11 vite pa heroin dhe liderin e pazëvendësueshëm të Kosovës

Aktuale

11 vite pa heroin dhe liderin e pazëvendësueshëm të Kosovës

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 21 janar 2017 Në ora: 08:44
11 vite pa Presidentin Historik Ibrahim Rugova

“Ajo që e dallon Ibrahim Rugovën nga politikanë në Kosovë, regjion e Europë është se ai ka qenë me vizion dhe me përkushtim një hap para të gjithëve. Ai ka bërë procese dhe nuk ka pritur procese. Ai ka bërë procesin dhe i ka detyruar të tjerët të merren me të. Pra, po e ripërsëris, pa të,  Kosova po ecë me hapa më të vegjël sepse këpucët e Ibrahim Rugovës të gjithëve ju bien të ngushta?”, është shprehur Lutfi  Haziri.

21 janari i shënon 11 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës dr. Ibrahim Rugova. Personaliteti dhe vepra e Presidentit Rugova vlerësohet si një monument frymëzimi për atdhedashurinë dhe paqen. Tani, kur Kosovës në shumë raste, Kosovës i cenohet sovraniteti, një figurë emblematike siç ishte ajo e Presidentit Rugova, po cilësohet si mjaft e nevojshme.   U bënë plot 11 vite që kur u shua nga jeta presidenti historik dr. Ibrahim Rugova. Njerëz që ndjekin vizionin e tij, e kujtojnë Presidentin Rugova si një nga figurat më të ndritshme për shqiptarët.   Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetar i Komunës së Gjilanit, duke kujtuar jetën dhe veprën e Presidentit Rugova, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se me veprën dhe mendimet e tij, Presidenti Rugova ishte një hap para të gjithëve.   “Unë e kam pasur nderin me presidentin Rugova si i ri, por dua ta them edhe një fakt se gabojnë të gjithë ata që thonë se kam qenë koleg i Ibrahim Rugovës. Ne kemi qenë veprimtarë që kemi zbatuar politika dhe pjesë të Rugovës sepse figura e tij, vizioni i tij e madhështia e tij nuk ka lënë shumë hapësirë as të mendosh shumë e as të debatosh shumë sepse ai ka qenë një hap të madh para çdokujt, jo vetëm në Kosovë. Presidenti Rugova njihet si themelues i shtetit të pavarur të Kosovës, themelues i lëvizjes më të madhe nacional-demokrate në fund të viteve 80-ta, lider i shqiptarëve të ish-Jugosllavisë e më vonë edhe President i zgjedhur derisa u nda nga jeta. Ishte i pamposhtur, pa e humbur asnjëherë asnjë betejë”, ka thënë Haziri për gazetën “Bota sot”.  

Image

Rugova, njeriu i proceseve të mëdha

Kryekomunari i Gjilanit, Lutfi  Haziri ka folur edhe rreth asaj, se sa një figurë si Ibrahim Rugova i mungon skenës politike të Kosovës. Ai ka thënë se, Presidenti Rugova, ka bërë procese dhe i ka detyruar të tjerët të merren me të.“I mungon shumë,  sepse ajo që e dallon Ibrahim Rugovën nga politikanë në Kosovë, regjion e Europë është se ai ka qenë me vizion dhe me përkushtim një hap para të gjithëve. Ai ka bërë procese dhe nuk ka pritur procese. Ai ka bërë procesin dhe i ka detyruar të tjerët të merren me të. Pra, thënë më shkurt, ai ka inicuar procese, ka shkaktuar procese, ka realizuar ëndrra, që për gjenerata të tëra, të gjithë ne që jemi gjallë sot dhe për gjithë ata që u sakrifikuan ne emër të asaj ëndrre, për lirinë e shqiptarëve kudo që janë, ka qenë njeriu që e ka trazuar rrugën, ka dhënë guxim dhe ka dhënë zemër. Pra, po e ripërsëris, pa të,  Kosova po ecë me hapa më të vegjël sepse këpucët e Ibrahim Rugovës të gjithëve ju bien të ngushta?”, është shprehur Haziri.

Image

Rugova, identifikim i pavarësisë së Kosovës

Ndërkaq, Haki Latifi, Kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Zvicër, ka thënë se me emrin Presidentit Rugova identifikohet Pavarësia e Kosovës, për të cilën në vitet tejet dramatike të popullit shqiptarë,  ai, mori Kosovën në duart e tij për t’i kundërshtuar pretendimet shoveniste të Millosheviçit dhe për t’ i hapur Kosovës rrugën e pavarësisë nga Beogradi fashist.  “Mençuria dhe trimëria e tij e pashoq prej një vizionari, largpamësi, i cili diti të udhëheqë popullin, duke e ruajtur nga regjimi diktatorial i Serbisë, i cili me tërë makinerinë e tij vrastare e kishte drejtuar mbi popullatën e pafajshme civile shqiptare në Kosovë.  Ai, themeloi Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila ishte promotore e lëvizjeve në Kosovë dhe mërgatë, duke i bërë ballë të gjitha politikave të Serbisë, duke kryer amanetin e shumë breznive të atdhetarëve shqiptarë,  të cilët ishin persekutuar dhe vrarë nga pushtuesit serbo-sllavë”, ka thënë Latifi.  Ai ka shtuar se, Presidenti Rugova me sukses e kreu edhe amanetin e babës së vet Ukës, të vrarë së bashku me gjyshin Rrustën nga policia serbe e atij regjimi.   “Për ta fituar këtë luftë të ashpër mbi Serbinë, u desh mençuri, mund dhe angazhim për t’ i bindur SHBA-në dhe Bashkimin Evropian për të drejtën e mohuar historike të shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.  Vlerësime për Presidentin Dr.Ibrahim Rugovën, kanë dhënë dhe do të vazhdojnë të japin njerëzit më të mëdhenj të botës demokratike, të cilët kanë potencuar në vazhdimësi politikën largpamëse të themeluesit të shtetit të Kosovës Presidentit Dr. Ibrahim Rugova”, ka thënë ai.

Image

Vdekja e Rugovës, humbje e madhe për Kosovën

Më tej Latifi ka thënë se, politika e Dr. Rugovës ishte politikë reale dhe shumë e përgjegjshme për rrethanat dhe kohën që veproj.  “Dihet se historikisht Kosova ka pasë burra të fortë dhe trima, por asnjë nga ata nuk kanë patur sukses sikurse Presidenti Dr. Ibrahim Rugova ta harmonizojë trimërinë dhe mençurinë me urtësinë. Vendimet e marra historike ishin udhërrëfyese për tërë një popull i cili synonte lirinë dhe demokracinë dhe flakjen e robërisë shekullore. Andaj vdekja e Dr. Rugovës ishte vdekje e hershme dhe humbje e madhe për popullin e Kosovës dhe LDK-në si parti më e madhe në trojet tona. Dr. Rugova ishte njeriu që mbolli farën e dashurisë njerëzore. Ajo farë akoma është në zemrat tona dhe na mban të fortë që ta ndjekim rrugën e tij. Sot më tepër se kurrë na duhet që dimë ta shporrin urrejtjen dhe atë ta shndërrojnë në dashuri për njeri tjetrin, që ndarjet t’i kurorëzojnë me bashkim, që humbjet t’i bëjnë fitore”, është shprehur Latifi. Sipas tij, veprat e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe filozofia e tij politike, sa shkon e rritet tek populli shqiptarë.  “E ndjejmë mungesën e këtij lideri të përjetshëm, sot më shumë se kurrë, për të qenë në mesin tonë, në udhëheqjen e Republikës së Kosovës. Jam i lumtur dhe njëherësh krenohem që pata mundësinë me vogëlsinë time së bashku me bashkëveprimtarët e Degës së LDK-së në Zvicër që të jemi argat dhe bashkëpunëtor të një prijësi siç ishte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova”, ka potencuar ai.

Image

Kujtime me Presidentin Rugova

Jetën dhe veprën madhështore të Presidentit Ibrahim Rugova, e ka kujtuar edhe publicisti Rexhep Shahu. “Në 2001, kisha botuar librin tim “Misioni për Paqen”, me intervista dhe impresione me misionarë të huaj  e shqiptarë që kishin vepruar në Kukës, Has, Tropojë, etj për Kosovën në vitet 1998-2000. Miku im Skender Zogaj bisedoi me stafin e Rugovës dhe shkova në zyrën e Presidentit për t’ia dhuruar librin. Ishte fenomenale. Më hutoi thjeshtësia e tij. Mu shterrën fjalët në fillim. Pastaj sikur ishim miq qe 200 vjet. U ngrit në këmbë me libër në dorë dhe më falënderoi për kontributin mediatik për “çështjen tonë kombëtare. Kur po bënim fotografitë, unë mbaja kokën nga ai në të djathtën time dhe e shihja në sy. Fotografët përballë reaguan që të shihja nga ato. Rugova duke qeshë më tha, Rexh, shih përpara. Më dhemb se nuk i kam krejt ato foto, m’i kanë marrë miq e të afërm dhe më dhemb. Por kur m’i kanë parë miqtë në Kukës ato foto me Rugovën, më graduan dhe më shpallën të privilegjuar, autoritet të lartë moral”, ka treguar Shahu përshtypjen e tij në takim me Presidentin Rugova. Më tej, Shahu ka thënë se Presidenti Rugova, mbeti më trimi ndër trima sepse punoi e luftoi në punë, në zyrë deri në çastin e vdekjes..  “Ai mbeti më trimi ndër trima sepse punoi e luftoi në punë, në zyrë deri në çastin e vdekjes, nuk u ankua, nuk qau, nuk u qurravit, nuk u bë për mëshirë kurrë. Nuk jetoi spitaleve, nuk iu shmang jetës, punës, përgjegjësisë, nuk u mbyll të qante e ta priste vdekjen në krevat, në shtëpi. Ai nuk e njihte mëshirën. Ai në çastet më vendimtare mbrojti luftëtarët e Kosovës, kur tha se “ata po mbrojnë pragjet e shtëpive të tyre”, pasi bota atë besonte në Kosovë dhe askënd tjetër asnjëherë si atë, pasi askush asnjëherë nuk e arrin besuesmërinë e tij, autoritetin e tij moral e politik. Nuk qëlloi kurrë për asgjë që ai të mos kishte të drejtë. Ai ishte trim, qëndrestar dhe mori përgjegjësi kur të tjerët fshiheshin ose dredhonin bishtin”, është shprehur Shahu. Sipas të njëjtit , Presidenti Rugova është i pari shqiptar i madh që sfidoi regjimin diktatorial në Shqipëri. “Ai ishte antienverist dhe është i pari shqiptar i madh që sfidoi regjimin diktatorial në Shqipëri, refuzoi Enver Hoxhën. Ai ishte institucioni më i madh i nderit, dashurisë për atdhe, më i larti, idhnak si ai, që nuk pranoi as toleroi kurrë fyerje, tallje, poshtërim nga institucione apo shtetarë të Shqipërisë, por i sfidoi të gjithë ata që e fyen. Sa ishte ai në detyrë SHIKU enverist i Shqipërisë nuk mundi ta pushtonte Kosovën me eksponentët e tij të dyfishtë në harmoni me UDB. Ai nuk u tremb kurrë prej askujt.  Ai nuk dëgjonte,  si misionar vetëm ecte, ecte drejt qëllimit dhe ishte i pacenueshëm nga asnjë lloj “sirene”, ka thënë ai.  Ai ka theksuar se, Rugova nuk bëri lojë asnjëherë me  misionin e tij.  “Ai, i vetmi, nuk e tradhëtoi kurrë veten e tij, i besoi deri në flijim vetes së tij dhe vetja e tij ishte Kosova. Ai nuk i tha kurrë askujt se jam unë komandanti, por e lypën të gjithë komandant, nuk e refuzoi askush si komandant. Edhe ata që e luftonin me fjalë, përballë tij ngatheshin, u “binte për thonjsh nga goja” përballë Rugovës. Se ai nuk bëri kurrë lojë me misionin e tij, nuk tradhëtoi kurrë luftën e tij, Kosovën e pavarur, njëlloj të hapur si ndaj Shqipërisë e Serbisë, në miqësi të përhershme me SHBA. E qeshura e tij ishte energjia e popullit të Kosovës. Ishte shenjt për Kosovën, në kuptimin më të thjeshtë të fjalës, ishte fe. Me e pyetë përditë, edhe 100 vjet ai na udhëheq. Aty është, në ne”, ka përfunduar publicisti Rexhep Shahu./BS/

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat