Protesta për Haradinajn, zhvendoset në sheshin Skenderbeu

Aktuale

Protesta për Haradinajn, zhvendoset në sheshin Skenderbeu

Më: 21 janar 2017 Në ora: 07:18
Ilustrim

(E plotësuar) - Protesta në mbështetje të Ramush Haradinajt, e caktuar të mbahej në sheshin “Zahir Pajaziti”, do të mbahet në sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë.

Kështu ka njoftuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sipas së cilës një gjë e tillë është vendosur për shkak të interesimit të madh të qytetarëve që të jenë pjesë e kësaj proteste. Protesta fillon në orën 13:00.

Protestë gjithëpopullore në mbështetje të Haradinajt

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot organizojnë protestë gjithëpopullore në mbështetje të ish-kryeministrit, ish-komandantit dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, Fadil Shurdhaj gjatë një konferencë të mbajtur dje ka thënë se protesta do të mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të fillojë në orën 13:00.

Sipas tij, nisja do të bëhet nga stacioni i autobusëve nga të gjitha komunat në ora 11:00. Ai përmendi gjithashtu se transporti është i siguruar për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e kësaj proteste.

Haradinaj është ndalur në Francë më 4 janar, në bazë të një flet arresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2014. Lideri AAK-së pas daljes para trupit gjykues është liruar me kusht, por është i detyruar të qëndrojë në Francë deri në marrjen e vendimit për lirimin e  tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat