Hamiti: Presidenti Ibrahim Rugova, ati themeltar i shtetit të Kosovës

Aktuale

Hamiti: Presidenti Ibrahim Rugova, ati themeltar i shtetit të Kosovës

Më: 21 janar 2017 Në ora: 12:37
Akademi përkujtimore për ish Presidentin Rugova

Presidenti historik Ibrahim Rugova është ati themeltar i Republikë së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe do të mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm për veprën e tij krijuese, letrare dhe kulturore.

Kështu u tha në akademinë përkujtimore për nder të 11 vjetorit të vdekjes së Rugovës, ku akademik Sabri Hamiti zgjodhi ditën e sotme për të publikuar edhe librin e tij kushtuar presidentit Ibrahim Rugova, libër ky të cilin e ka titulluar “Memento për Rugovën”.

Hamiti tha se Rugova është ati themeltar i Republikë së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe do të mbetet frymëzim për brezat e ardhshëm për veprën e tij krijuese, letrare dhe kulturore. Ai krahasoi figurën e Ibrahim Rugovës me atë të shkrimtarit argjentinas, Jorge Luis Borges, shkrimtar ky i cili admironte shkrimtarin anglez, Ëilliam Shekspir, andaj sipas Hamitit, Rugova është Shekspiri ynë.

Hamiti: Rugova është ati themeltar i shtetit të Kosovës

“Rugova është ati themeltar i shtetit të Kosovës, ati themeltar i LDK-së, brezat e ardhshëm do ta kenë frymëzim sepse vepra e tij që tash është histori, brezat e ardhshëm do ta vlerësojnë dhe rivlerësojnë pjesën krijuese, letrare dhe kulturore, që është i njëri rast për gjithë kulturën e nocionit të kombit. Unë e kam shkruar një libër që është libër i pambyllur, është libër i hapur pikërisht për këto që thashë më përpara sepse vepra e Rugovës është një krue i gjallë nga i cili buron dija dhe frymëzimi i një zemre të hapur. Jorge Luis Borges, një shkrimtar i madh argjentinas, ndoshta ndër më të mëdhenjtë e shekullit XX-të, e patën thirrë të mbante një konferencë publike për Ëilliam Shekspirin, pararendësin e tij të madh, një nga shkrimtarët më të mëdhenj botëror dhe Borges jo se nuk e njihte mirë Shekspirin por pikërisht pse e njihte doli në foltore dhe për pesë minuta rresht ose pëshpëriti ose foli me zë pak më të lartë, nganjëherë edhe e ngriti zërin dhe e tha vetëm një fjalë, Shekspiri edhe unë po e përsëris Rugova”, tha Hamiti.

Ndërsa, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu tha se presidenti Ibrahim Rugova ishte krijues e studiues i veçantë, duke e quajtur atë ikonë e pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe Dardanisë antike.

Veliu: Presidenti historik Ibrahim Rugova ikonë e pavarësisë së Kosovës

“Rugova krijues e studiues i veçantë, e përfaqësues i një brezi qarku kulturor i Prishtinës, kulturë, letërsi, kritikë dhe teori alternative, strukturaliste e post strukturaliste, teksti e jo konteksti, estetika, shprehja e figura, Rugova politikan, humanist i duruar, i matur e trim, i papërsëritshëm dhe model, Lidhja Demokratike e Kosovës trashëguese dhe garantuese e Rugovizmit. Shajnë e keq ndjellin disa e si dikur, Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e para nacionale dhe demokratike. Presidenti historik i Kosovës Dr. Ibrahim Rugova ikonë e pavarësisë së Kosovës, Dardanisë antike, pagëzuesi e arkitekti, shenjëzuesi, identifikuesi i shtetit, flamuri, stema, himni, një ndër burrat e rrallë të kombit shqiptar, ndoshta më i rralli ndër shekujt e fundit”, tha Veliu.

Profesori Muhamet Hamiti, foli për librin kushtuar presidentit, Ibrahim Rugova duke thënë se "Memento për Rugovën", i autorit Sabri Hamiti, është vepër e cila shkon përtej biografisë sepse shkruan para dhe pas vdekjes së presidentit.

Veç tjerash, aktori i mirënjohur Çun Lajçi recitoi një poezi kushtuar jetës dhe veprës së presidentit Ibrahim Rugova.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat