejt ta transformojmë FSK dhe ta miratojmë demarkacionin

“Në të njëjtën kohë, siç presim shumë shpejt ta transformojmë edhe forcën e sigurisë së Kosovës dhe demarkacionin, ngase janë interesa vitale të qenësisë së shtetit tonë dhe sovranitetit…. Kuvendi do ta vendosë se a do të kalon, por unë barti vetëm qëndrimin politik. Demarkacioni e ka dëmtuar shumë fuqinë politike të institucioneve të Kosovës dhe vet sovranitetin tonë. Ne duhet të përcaktojmë saktësisht kufijtë tanë dhe sovranitetin tonë… ne kemi interes ku pasi ta përfundojmë shënimin e kufirit me malin e zi, menjëherë ta përfundojmë shënimin e kufirit edhe me Serbinë...Andaj, jemi duke u vonuar, jemi duke dëmtuar vetveten me çështjen e demarkacionit. Një ditë e më parë që e kalojmë përmes një koncensusi është më mirë për Kosovën”, tha Veseli.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, për murin, tha se kompetencat janë shumë të qarta dhe janë të ndara, sipas tij, kjo është në kompetencë të komunës së Mitrovicës, por sigurisht pastaj edhe Ministria e Mjedisit është edhe ajo që duhet të mirret me këtë çështje.

Mirëpo, sipas Beqirit, pavarësisht provokimeve dhe kërcënimeve serbe ndaj Kosovës, dialogu duhet të vazhdojë me Serbinë.

Beqiri: Pavarësisht kërcënimeve, kjo nuk duhet të ndërlidhet me dialogun

“Unë mendoj që institucionet tona ashtu siç e kemi thënë dhe është thënë nga përfaqësuesit e institucioneve kanë vepruar drejt, kanë kryer një obligim kushtetues dhe ligjor kjo është me rëndësi dhe vendosmëria e institucioneve dhe shtetit të Kosovës në mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë duhet të vazhdoj në të gjitha segmentet, por kjo nuk duhet me u ndërlidh me dialog. Fundi i fundit edhe po të kishte edhe acarim edhe më të rëndë të këtyre raporteve prapë do të duhet me dialogu”, tha Beqiri.

I pëlqeu apo jo Serbisë, Beqiri tha se Kosova është shtet i pavarur, ka policinë dhe Forcën e Sigurisë të ardhmen që pritet shpejt edhe ushtri, por sipas tij, në Kosovë është edhe një garant tjetër i sigurisë NATO-ja gjegjësisht KFOR-i.

Shefja e rupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami duke komentuar hvillimet e fundit në Mitrovicë, tha se këto janë si pasojë e dialogut jo transparent në Bruksel. Sipas saj, projektligji për Liritë Fetare vazhdon të shtyhet edhe më tej për mungesë të Listës Serbe në Kuvend.

Bajrami: Treni, muri, flet arrestet, janë si pasojë e dialogut jo transparent

“Mendoj se i gjithë dialogu deri më tani i cili është bërë nga pala jonë, i ka sjellë të gjitha këto pasoja të cilat po preokupojnë ne si shoqëri. Andaj muri, treni, flet arrestimet dhe të gjitha këto janë rrjedhojë e palës tonë e cila nuk ka qenë aq këmbëngulëse në kërkesat, ndoshta edhe fare nuk i ka paraqitë këto, ngase nuk e dimë. Dialogu nuk është transparent dhe jemi këtu ku jemi sot”, tha Bajrami.

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e ardhshme të mbahet të enjten, ku do të jetë interpelanca e ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, por jo edhe interpelancat e kryeministrit, Isa Mustafa. Kjo shtyrje për javën e ardhshme ka ndodhur për shkak të udhëtimit të kryeministrit jashtë vendit./

Veseli: Më 1 ose 17 shkurt, muri rrëzohet sigurt

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se është duke u marrë me murin ilegal në Mitrovicë, bashkë me kryeministrin Isa Mustafa dhe Presidentin Hashim Thaçi.

“Jemi duke u marrë dhe jam shumë i preokupuar më çështjen murit, ashtu si kryeministri dhe presidenti. Komuna e Veriut as nuk e di si është nderuar ai mur, atë e ka ndërtuar Qeveria e Beogradit”.

“Përmes manipulimeve të tilla Serbia dëshiron që ta mbajë peng Kosovën, duke larguar edhe investitorët e huaj”, shton Veseli.

“Murin do ta heqin Institucionet e Republikës së Kosovës. A do të ndodhë me një 1 shkurt apo me 17 shkurt, kjo do të ndodhë jeni të sigurt për këtë”, ka thënë Veseli.

“Muri është artificial dhe provokim i Serbisë. Muri do të rrëzohet për arsye se është promovim i nj koncepti që është ndarës, nuk është në interesin as të komunitetit serb”.

“Situata është serioze, pro qytetarët duhet të ndjehen të sigurt. Mos të ndjehen të kërcënuar. Nuk lejojmë mure dhe trena të Serbisë në Kosovë. Serbia ka marrë fund një e 700 vjet në Kosovë”, ka thënë Veseli para gazetarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat