Tahiri: Dialogu i Brukselit ka rëndësi për shtrirjen e sovranitetit në veri

Aktuale

Tahiri: Dialogu i Brukselit ka rëndësi për shtrirjen e sovranitetit në veri

Më: 20 janar 2017 Në ora: 14:07
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka dhënë një deklaratë për emdia në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë që lidhen edhe me dialogun e Brukselit.

“Zhvillimet negative të kohëve të fundit të nxitura nga Serbia në Kosovë kanë pasur për pasojë ndikimet në vonesat e zbatimit të marrëveshjeve, në veçanti të hapjes së urës së Ibrit e cila pas revitalizimit që është bërë është dashur të hapet sot më 20 janar 2017, mirëpo zhvillimet negative dhe tensionimet kanë bërë që Bashkimi Evropian i cili është autorizuar të bëjë hapjen, ashtu siç e bëri edhe revitalizimin, siç u hoq edhe barrikada nga ura e Ibrit,  ka shtyrë inaugurimin për arsyet e lartë përmendura”, thuhet në deklaratën e Tahirit.

 Sipas saj  edhe marrëveshja për drejtësinë e cila është dashur të zbatohet me datën 10 janar  është duke u vonuar për arsye të këtyre zhvillimeve.

“Ju bëjmë me dije se të gjitha përgatitjet për fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësinë janë bërë nga ana e Kosovës dhe zbatimi ka qenë i mundur sipas datës së paraparë, mirëpo, edhe ky proces i vonesave duhet parë në kontekstin e tensionimeve të fundit.

Ministrja Tahiri, ka përmendur edhe provokimet që ka bërë  Serbia me qëllim të destabilizimit të situatës në Kosovë dhe rajon dhe provokimet kanë qenë edhe të përmasave dramatike që përbejnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin rajonal.

“Këto destruksione të Serbisë përfshijnë: rastin e trenit ilegal, i cili u ndalua nga shteti i Kosovës, më herët kemi pasur provokimin me murin ilegal i cili do të hiqet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe Rezolutës së Kuvendit të Kosovës. Ishte po ashtu sulmi me bomba kundër shtrirjes së institucioneve të shtetit të Kosovës në komunat veriore, me rastin e inaugurimit të tyre nga Ministria e Dialogut më 28 dhjetor 2016, si dhe flet arrestet ndaj luftëtarëve të UÇK-së, më këtë rast të z. Ramush Haradinaj”, thuhet në komunikatë.

Sipas Tahirit Dialogu i Brukselit ka rëndësi të madhe sepse po mundëson shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, zhbërjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, integrimin e minoritetit serb në sistemin shtetëror të Kosovës, por edhe më shumë se kaq, dialogu i Brukselit ka kontribuar dhe po kontribuon për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe si dëshmi për këtë është Marrëveshja për Stabilizim-Asociim që faktikisht i mundësoi Kosovës që të hyjë në rrugën zyrtare të integrimit evropian dhe për të cilën votuan edhe pesë vendet jo-njohëse, sepse Kosova dëshmoi se është një shtet me vizion euroatlantik dhe promotore e paqes dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat